Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se LDK-ja është në fazën ku nuk duhet të ketë vija të kuqe për askënd.
Gashi në një intervistë për radion Evropa e Lirë preferon që LDK të përcaktohet për partneritet me parti më të vogla politike.
Sa u përket zhvillimeve në Kuvend, Gashi mendon se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi vështirë se do të ratifikohet ashtu si është, kurse për atë për Asociacionin e komunave serbe, parasheh që çështja të mbetet komplekse.
“Në demokraci opozita është pjesë e rëndësishme e shtetit. Në rastin e Kosovës, sjellja e opozitës në muajt e fundit ka qenë rrezik permanent për demokracinë dhe rrezik permanent edhe për mënyrën e sjelljes dhe mendimit politik në Kosovë. Mendoj se duhet të gjendet një modalitet prej të cilit do të dilnin të gjithë të kënaqur me një rezultat dhe askush i mundur në kuptimin e mundjes finale në humbjen politike apo betejën politike e cila është zhvilluar, sepse ka shkuar një kohë shumë e gjatë edhe nuk mendoj se është i gatshëm askush të humb. Në këto rrethana duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën dhe të mos rrezikohet stabiliteti”, shprehet Gashi.
Por sa janë reale pritjet e disa subjekteve politike që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Cili është mendimi i juaj, deputeti i LDK tha “Këto janë dy elemente në aspektin teknik dhe matematikor vendi nuk shkon në zgjedhje sepse shumica qeverisëse i ka mbi 89 deputet. Në aspektin politik në çdo moment partitë politike mund të marrin vendim që të kthehen të votuesit dhe të kërkojnë nga votuesit vlerësimin e tyre për punën ose mos punën. Këto janë dy çështje që duhet të ballafaqohen. Në aspektin teknik thash nuk ka një problem të tillë, por në aspektin demokratik mendoj se me ngjarjet që kanë ndodhur në muajit e fundit do të ishte normale në një fazë të caktuar, më dakordimin e të gjitha palëve që të shkohej tek sovrani, populli, dhe t’i kërkohej votëbesimi i tij, për të vazhduar qeverisjen apo për të ndryshuar qeverisjen”.