FP: Si të mposhtet xhihadi kibernetik?

Një paradoks i madh i konfliktit me Al Qaeda është se “terroristët” që në masë të madhe nxiten nga ideologjia islamike e shekullit të 14-të, po përdorin me shumë mjeshtëri teknologjinë informative të shekullit 21, nis një artikull, kushtuar luftës kibernetike të xhihadit, revista prestigjioze, Foreign Policy.

Operativët e Al Qaidës, sipas FP-së, në misionin e tyre për të motivuar rekrutimet e reja në xhihad, për të hedhur hije mbi fuqinë amerikane si dhe për ofrimin e të “mësuarit në distancë” të aftësive “terroriste”, kanë përdorur në masë të madhe hapësirën kibernetike.

Dhe disi, edhe pas më shumë se një dekade që po ndiqen pareshtur, ata edhe më tej gëzojnë një përdorim të papenguar të kësaj strehe virtuale, thuhet në artikull. Është po aq e rëndësishme sa edhe strehët fizike në malet e Vaziristanit, Jemenit dhe të disa terreneve tjera të largëta.

Sulmet e Bostonit edhe njëherë ia kujtuan botës përfitimet e Al Qaedas nga hapësira kibernetike, siç u pa edhe me vëllezërit Tsarnaev, të cilët ishin radikalizuar përmes uebfaqeve xhihadiste.

Këtu ata nuk janë vetëm shrkuan Foreign Policy.

“Në sulmet e Londrës në vitin 2005 (nga të cilat u vranë 52 persona), sulmin e Nidal Hasan në Fort Hood në vitin 2009 (që vrau 13), ishin të përfshirë “terroristët” që motivoheshin dhe trajnoheshin nga uebfaqet”.

Informacione dhe vegëza për uebsajtet e Anwar al-Awlaki – që u vra nga sulmet e avionëve pa pilot në vitin 2011 dhe të Abu Mus’ab al-Suri janë gjetur në secilin nga këto raste, shkruan Foreign Policy.

Derisa ndikimi i Awlakit si propagandues, duket se ka vdekur bashkë me të, koncepti strategjik i al-Surit për rritjen e një “rrjeti pa lider” të celulave të vogla xhihadiste- që është ekspozuar në mënyrë të detajuar në uebfaqen e tij The Global Islamic Resistance Call – është bërë një udhëzues kryesor i al Qaedas.

Në artikull, Foreign Policy, thekson se është ky parim që duket se po ndiqet: rritja e ekipeve të vogla terroriste në vende të papritura.

Në këtë kuadër thuhet se mbase përmes mësimit online, ata nuk do fitojnë aftësitë e duhura, por janë mjaftueshme për të shkaktuar dëm dhe për të marrë vëmendjen ndërkombëtare.

Pyetjet para koalicionit kundër terrorizmit mbeten të njëjtat që kanë rezonuar nga dekada e kaluar, por mbase janë më të zëshme pas ngjarjes në Boston: Si të ndalohet xhihadi online? A mund al Qaeda të largohet nga streha virtuale në hapësirën kibernetike?

Foreign Policy shkruan se SHBA ka luajtur një rol udhëheqës në formulimin e strategjisë, duke u fokusuar kryesisht në përpjekjet për të prezantuar dhe përhapur një pikëpamje më të moderuar të islamit, si dhe të vë theksin te aktet e tmerrshme të terroristëve.

Por, problemi i thjeshtë me këtë, është se asnjë nga këto përpjekje nuk funksionon.

Mbi 95 për qind të botës prej 1.3 miliardë myslimanësh refuzojnë al Qaedan dhe ekstremistët tjerë, por xhihadistët nuk kanë nevojë për mbështetje popullore për të mbushur radhët e tyre. Mjafton një pjesë e vogël e shoqërisë islamike, dhe numëron sërish dhjetëra miliona, nga të cilët mund të tërheqin rekrutë.

Mesazhi ynë i moderuar nuk i lëkund ata, shkruan Foreign Policy.

Në anën tjetër, pushtimi i Irakut, abuzimet në Abu Ghraib, vrasja e të pafajshmëve me avionet amerikanë pa pilotë, kanë dëshmuar të kundërtën.

Edhe përpjekjet për të mbyllur këto uebfaqe xhihadiste janë treguar të paefektshme, për shkak të paraqitjes së materialeve në faqe të reja.

Edhe më tej thuhet në artikull nuk është mësuar mjaft për qëllimet e al Qaedas, identitetin e rekrutëve, apo edhe pas gjithë këtyre viteve, qarkullimit të parave.

Po që se zbulimet e mbledhura nga hapësira kibernetike do t’i jepnin koalicionit kundër terrorizmit informacione, siç i kishin aleatët kundër fuqive të boshtit në Luftën e Dytë Botërore, epoka e terrorizmit do të kishte përfunduar tashmë.

Mbase është koha që të ndiqet shembulli i “kërkuesve shkencorë” të Parkut Bletchley. Ata thyen kodet e pajisjes koduese German Enigma dhe mundësuan fitore të mëdha, madje edhe në kohën kur nazistët ishin në avantazh në luftë. Në atë konflikt, 70 vjet më parë, çelësi ishte që të krijhej kompjuteri me perfomancën më të lartë në botë. Sot, sifda e një Parku të ri Bletchley,”nuk do të ishte shumë në thyerjen e kodeve sesa hakerimi dhe gjetja e lokacioneve si të atyre xhihadistëve që i postojnë materialet, ashtu edhe të atyre, që kanë qasje në to. Te kërkuesit e parë shkencorë hynin matematikanët, mjeshtrit e shahut, dhe madje edhe magjistarët- në mesin e shumë të tjerëve.

Kërkuesit e shekullit 21 pa dyshim se do të kërkojnë hakerë të zotë, dizajnues softuerësh dhe mbase edhe më tej mjeshtër të shahut, sikurse edhe magjistarë.(a.isufi)/REL

* Artikulli paraqet reflektimin e mediumeve të cilat janë burim dhe transmetim i artikullit (Foreign Policy/RFE) dhe është sjellur këtu vetëm për informim.

Artikulli paraprakMaqedonia me ushtri më të dobët në Ballkan, Serbia prinë
Artikulli vijuesMe ulëse të rezervuara në Kuvend për inkurajimin e veriut!?