Gazetari i Servisit Publik të Maqedonisë, programi në gjuhën Shqipe, Sami Ademi ka reaguar përmes mediumeve pas caktimit të masës “arrest shtëpiak” për njërin prej të akuzuarëve për vrasjen e djalit të tij, Leart Ademi, që ndodhi më 3 janar të këtij viti në Çair.
Ademi ka përmendur edhe emrin e personit, të cilin e konsideron si të dyshuarin kryesor, për tragjedinë e ndodhur.
“Shprehi revoltë përkitazi me lirimin e Nedim Dernjanit në arrest shtëpiak i cili, sipas meje është “kapislla” kryesore e fatkeqësisë e cila ndodhi ne fillim te ketij viti ku pësoi tragjikisht Learti. Në arrest shtëpiak lëshohen vetëm gratë shtatzëne, personat e sëmurë, te moshuarit dhe ata te cilët nuk mund ti përballojnë kushtet e burgut me te cilat ballafaqohen”, deklaroi gazetari Ademi.
Ai ka shprehur habinë se si personi që nga organet e sigurisë akuzohet për nxitje të fatkeqësisë me pasoja vdekjeprurëse lirohet aq lehtë dhe dërgohet në arrest shtëpiak.
“Unë dhe familja ime, do të kërkojmë drejtësinë deri në fund dhe po që se ka nevojë do t`i drejtohem edhe faktorit ndërkombëtar për drejtësi.
Ai kërkon me urgjencë që Nedim Dernjani te kthehet prapa grilave e jo të lihet në arrest shtëpiak.