Kryqi i Kuq filloi fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve që të tregojnë humanizëm më të madh ndaj emigrantëve. Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti tha se migracioni është realitet dhe se duhet të tregohet humanizmi i qytetarëve.
“Pritet dhe supozohet se kësisoj lëvizjesh do të ketë edhe më tutje në rajon, në forma të ndryshme. Për këto arsye vlerësojmë se të gjithë së bashku duhet të përgatitemi për një ardhmëri të këtillë dhe të gjithë së bashku duhet të kuptojmë se migracionet po bëhen realitet në këto hapësira”, theksoi Sait Saiti, Sekretar në Kryqin e Kuq.
Kryqi i Kuq siguron ndihmë dhe përkrahje intensive për emigrantët, të cilët tranzitojnë nëpër Maqedoni drejtë shteteve Evropiane. Qëllimi i fushatës është ngritja e vetëdijes tek popullata për nevojat humanitare gjatës kohës së migracionit.
Shoqëria nacionale e Emigrantëve i mbështet ata duke iu siguruar ushqim, pako me letra higjienike, ndihmën e parë, rivendosjen e lidhjeve familjare, etj. Sipas të dhënave të MPB-së, deri në mars të këtij viti janë regjistruar 474.104 emigrantë. Ndërsa nga UNHCR-ja janë regjistruar 850.000 emigrant. Nga Kryqi i Kuq njoftojnë se ka emigrantë të cilët nuk janë të regjistruar, prandaj nuk dihet numri i tyre i saktë.
Përgatiti: Arbana Qerimi