FUQIA E VULLNETIT

Ne zakonisht gjërat (materiale) që na rrethojnë jemi mësuar që me pak angazhim t’i llogarisim, t’i vërtetojmë dhe po ashtu t’i varim mbi to shpresat tona. Në anën tjetër zotërojmë energji dhe aftësi të brendshme për të pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në këto gjëra, mirëpo fatkeqësisht ne nuk i shfrytëzojmë këto mundësi dhe kështu që nuk përfitojmë prej tyre, për shkak se nuk jemi të ndërgjegjshëm për to dhe nuk i perceptojmë siç duhet.

Vullneti konsiderohet si forcë e jashtëzakonshme, të cilën Allahu ia dhuroi racës njerëzore. Ai që është mirënjohës për këtë dhunti, punon për ta rrënjosur dhe për ta forcuar atë, si dhe duke e ngritur nivelin e vendosmërisë në planifikim dhe angazhim. Është e mirënjohur nga të gjithë, se nuk ka mundësi të realizohet asnjë punë veçse me plotësimin e dy elementeve: vullnetit dhe potencialit. Kur dikush pyet cila prej tyre është më e rëndësishme, atëherë pa dyshim që vullneti është më vendimtar dhe më me peshë, ngase njeriu kur vendos për të arritur sinqerisht dhe me ngulm diçka, ai nxiton që t’i sigurojë mekanizmat e duhur për të finalizuar atë. Vullneti i çeliktë zbulon aftësitë e fshehura, i konsolidon ato, si dhe arrin që t’i zgjojë forcat e përgjumura dhe të heshtura që gjenden brenda nesh.

Nëse meditojmë rreth arritjeve të civilizimeve të mëdha përgjatë historisë ne do të kuptojmë se tërë ato arritje janë meritë e vullnetit dhe e këmbënguljes. Pa to nuk do të mund të arrinin pothuajse asgjë, pavarësisht diturisë apo inteligjencies, sepse bota është e mbushur plot me njerëz gjenialë, por dështakë në veprimtaritë e tyre; të shkolluar, por të papunë. Që ta kuptojmë këtë më mirë do të shërbehemi me një shembull. Nëse një njeri vuan nga një sëmundje e rënde dhe afër shtëpisë së tij ekziston një qendër mjekësore moderne, e cila ofron shërbime falas, dhe atë zakonisht e frekuentojnë ata që lëngojnë prej të njëjtës sëmundje, dhe ai e refuzon këtë përkujdesje shëndetësore me apo pa arsye, atëherë si do të jetë rezultati? Të gjitha mundësitë mjekësore që mund të shfrytëzohen, do të konsiderohen të padobishme për të, pra, sikur të mos ekzistonin fare. Mirëpo, nëse kemi një të sëmurë tjetër, i cili vuan prej ndonjë sëmundjeje të rëndë dhe zotëron vullnet të hekurt për t’u shëruar, mirëpo nuk i ka kushtet, ai do të drejtohet në të katër anët, do të trokasë në të gjitha dyert dhe në fund me ndihmën e Zotit do të gjejë përkrahje dhe mbështetje për të arritur atë trajtim që e kishte si qëllim.

Nëse kemi parasysh diferencën ndërmjet njerëzve në çështjen e suksesit dhe arritjes në të gjitha lëmit do të vërejmë se kjo diferencë ndodh pikërisht në saje të vullnetit të njerëzve, e jo për arsye të diferencës së mundësive dhe potencialit të tyre. Sidoqoftë ky përkufizim i përket aspektit të përgjithshëm dhe shumicës së rasteve. Ekziston një numër jashtëzakonisht i madh të rinjsh dhe të rejash, që nuk kanë kurrfarë problemi në leximin e një libri në muaj, ashtu siç ka edhe të atillë që mund t’i lexojnë nga 10 faqe të Kuranit në ditë, mirëpo fatkeqësisht të paktë janë në numër ata që bëjnë gjëra tilla. Këta lloj njerëzish që arrijnë t’i bëjnë këto zotërojnë vullnet të lartë për të vepruar.

Nisur nga kjo mund të konkludojmë se kriza reale prej së cilës vuajnë muslimanët sot në shumë fusha të ndryshme civilizuese, si në aspektin e mbrojtjes nga komplotet e armiqve, të çlirimit të vendeve të pushtuara etj., është mungesë e vullnetit e jo e mundësive. Mirëpo njerëzve nuk u pëlqen ta pranojnë, se nuk dëshirojnë të lexojnë ose t’i zmbrapsin kurthet dhe komplotet e kundërshtarëve, por shërbehen me arsyetimin se nuk zotërojnë forcë dhe mundësi. Ata veprojnë kështu se e dinë që deklarimi “nuk dëshirojnë” përbën një farë nënçmimi për ta dhe nënkupton pranimin e kapitullimit. Në anën tjetër, shprehja “nuk mundemi” është më e pranuar, sepse vë në pah opsionin e pamundësisë, ose të ndërhyrjes së elementeve të jashtme, të cilat në të shumtën e rasteve është e pamundur që t’u bëhet ballë. Një kamuflim të tillë e bënë edhe hipokritët, të cilët nuk morën pjesë në betejën e Tebukut me të Dërguarin, paqja dhe lavdërimi i Zotit qoftë për të, duke u arsyetuar se nuk kishin fuqi dhe mundësi: “Dhe ata do të betohen në Allahun: ‘Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju’; dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten; Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.” (Teube; 42) dhe “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur.” (Teube: 46)

Njëra prej mënyrave të shprehjes së mëshirës së Allahut është mundësia e njeriut për ta ngritur dhe fuqizuar vullnetin. Kjo mundësi është shumë më e madhe se aftësia për t’i ndezur potencialet e tjera që ka, e po ashtu edhe më e madhe se sa fuqia për të përmirësuar ambientin, kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendet. Është shumë e qartë gjithashtu se forcimi i vullnetit do të thotë futja në luftë të brendshme me vetveten, kur njeriu duhet të ndalet para joshjeve dhe pasioneve të ndryshme, duhet t’u bëjë ballë disa veseve, shprehive dhe epsheve të ulëta. Kjo është e lehtë vetëm për atë që ia lehtëson Allahu. Prandaj çdo shoqëri përcakton për pjesëtarët e saj një interes të përbashkët të ngritur mbi një vullnet të caktuar, derisa ai është i dobishëm për të. Shoqëria këtë nivel të vullnetit e ndërton duke u motivuar me besim, bindje, parime dhe aspirata të saj.

Bazuar në këtë konkluzion vërejmë se një shoqëri, e cila i kushton rëndësi namazit me xhemat, kërkimit të diturisë, pamjes së jashtme dhe dekorit ose ushqimit dhe pirjes e ndërton interesin dhe vullnetin e pjesëtarëve të saj rreth këtyre gjërave, në harmoni me standardet dhe kriteret që lidhen me to. Këto i bëjnë pjesëtarët e tyre, që të punojnë për realizimin e tyre, pa ndonjë barrë dhe pengesë të theksuar. Kjo nënkupton se fuqia e vullnetit është prodhim i shoqërisë dhe i ngjason kontributit, që ajo u dhuron bijve të saj varësisht prej pjesëmarrjes së tyre në të.

Kjo na vetëdijeson për diçka shumë të rëndësishme, që të shprehim interesim të jashtëzakonshëm në përzgjedhjen e një ambienti të shëndoshë dhe të arsimuar për të jetuar në të, sepse jeta në kësi lloj ambienti i jep njeriut fuqi shtesë në orientimin e suksesit në këtë botë dhe shpëtimit në botën tjetër. Neve na bëhet më i qartë ky koncept sa herë që meditojmë për shpërblimin e madh që Allahu e ka rezervuar për besimtarët, të cilët migruan nga Meka në Medinë (para çlirimit të saj) dhe paralajmërimeve që ekzistojnë në thëniet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për jetesën në vendet e kufrit, përveç në raste përjashtuese që kanë përmendur dijetarët e Islamit.

PËRMBLODHI: AGRON TERZIQI

albislam.com

Artikulli paraprakPAKICAT ISLAME JASHTË TERRITORIT TË BOTËS ISLAME
Artikulli vijuesEMËRTIME GABIMISHT DHE GABIME QËLLIMISHT