Gjenerali rus tregon se si e morën Aeroportin e Sllatinës, në vitin 1999

Eksperti i njohur ushtarak rus, gjenerali Leonid Ivasov pohon se në qershor të vitit 1999, gjatë hyrjes së trupave ushtarake ruse në Kosovë, me rastin e marrjes së Aeroportit të Prishtinës në Sllatinë, nuk ka pasur rrezik nga konflikti me NATO-n. Ai thotë se trupat e Aleancës Veriatlantike janë frikësuar nga forcat ruse dhe ato të ushtrisë së atëhershme jugosllave. Gjenerali rus 14 vjet më vonë tregon se si operacioni ishte realizuar në konfidenialitet të plotë dhe për të dinte vetëm kreu i më i lartë i Ushtrisë ruse dhe presidenti i Rusisë, Boris Jelcin dhe ai serb Slobodan Milosevic.
“I kishim masat adekuate të sigurisë. Në radhë të parë Këshilli i NATO-s nuk ishte unik lidhur me këtë çështje. Gjermanët, grekët dhe italianët, por mendoj se edhe disa vende të tjera anëtare të NATO-së, nuk ishin të gatshme të votojnë për luftë me Rusinë. Mirëpo, kemi pasur edhe masën tjetër të sigurisë – e kemi ditur që në qoftë se shkrepet vetëm një predhë në drejtimin tonë, ne do të ftonim në ndihmë ushtrinë jugosllave”, ka thënë gjenerali Ivasov për portalin IN4S, transmeton gazeta serbe “Novosti”.

Gjenerali rus ka thënë se e kanë ditur se në Gjeneralshtabin e ushtrisë serbe dhe te vetë ushtarët serbë ka ekzistuar disponimi i plotë që të rreshtoheshin në anën e rusëve, në rast të konfliktit.

“Kur ia kam dorëzuar raportin ministrit të mbrojtjes, kurse ai presidentit të Rusisë, ata kishin thënë se kjo ishte siguria kryesore. Forcat e NATO-së do të detyroheshin në operacion tokësor, të cilit i frikësoheshin”, ka thënë Ivasov.

“Marrja e Aeroportit të Prishtinës nga forcat ruse është kryer në harmoni me planin ndërkombëtar, por kanë ekzistuar edhe masat e theksuara të sigurisë në rast të sulmit, për këtë shkak komanda e forcave britanike ka kërkuar bisedime. Natën e parë britanikët e kaluan në taborin tonë, sepse frikësoheshin se do të sulmoheshin nga serbët apo shqiptarët. Prandaj konsideroj se krejt ka qenë normale dhe natyrisht që ne e kishim futur një batalion në marrëveshje me presidentin e Republikës Federative të Jugoslavisë, Slobodan Milosevicin, kështu që ushtritë tona kanë vepruar bashkarisht dhe të koordinuara”, ka thënë gjenerali Ivasov.

Sipas tij, i tërë operacioni i marrjes së Aeroportit të Prishtinës në Sllatinë e ka pasur përkrahjen e udhëheqjes ruse, respektivisht presidentit Boris Jelcin.

“Jelcini ka dhënë autorizimin, por meqë bëhej fjalë për operacion ushtarak, askush përveç rrethit të ngushtë të kreut ushtarak nuk ka ditur për një operacion të tillë. Për këtë nuk dinte as ministri i Punëve të Jashtme, nuk i kam besuar, për shkak të mundësisë së rrjedhjes së informacioneve. Dhe, merreni me mend, për gjashtë orë batalioni ynë nga Republika Srpska shkonte në drejtim të Kosovës, kurse NATO-ja nuk dinte asgjë për këtë, sepse ne akoma kemi shkathtësinë sllave dhe gjithmonë mund t’i mashtrojmë”, ka thënë gjenerali rus.

Artikulli paraprakLiderët autoritarë përqafojnë mediat sociale
Artikulli vijuesTunizi: U vra lideri opozitar