Ftesë për të takuar vetveten

Agim Baçi

Si mund të kuptojmë se cilët jemi në të vërtetë? A mundemi ta sfidojmë kohën përpara mbylljes përfundimtare të qepallave? Cili është tjetri për ne? A mund të bëjmë të vetëm rrugën drejt vetes? A luan rol fëmijëria jonë, miqtë e hershëm, e sidomos familja jonë në atë çka bëjmë më vonë në jetë? Cilat janë rrugët që mund të shprehim vetveten?
Si mund të kuptojmë se cilët jemi në të vërtetë? A mundemi ta sfidojmë kohën përpara mbylljes përfundimtare të qepallave? Cili është tjetri për ne? A mund të bëjmë të vetëm rrugën drejt vetes? A luan rol fëmijëria jonë, miqtë e hershëm, e sidomos familja jonë në atë çka bëjmë më vonë në jetë? Cilat janë rrugët që mund të shprehim vetveten? 

Irvin D. Yalom, psikoterapist, profesor i Universitetit të Stanfordit në SHBA, i ka tejkaluar kufijtë e trillerit në romanet e tij, duke u mbështetur në profesionin e tij, për të shtruar përpara nesh pyetje, të cilat kanë nevojë jo thjesht për një përgjigje, por më parë për një meditim ndaj vetes sonë, ndaj asaj që kemi dashur të jemi dhe asaj që jemi realisht, ndaj asaj që themi dhe asaj që duam të themi realisht.
Një hendek i rëndësishëm, që nëse kapërcehet, mund të krijojë mirëkuptimin, e nëse jo, mund të jemi gjithnjë me një këmbë në humnerë. “Kur qau Niçja” dhe “Kura e Shopenhauerit” janë dy proza që përfshijnë në dhënien e shumë përgjigjeve mjaft nga emrat që vijojnë të jenë një burim i përditshëm diturie, si Niç- ja, Frojdi, Shopenhaueri, Brojeri.
Duke i sjellë në jetët tona, duke i zbritur përmes arsyes njerëzore, Yalom ka mundur të zgjojë sot urat me të shkuarën, të cilën bota moderne prej kohësh vetëm sa e ka shkallmuar, duke i zëvendësuar pyetjet fondamentale të njerëzimit me debatet e kotësisë, ku njeriu i mendjes nuk është më as synim e as arsyetim.
Vënia e personazheve të përbotshëm përballë nevojës për t’u kuptuar me tjetrin, për të bashkëbiseduar, për të rrëfyer vetveten, janë një ftesë ndaj lexuesit për të gjetur rrugët që t’i ngrejë vetvetes disa pikëpyetje. E duke nisur nga pikëpyetjet, mund të nisë udhëtimi drejt disa përgjigjeve, të cilat më pas do t’u japin një kuptim ditëve tona.
Për çfarë ankohemi më së shumti ne sot? Se nuk reagojmë si duhet dhe në kohën e duhur për gjërat që nuk shkojnë mirë rreth nesh, për vendimet arbitrare që marrin të tjerët për ne duke shpërfillur qenien tonë. Dhe për më tepër, cila gjë vijon të trishtojë shumicën e njerëzve sot? Indiferenca dhe shpërfillja! E ç’mund të bëjmë që t’i shmangim këto veti që po na pushtojnë përditshmërinë tonë?
Të vijojmë të ankohemi se bashkëqytetarët tanë nuk duan ta bëjnë këtë vend, se njerëzit nuk ndryshojnë? A mos duhet të vijojmë të shohim tjetrin si të pamundur? Apo të presim që gjithnjë të tjerët t’i marrin vendimet për ne apo në emrin tonë? Yalom ka ndërhyrë si një mjeshtër i psikoterapisë për të sjellë në vëmendje pyetjet që kanë nevojë për një përgjigje për këdo që dëshiron të dijë diçka për vetveten, që të nisë të mësojë se cili është në të vërtetë.
E për më shumë, duke sjellë përmes trillit gjithë dilemat njerëzore të mjeshtrave të mendimit, Yalom ofron rrugëtimet e njeriut si gabimtar, si qenie e gabueshme, si qenie e vdekshme. Kjo pikturë e qenies njerëzore mes një raporti të thjeshtësisë dhe modestisë, është një psikologji inkurajuese për ata, të cilët mund të jenë trembur nga dobësitë e tyre dhe mund të jenë dekurajuar në rrugën e tyre.
E sidomos në të sotmen, kur ka humbur nuri i fjalëve për ata që kërkojnë diturinë, Yalom vjen si një thirrje e madhe, për të besuar se takimi me vetveten mbetet më i rëndësishmi – takim që i hap rrugën edhe kuptimit të hapave tanë dhe të njerëzve me të cilët kërkojmë të bashkudhë- tojmë. “Mendimet janë hija e ndjenjave tona”, shkruan Yalom, duke na lënë të kuptojmë se jeta pa mendim nënkupton edhe jetën pa ndjenja.
Ndaj, më parë se të na vijë mbyllja e qepallave – më parë se të trokasë vdekja fizike – ia vlen të mendojmë se cilët jemi, se çfarë kemi dashur, e të arrijmë të shohim tjetrin si një mundësi, si një arsyetim. “Të vetmit njerëz që mund të pretendojnë se jetuan janë ata që i dhanë kuptim jetës së tyre”, shprehet Hanna Arendt në librin e saj “Gjendja njerëzore”. Irvin D. Yalom ka bashkuar bashkë psikoterapinë me fuqinë e letërsisë duke trokitur si një ftesë e rëndësishme.
Është i shumëdebatuar në SHBA e në shumë vende ku librat e tij janë përkthyer, duke fituar statusin e njeriut që di të zgjojë artin e të menduarit, sidomos në botën e sotme, ku të menduarit po shihet si një luks i panevojshëm, pasi vendin e të menduarit e ka zënë paraja dhe spektakli.

Artikulli paraprak(VIDEO) FJALIMI BRILIANT I MESILA DODËS: O JU MUSLIMANË E TË KRISHTERË, PËR HIR TË ZOTIT E TË FAMILJES MOS VOTONI PËR MARTESAT GEJ!
Artikulli vijuesObama uron kosovarët dhe Thaçin për Fitër Bajram