Fashizmi Islamik

“Fashizmi islamik”.Kjo shprehje morbide dhe skajshmërisht perfide, jam i sigurtë që në të ardhmen do bëhet shprehje të cilën me kënaqësi do e përdorin media të caktuara botërore. Por ama, do e përdorin sepse ne muslimanët nuk jemi timonierë të kohës që po e jetojmë, sepse ne po e bjerrim kohën me pallavra dhe po jetojmë vetëm për të vdekur e jo për të lënë gjurmë.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Koha s’pret njeri, ajo fluturon, andaj është me rëndësi që ne të jemi navigatorë të mirë. Sepse, nëse nuk jemi të zotët të drejtojmë kohën tonë, çfarë tjetër mund të drejtojmë ? Dhe, kur të themi se “nuk kemi kohë”, le të kujtojmë Pejgamberin Muahmed, Ajnshtajnin, Shekspirin, Ferid Muratin, Hasan Prishtinën, Majlinda Kelmendin. Një ditë e tyre ka zgjatur po aq sa edhe një ditë e jona, asnjë sekondë më shumë.
Por, nuk e kam ndërmend të merrem këtu me kohën si abstrakcion, i vetëdijshëm se edhe ky çast në të cilin po shkruaj i takon të kaluarës, asgjë nuk mbetet njësoj dhe çdo gjë shkon drejtë fundit të vetë. Në fund të mysafirllëkut tonë, mbeten veprat.
E vepra mund të krijojnë e t’ua lënë në traëshëgim gjeneratave vetëm navigatorët e kohës, ata që përpiqen të krijojnë orientime për njerëzit.

Një imputim i ri
“Fundamentalizmi islamik”, “Radikalizmi islamik” dhe “Terrorizmi islamik” janë sot tre nocionet më të përhapura në media dhe njëkohësisht më të urryera ndër njerëzit në botën perëndimore. Nocioni I parë është tërësisht i shkëputur nga konteksti dhe qëllimisht i është dhënë një kuptim frikësues dhe shumë negativ. Dy nocionet tjera që kanë të bëjnë me radikalizmin dhe terrorizmin, nuk kanë fare të bëjnë me Islamin, ato kanë të bëjnë me radikalë dhe terroristë të cilët rastësisht janë muslimanë ose shtirren se janë muslimanë. Sidoqoftë, çdo budalla që aktivizon sot një bombë vazhdon të quhet me shprehjet e lartëpërmendura.

Në këtë vazhdë, këtyre ditëve më rastisi të lexoj diçka rreth librit të një farë Abdel-Samad, një intelektual musliman nga Egjypti që jetuaka në Gjermani dhe punuaka për Institutin e Historisë dhe Kulturës Hebraike të Universitetit të Mynihut. Ai na qenka njëri nga ata që quhen“ateistët e padukshëm”, të refuzuarit, heretikët, blasfemët e botës islamike. Libri i Samadit që ka filluar të bën bujë, merrni me mend, quhet “Der Islamische Faschismus”( Fashizmi Islamik).
Samad, pa ngurruar fare, thotë se në librin e vetë merret me religjionin sepse aty bën krahasimin mes fashizmit dhe Islamit. “Islami nuk është vetëm një religjion, por edhe një ideologji politike, ashtu siç fashizmi ka qenë edhe një religjion politik. Kulti i liderit, kultura e vdekjes, martirët, populli i zgjedhur, këto janë të njëjtat karakteristika që i kanë Islami dhe fashizmi…”, konstaton më tej “muslimani egjyptian” i cili thotë se në rini qenka edukuar nga “Vëllazëria Muslimane”.
Mjerisht, këto teza të cilat po i përhapë ky autor, paraqesin vetëm vazhdimësi të procesit të demonizimit të Islamit dhe të muslimanëve. Jo rastësisht, Islami krahasohet pikërisht me fashizmin, me ideologjinë më të urryer në historinë e njerëzimit, me ideologjinë që shkaktoi vdekjen e mbi pesëdhjetë milionë njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me demek, Perëndimi dhe njerëzimi në përgjithësi duhet të përgatiten që në të ardhmen të përjetojnë tmerre të atij lloji nga Islami.
“Fashizmi islamik”.Kjo shprehje morbide dhe skajshmërisht perfide, jam i sigurtë që në të ardhmen do bëhet shprehje të cilën me kënaqësi do e përdorin mediat botërore. Por ama, do e përdorin sepse ne muslimanët nuk jemi timonierë të kohës që po e jetojmë, sepse ne po e bjerrim kohën me pallavra dhe po jetojmë vetëm për të vdekur e jo për të lënë gjurmë.
Sikurse edhe me rastin e Salman Rushdi, për kritikat e tij ndaj islamit, Samad në Gjermani jeton nën eskortë dhe mbi të ka një fetva për herezi, të nxjerrë nga disa imamë egjiptianë. Dhe,muslimanët këtu e përfundojnë çdo gjë, ani pse këtu do të duhej të fillojë çdo gjë. Do duhej të fillojë debati, do duhej t’ia shpjegojmë botës me forcën e argumentit se Islami, në fakt, është e kundërta e fashizmit.

Cdo gjë është politikë, por politika nuk është çdo gjë

“Politika është diçka e ndyer dhe s’paraqet asgjë tjetër përveç urisë për fuqi dhe para, andaj etika fetare nuk shkon dorë për dore me atë…”. Kjo është një bindje e cila gjatë kohë ka mbretëruar te muslimanët dhe për këtë shkak ata janë përpjekur që Islamin mos ta involvojnë në proceset politike.
Sot, muslimanët laikë gjithnjë e më shumë po merren me politikë, por këtë nuk po e bëjnë me qëllime të mbrapshta. Përkundrazi, muslimanët po përpiqen, kudo që jetojnë, të ndërtojnë shtete që do kenë për themel drejtësinë dhe në të cilat do të respektohet liria dhe dinjiteti, pra do të respektohet edhe Islami.
Angazhimi i muslimanëve në politikë, sot, është përpjekje për demistifikimin e shtetit dhe politikës të cilat një kohë të gjatë kanë reflektuar fuqi dhe dominim absolut mbi të gjitha sferat e jetës. Muslimanët që angazhohen në politikë dhe veprojnë politikisht, e bëjnë këtë gjë për të ndërtuar një shoqëri humane e cila do jetë në shërbimin e qytetarit e jo të një kategorie të caktuar dhe të një klase të caktuar. Traditat islame thonë se pushteti paraqet një fuqi që ju shërben njerëzve e jo fuqi që sundon mbi ata.
Ja, ky është “islami politik” dhe kjo është politika në të cilën, kuptohet, muslimanët e angazhuar politikisht do të inkorporojnë vlera morale dhe pikëpamje për drejtësinë që te ata reflekton përkatësia e tyre fetare. Kjo nuk është asgjë e tmershme sepse, tek e fundit, edhe në politikën botërore në përgjithësi përherë ka pasur reflektim edukata fetare e njerëzve.
“ Fashizmi islamik” për të cilin po flet Samad është vetëm një floskulë që po krijohet aktualisht me qëllim të nxirrjes të Islamit. Terrorizmi përfundimisht nuk është politikë dhe politika që synon të jetësohet përmes terrorizmit është e destinuar të zhduket. Por, kjo do ndodhë kur ata që janë të thirur të shpjegojnë e të përhapin Islamin do e marrin timonin për të drejtuar kohën, kur demonizimit të Islamit do i dalin ballëpërballshëm, kur atyre që po kurdisin bomba për të vrarë njerëz të pafajshëm do ju thonë qarte, ju nuk e përfaqësoni Islamin.

Artikulli paraprakHasanbeg, shumë banorë jashtë listës së kompensimeve
Artikulli vijuesShkon në 50 numri i viktimave nga tërmeti në Itali