Gjashtë serbë gjykohen për trazirat e marsit

Gjashtë serbë nga Mitrovica, të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e marsit të vitit 2008 në Mitrovicë, do të dalin para gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it të martën në veri të Mitrovicës.
EULEX-i ka ngritur aktakuzë kundër Miodrag Ralic, Marjan Ilincic, Zoran Cavic, Dragan Milojevic, Nebojsha Jovic dhe Avni Krasniqit.

Të dyshuarit akuzohen për 22 vepra penale, duke përfshirë këtu marrje ilegale të gjykatës në veri të Mitrovicës, thirrje për rezistencë, pengim të personave zyrtarë, pjesëmarrje në turmën që kryen vepra penale, rrezikim të Kombeve të Bashkuara dhe të personave shoqërues etj, raporton “KosovaPress”.

Po ashtu ata ngarkohen edhe për shkatërrim të pronës së tundshme, përhapje të urrejtjes etnike, mosdurimit dhe përçarjes.
Paralajmërohet se gjykimi do të zgjasë 15 ditë, çdo javë nga tri ditë, ndërsa procesi gjyqësor pritet të përfundojë më 28 mars.

Ndryshe, në incidentet që ndodhën në Mitrovicë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vdiq një polic i Ukrainës, u plagosën dhe lënduan mbi 60 policë të UNMIK-ut, 24 pjesëtarë të KFOR-it, si dhe rreth 100 demonstrues serbë.

Artikulli paraprak“Honoris Causa” për Thaçin, nga Universiteti me prapavijë radikale te krishtere
Artikulli vijuesFamilja dyshon se nusja lehonë u vra nga mjekët