“Freedom House”: Kosova, regjim gjysmautoritar

Raporti i “Freedom House” për vendet në tranzicion ka arritur në përfundimin se Ballkani, që dikur ishte një rajon e cila ngjallte shumë shpresa për reforma në Evropë, ka rënë në nivelin e vitit 2004.

Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE. Sa i përket Kosovës, sipas këtij raporti, shtetndërtimi ka arritur në një rrugë pa krye. Madje thuhet se strukturat qeveritare, të cilat janë ndërtuar për të ruajtur paqen, janë duke penguar zhvillimin dhe stagnimi politik dhe ekonomik janë duke nxitur frustrimin popullor.

Sipas raportit, megjithëse korniza ligjore e Kushtetutës së Kosovës paraqet garanci të fortë për lirinë e shprehjes dhe të medieve, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet çështje problematike. “Ndërhyrjet politike dhe të biznesit, si dhe një financim i qëndrueshëm, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e medies dhe vlerat profesionale të këtij sektori”, thuhet në raport në të cilin analizohen zhvillimet e vitit 2015. Ndërkohë, “Freedom House” e ka cilësuar Kosovën si regjim gjysmë të konsoliduar autoritar.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1­shi paraqet nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7­a me të ulëtin, Kosova ka 5.07 pikë krahasuar me 5.14 sa ka pasur në vitin 2015. Kosova ka vazhduar konsolidimin e saj demokratik me hapa të ngadaltë në vitin 2015, thuhet në një raport të “Freedom House”, në të cilin rëndësi i kushtohet edhe zhvillimit të medies.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1­shi paraqet nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7­a me të ulëtin, mediet në Kosovë kanë shënuar një përparim të lehtë: nga 5.50 në 5.25 pikë. Raporti edhe kësaj radhe flet për ndikimin politik në transmetuesin publik, RTK­në. “Problemet me Radiotelevizionin e Kosovës, transmetuesin publik, vazhduan edhe në vitin 2015. Në janar kryeministri, Isa Mustafa, u ankua për mbulimin e lajmeve në RTK, duke e quajtur atë si televizion politik, duke iu referuar ndikimit të partnerit të tij të koalicionit, PDK­së”, thuhet në raport

“Në Kosovë dhe Bosnjë kemi ende në thelb struktura shtetërore jofunksionale që u ngritën pas luftës në ato vende dhe këto struktura nuk janë zgjidhur. Struktura e dalë nga Dejtoni në Bosnjë dhe në Kosovë ka një hendek mes preferencave të publikut dhe asaj që qeveria do të bëjë me politikat e saj”.

Njohësit e politikave ndërkombëtare në Kosovë kanë vlerësuar si shumë shqetësues raportin e fundit të “Freedom House” për Kosovën. Profesori i politikave ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, i cili para pak ditësh botoi librin “Shtet-ndërtimi dhe demokratizimi në Kosovë”, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se shtetndërtimi në Kosovë ka një gjenezë në pikënisje të ndërlikuar dhe shumë organizata ndërkombëtare dhe institute të ndryshme herë pas here e kategorizojnë shtetin e Kosovës si shtet fragjil (i kontestueshëm) në sajë të mosfunksionimit dhe varshmërisë së elementeve ekzistencial-konstituive të shtetit.

“Mendoj se Shtet ndërtimi në Kosovë ka një gjenezë në piknisje të ndërlikuar, Banka Botërore mirëpo edhe shumë organizata ndërkombëtare dhe institute të ndryshme herë pas here e kategorizojnë shtetin e Kosovës si Shtet Fragjil (i kontestueshëm) në saje të mos-funksionimit dhe varshmërisë së elementeve ekzistencial-konstituiv të Shtetit. Banka Botërore qysh në vitin 2010 në raportet e saja ka kategorizuar Kosovën ndër shtetet e rangut të dobëta me një fragjilitet të lartë, kjo si rezultat i një procesi të vështirë, dhe mos-aftësie të Institucioneve qeveritare për ndërtimin, dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore, ndërtimin e shteti-ligjorë funksional, krijimin dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe krahas saj ndërtimin e një shteti të konsoliduar që do shërbente në forcimin e subjektivitetit dhe përçimin e sinjaleve pozitive në arenën ndërkombëtare. Jo vetëm Institucionet Kosovare duhet të fajësohen për ketë mos-funksionalitet apo rrezikim të dështimit të gjithë këtij procesi. Mendoj se një rol negativ ka luajtur edhe bashkësia ndërkombëtare, duke mos i’u qasë me seriozitet këtij projekti , i nisur nga vet bashkësia ndërkombëtare dhe mos- dhënies prioritet çështjeve jetike të shtet-ndërtimit, siç do ishin:

Definimi dhe përcaktimi i periudhës kohore, si dhe forma për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, (Ri)-Ndërtimin e Institucioneve politike përmes një legjitimiteti demokratik dhe forcimin e tyre, dhënja prioritet të veçantë zhvillimit ekonomikë, kur them ketë duhet të theksoj se Bashkësia Ndërkombëtare fondet që ka derdhur në Kosovë për dialogun ndër-etnik, dhe që ka rezultuar si i dështuar, mendoj se më e rëndësishme do ishte të investohej në një ekonomi të qëndrueshme dhe përmes një rritje të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik dhe social të arrihej kjo paqe ndër-etnike si garanci për stabilitet dhe mirëqenie ndërmjet qytetarëve. Tutje si sfidë e shtet-ndërtimin dhe demokratizimit janë faktorët e rëndësishëm, si krijimi dhe zhvillimi i një kulture politike.

Sipas tij, edhe pse Partitë Politike vazhdimisht kanë proklamuar një kulturë politike me një demokraci deliberative, sipas praktikave të tyre dëshmohet e kundërta. Ato zakonisht udhëhiqen nga një grupacion, klan i ngushtë dhe në praktikën e tyre nuk rezultojnë as për së afërmi në shërbim të shtet-ndërtimit, demokratizimit dhe funksionalitetit të tij.

“Mendoj se kultura politike në Kosovës është e identifikuar përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdimisht është bërë thirrje nga ndërkombëtarët se këto dy fenomene janë pikërisht sfidat e shtetit të Kosovës dhe demokratizimit të saj, dhe këto duhet të luftohen pa kompromis. Elita politike në të kaluarën, po as edhe tash nuk ka patur vullnet politik për luftimin dhe zhdukjen e këtyre fenomeneve sfidues të shtetit të Kosovës, andaj kjo lënë të kuptohet, mirëpo edhe në bazë të raporteve ndërkombëtare, se edhe ajo vet është e ndërlidhur me strukturat e nëntokës. Mendoj se një qasje më serioze në luftimin dhe zhbërjen e fenomeneve të lartcekur, si dhe përqendrimin e të gjithë potencialit në ndërtimin e tri shtyllave kryesore si: siguria, demokratizimi, mirëqenia ekonomike dhe sociale do e përshpejtonte procesin e shtet-ndërtimit dhe fuqizimin e tij si brenda ashtu edhe jashtë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe profesori nga Shqipëria, Lisen Bashkurti, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht këtë raport. “Konkluzioni më i qëlluar, që nevojitet të lexohet mirë në Kosovë, është shmangia e agjendës qeveritare nga agjenda qytetare. Kjo asimetri agjendash ka krijuar shkëputje midis qytetarëve dhe politikës së qeverisë. Shkëputja sjell rritje mosbesimi. Sjell mosadresim të problematikave kryesore ekonomike, sociale, arsimore e shëndetësore të Kosovës”, ka thënë Bashkurti.

Kurse profesori universitar, Blerim Burnjani thotë se vendi ynë është në krizë për lidership e që, sipas tij, duhet të bëhet një klasë e re politike në vend.

“Kjo e thëne kështu në një raport është brengosësh për zhvillimin e institucioneve te shtetit dhe demokracisë në përgjithësi,institucionet e shtetit te udhëhequr nga kjo klasë politike e kanë për obligim të implementoj vullnetin e qytetarëve për të ndërtuar një demokraci funksionale me rend dhe ligj por jo kështu si është anarkike dhe fitimprurëse për njerëz shterp qe merren me politik per interesa personale e familjare.

Ne jemi në krizë për lidership pra kujt ti besohet pushteti,kjo pozitë dhe opozitë nuk janë ofruar siguri dhe perspektiv ekonomike dhe mirëqenie sociale,ne jemi me probleme te mëdha si te gjejnë rrugën për te ofruar një lidership tjetër dhe me ndertu një mekanizëm te përgjegjësisë për ketë qe po ndodhe tash e tete vjet pas bërjes se pavarur te shtetit te Kosovës. Duhet një klase e re politike ne vend duket e vetmja rruge për te dal nga anarkia dhe anarkistet”, ka thënë ai. /Zëri/

Artikulli paraprakNisma shpall zgjedhjet e brendshme
Artikulli vijuesDyfishohen kërkesat e kosovarëve për azil