Gashi: Akti i djeshëm në Kriva Pallankë është tejet tendencioz

Afrim Gashi nga Lëvizja Besa në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal e gjykoi aktin e djeshëm të demolimit të objektit fetar (mesxhid) në Kriva Pallankë.

Gashi theksoi se Lëvizja Besa është kundër çdo akti të dhunshëm dhe se sipas tij, ai akt i djeshëm në Kriva Pallankë ishte tejet tendencioz.
“Lëvizja BESA është kundër çdo akti të dhunshëm në parim e aq më tepër kur me akte të tilla dhunohen liritë dhe të drejtat njerëzore, ndër të cilat është edhe liria e praktikimit dhe e shprehjes së besimit. Liria e besimit është ndër të drejtat themelore njerëzore të mbrojtura me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, secili njeri, grup ose institucion që i dëmton ato, do të përballet me Lëvizjen BESA.
Është tejet tendencioze që në një qytezë gati plotësisht njëetnike maqedonas dhe kryesisht monofetare ortodoks, të ngrihesh e të protestosh kundër islamizimit të këtij vendi, sepse do ndërtoheshka ndonjë faltore e një feje tjetër, në këtë rast myslimane. Parashtrohet pyetja: cili njeri i logjikshëm dhe racional do të besonte se po islaimizoheshka Kriva Pallanka nëse aty do ndërtohet një xhami e vogël? Krejt kjo na kujton se koha e inkuizicionit akoma nuk paska përfunduar dhe se inkuizitorët po veprojnë ende.
Këtu nuk mund të mos shfaqim brengën tonë të thellë se kësaj i ka ndihmuar dhe e ka ushqyer me islamofobi edhe ekstremizmi ortodoks që e ka prodhuar kjo qeveri, në të cilën detyrimisht hisen e saj e ka partia shqipfolëse BDI, që sillet krejt indiferente ndaj këtyre veprimeve anti qytetëruese dhe antinjerëzore.
Ritheksojmë se Lëvizja BESA është kundër çdo tentative që shkon në dëm të marrëdhënieve ndërfetare, ndëretnike dhe ndërnjerëzore dhe do jemi këtu gjithnjë ta ngremë zërin çdoherë kur një e drejtë themelore i cenohet cilitdo komunitet ose individ, qoftë ai shqiptar ose jo dhe qoftë mysliman ose i krishterë.
Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjendet vendi, pas të gjitha krizave dhe trazirave, dhe kur kemi një marrëveshje e cila po orvatet ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, nuk mund të mos mendojmë se incidentet e tipit të protestës së djeshme në “Pallankën e shtrembër” të jenë bërë spontanisht dhe pa interferenca politike.
Këta njerëz që sot qeverisin me shtetin janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin për ta shpëtuar veten e jo më të nxisin incidente ndërfetare e ndëretnike. Prej këtyre njerëzve pritet gjithçka, andaj indikacionet tona flasin se nxitja për një akt të tillë ka qenë e motivuar politikisht për përfitime partiake dhe grupore. Një akt si ai i djeshmi nuk i shkon në favor as paqes dhe as harmonisë ndërfetare e ndëretnike, andaj ne e dënojmë çdo akt të tillë dhe kërkojmë që të ndërpritet çdo tentativë për destabilizim të vendit dhe për nxitje të urrejtjes ndërefetare e ndëretnike.”, deklaroi Gashi
Artikulli paraprakFOTO: Kujt i pengon Xhamia në Kriva Pallankë?
Artikulli vijuesOJQ-të maqedonase: Jemi kundër që të mos ndërtohen xhami njëjtë si ndërtohen kisha