Para ca ditësh më ra në dorë libri me titull: “Mekalatul-Keutheri”, një përmbledhje e mrekullueshme studimesh dhe vështrimesh fetare me vlerë të madhe, nga zëvendësi i Shejkhul-Islamit të fundit të hilafetit osman (Shejkhul-Islam Mustafa Sabri), Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri (v. 1371 h.).
Libri në fjalë është një vëllim i madh prej 561 faqesh, botuar në Kajro, nga “El-Mektebetut-Teufikijje”, pa vit botimi.
Përmbledhja në fjalë, me gjurmë diturore nga burimet e “dijetarit të pazëvendësueshëm”, siç e cilëson Shejkh Muhammed Ebu Zehra, Shejkh Keutheriun, është një “thesar shkencor që vërshon nga të gjitha anët”, siç e përshkruan dijetari i shquar pakistanez, Shejkh Muhammed Jusuf El-Bennuri.
Nisa të lexoj me shumë kujdes dhe me një respekt të madh, imponuar edhe nga dashuria dhe mirënjohja e pashembullt e Hoxhës, rahmet pastë, (Shejkh Vehbi S. Gavoçi), që me modestinë e tij të pashembullt dëshmonte për ixhazetet e Hoxhës së tij, Imam Keutheriut…
U ndala tek studimi me titull: “Mus’hafët e viseve dhe përkujdesja madhështore e ymmetit tonë ndaj Kur’anit Famëlartë në të gjitha fazat”.
Që në fjalitë e para, autori të tërheq me thellësinë e trajtimit të kësaj teme, drejt një të vërtete të madhe, që shpesh hutohemi ta përmendim kudo, ta kujtojmë e t’ia themi mbarë njerëzisë, se ky Kur’an është garanci udhëzimi në çdo kohë, për çdo individ dhe shoqëri!
Ju ftoj të lexojmë së bashku rreshtat e mëposhtëm nga studimi i lartcituar:
“Nuk ka ndodhur më parë në ndonjë popull prej popujve, në historinë e njerëzimit, një përkujdesje ndaj ndonjë libri, si përkujdesja e këtij ymmeti ndaj Kur’anit Famëlartë; në mësim përmendësh, në studim e në regjistrim të çdo gjëje që ka lidhje me të, nga afër a nga larg, përgjatë shekujve, nga agimi i Islamit, deri në ditët tona e deri sa të dojë All-llahu! Ai ka thënë të vërtetën në premtimin e Tij për mbrojtjen e Kur’anit, kur thotë: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” – (Kur’ani, El-Hixhr: 9)
Ku ka ndodhur më parë në historinë e njerëzimit, që një ymmet të mësojë përmendësh një libër dhe të vazhdojë në hifzin (mësimin përmendësh) e tij në vazhdimësinë e shekujve? E mëson përmendësh i vogli dhe i madhi, i riu dhe plaku, në qytete e në fshatra, në krejt cepat e botës, në mënyrë që, nëse gabon ndonjë lexues i tij në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë, në cepin më të largët te botës, do të gjejë atje dikë ta korrigjojë e ta udhëzojë drejt të saktës!” – (“Mekalatul-Keutheri”, f. 23).
Dy paragrafë nga një studim i gjatë, që të hapin sytë, të pasurojnë mendimin, të qartësojnë horizontet drejt një të vërtete të madhe, drejt së cilës jemi të thirrur të ftojmë mbarë njerëzinë: O njerëz, Kur’ani është Libri i Zotit të vetëm të gjithësisë, udhërrëfimi më garant për jetën dhe të përtejmen e mbushur me bekime hyjnore! Mos ta humbim jetën tonë pas thirrjeve të vdekura, ndërkohë që Libri i Atij që është i Gjalli që nuk vdes kurrë, thërret: “Nga po shkoni?!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 korrik 2016