Gëzim Kelmendi ishte i pari që foli për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi (Dokument)

Njëra nga çështjet më të diskutuara në politikën ditore në Kosovë, është çështja e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, e cila është bërë edhe njëra nga kauzat kryesore të opozitës së bashkuar.
Por, njëri nga deputetët e parë që e kishte ngritur çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, ka qenë ish – deputeti i Partisë së Drejtësisë (PD), Gëzim Kelmendi.

Siç edhe mund të shihet në transkriptin e Kuvendit të Kosovës, të datës 25 mars të vitit 2011, të siguruar nga Telegrafi, Kelmendi, ndër të tjera kishte deklaruar aso kohe se:

“Vonesat e paraqitura në caktimin e vijave të demarkacionit kanë shkaktuar dhe po shkaktojnë probleme. Në kohë të fundit, konkretisht, vitin e kaluar dhe në këtë vit, pjesa perëndimore e Kosovës është duke u ballafaquar me një problem të tillë. Vitin e kaluar siç edhe e dimë, në kufirin Pejë – Kullë – Rozhajë autoritetet malazeze kanë hyrë në tokën e Kosovës për 5.3 km.

Me atë rast, kishin reaguar popullata e asaj ane e pastaj Kryetari i Komunës së Pejës dhe më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe situata paksa është stabilizuar.

Në ketë vit, në kohë të fundit po përsëritet e njëjta gjë, por në pikën tjetër kufitare Pejë – Qakorr – Morinë.

Autoritetet malazeze kanë hyrë për 7 km në territorin e Kosovës, gjegjësisht në rajonin e Rugovës, konkretisht në rrethinën e Kuqishtës.

Popullata e asaj ane është tejet e shqetësuar dhe e alarmuar, ata kanë reaguar menjëherë duke iu drejtuar autoriteteve komunale të Komunës së Pejës, por atyre iu është bërë e ditur se kjo çështje nuk është kompetencë e Komunës se Pejës, por është çështje qe duhet trajtuar nga qeveria, konkretisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Një situate e tillë dhe shumë alarmante është paraqitur në Radiotelevizionin e Kosovës, me datë 09 mars të vitit 2011. Këto veprime rrezikojnë cenimin e integritetit territorial të Kosovës.

Unë, si përfaqësues i qytetareve të Republikës së Kosovës dhe deputet në Kuvendin e Kosovës shprehi shqetësimin tim të thellë për këtë çështje shumë të ndjeshme dhe shumë vitale për çështjen e Kosovës.

Njëherit, kërkoj nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme të marrë hapa konkret në ketë drejtim dhe që ketë çështje të caktimit të vijës së demarkacionit me shtetin fqinj Malin e Zi ta zgjidh sa më shpejtë”. /Telegrafi/

transkript1 transkript2 (1) transkript2

Artikulli paraprakTërnava: Ekstremizmi dhe terrorizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin
Artikulli vijuesTrump kundër muslimanëve, sulmohet nga…shqiponja