Gjenevë: Mbahet takimi për krizën në Siri

0
112

Sot në Gjenevë të Zvicrës mbahet takimi i organizuar nga Kombet e Bashkuara, me synimin që të ndalet gjakderdhja 16 muajshme në Siri. I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Siri, Kofi Anan, pritet ta paraqes planin për krijimin e qeverisë së unitetit kombëtar.Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka parashikuar progres, por jo kthesa të mëdha.

Raportohet se Rusia i ka kundërshtuar planet për largimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad, nga çfarëdo qeverie e unitetit kombëtar, sipas planit të Ananit.
Por Uashingtoni e ka hedhur poshtë këtë qëndrim të Rusisë.
Dallimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u diskutuan mbrëmë në takimin ndërmjet sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, dhe ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Pas bisedimeve, një zyrtar i lartë amerikan, që udhëtoi me zonjën Klinton, tha se hapësirat e “dallimeve dhe vështirësive” mbesin, dhe ka shprehur dyshim se tubimi në Gjenevë mund të prodhoj ndonjë marrëveshje.
Në takimin e sotëm në Gjenevë, pos sekretares Klinton dhe ministrit Lavrov, marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Kinës.
Të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesit e Turqisë, Kuvajtit, Katarit, ndërsa merr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun./BS/kohaislame