Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se “nëse gjërat kanë ardhur deri në këtë pikë që koalicioni të prishet, atëherë le të prishet”, por, sipas tij, prishja e koalicionit bart me vete edhe disa pasoja.
“Mendoj se nëse prishet marrëveshja e PDK’së me LDK’në atëherë duhet të prishet krejt marrëveshja, përfshirë këtu edhe Presidentin, i cili duhet të largohet, sepse ka ardh si pjesë e kësaj marrëveshje”, ka thënë Gashi, në “Rrokum Roll” të TV Rrokum.
Sipas Gashit është e rëndësishme që PDK ta ketë parasysh këtë dhe se marrëveshja duhet të prishet e tëra në mënyrë që vendit të mos i mbesin pasojat e zgjedhjes së Presidentit.
“Përderisa PDK e LDK nuk munden me qeverisë, atëherë duhet me shkue në zgjedhje dhe me prishe koalicionin. E, nëse PDK nuk e respekton marrëveshjen, atëherë mund të vijë deri në një situatë kur LDK mund të kontestojë Presidentin e shtetit”, tha Gashi.
Ai tha se “nëse nuk ka reflektim dhe nuk respektohet marrëveshja prej PDK’së, atëherë LDK mund të bëjë veprime të tjera politike”.