VV nuk mbështet asnjërin kandidat për kryetar të Ferizajt

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të premten se nuk do të mbështesë asnjërin nga kandidatët për kryetar të komunës së Ferizajt.

Në komunën e Ferizajt të dielën do të zhvillohet balotazhi për zgjedhjen e kryetarit të komunës, ndërsa në garë janë Agim Aliu nga PDK dhe Adem Salihaj nga LDK.

“Në këtë garë politike marrin pjesë kandidatët e dy partive politike të cilat kanë pas rastin, secila veç e veç, pastaj edhe së bashku përmes koalicionit, të tregojnë se si qeverisin. Kjo mënyrë e qeverisjes së të dy partive ndryshon në nuanca dhe intensitet të qeverisjes së keqe por jo shumë në përmbajtje”, vlerëson Vetëvendosje.

Sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës, partia në pushtet, është shembulli më tipik se si nuk duhet të jetë pushteti, ndërkaq Lidhja Demokratike nuk është subjekti politik i cili mund të bëjë ndryshime në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për një koncept politik që dallon rrënjësisht nga konceptet e subjekteve tjera politike, për një koncept që ka për qëllim kryesorë ndërtimin e shtetit, të sovranitetit ekonomik, politik dhe territorial, të rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes./kohaislame/

Artikulli paraprakPensionistët protestuan, për gjendjen fajësojnë Qeverinë
Artikulli vijuesAutostrada nën hetime të EULEX-it