Gjërat e parëndësishme që mund t’i shkatërrojnë

Nga përgjithmonë bashkë, në përgjithmonë larg njëri-tjetrit! Ja cilat janë detajet e vogla që kanë peshë të madhe në një lidhje

Marrëdhëniet

Shumë prej nesh mendojnë se çështjet e rëndësishme janë ato që i çojnë çiftet drejt ndarjes. Por edhe irritimet e vogla dhe të herëpashershme mund të japin të njëjtin efekt, thotë eksperti i marrëdhënieve në çift, Andreu Marshall. Ja një listë me tetë zonat e rrezikshme që romancat duhet t’i qëndrojnë larg.

Moskushtimi i vëmendjes

Ai mund të jetë duke pohuar diçka me kokë, ndërkohë që mendja e tij të jetë gjetkë. Ose ju mund të jeni duke kontrolluar celularin herë pas here teksa ai po përpiqet t’ju thotë diçka. Teknologjia i ka çorientuar njerëzit dhe i ka bërë t’u kushtojnë vëmendje shumë gjërave në të njëjtën kohë. Për këtë arsye shpesh mund të duket normale që teksa dikush flet të merremi me kompjuterin ose smartfonin. Por moskushtimi i vëmendjes mund të jetë fatal për një marrëdhënie kur bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Sepse, në një mënyrë tregon se personi tjetër e ka humbur interesin për partnerin ose partneren. Për të mos rënë pre e këtij gabimi të vogël në dukje, por të madh për shumicën e çifteve, bëni mirë ta programoni kohën tuaj në mënyrë të tillë që të gjeni kohën e përshtatshme edhe për personin tuaj më të rëndësishëm.

Imponimi i rregullave tuaja

Mund të jeni ju ajo që ankoheni për vendin ku partneri lë gjërat, ose mund të jetë ai që ju rikujton shpesh se nuk duhet të bëni një veprim të caktuar brenda shtëpisë. Si justifikim për imponimin e rregullave tuaja mund të keni shprehjen se tjetrit nuk i kushton asgjë t’i ndjekë ato, por secili ka ide të ndryshme për jetimin e jetës. Ana juaj e së vërtetës nuk është e gjithë e vërteta, ndaj vëreni veten në pozitën e tjetrit dhe përpiquni të jeni më shumë pranues sesa imponues.

Mërzia e vazhdueshme

Nëse ju ose partneri juaj ndiheni të mërzitur apo të stresuar, fjalia më e papërshtatshme që mund të thoni në këtë rast është “largoje mendjen”. Duke u shprehur kështu, ju tregoni se nuk keni ndonjë dëshirë në veçanti të merreni me ndjenjat dhe mendimet e njëri-tjetrit. Nëse nuk e merrni seriozisht gjendjen shpirtërore të partnerit, atëherë shumë ditë do të kalojnë në mërzi, e cila sa vjen e do të thellohet. Për këtë arsye duhet të përdorni dy strategji kryesore. Së pari, pyeteni partnerin ose partneren në mënyrë që të kuptoni më mirë gjendjen shpirtërore ku ndodhet dhe së dyti bëjini me dije se ju e kuptoni që është mërzitur ose ndihet i/e trishtuar apo e stresuar.

Ndërprerja

Keni një qind e një gjëra për të thënë dhe ju duket normale të mos i mbani përbrenda. Dëshira për t’i komunikuar përpara se t’i harroni mund t’ju bëjë shumë egoistë. Kështu mund t’ju ndodhë të mos u kushtoni vëmendje fjalëve të tjetrit dhe ta ndërprisni vazhdimisht. Nëse nuk e lini partnerin të përfundojë fjalitë që ka nisur, atëherë nuk do të merrni 100 për qind ndjenjat dhe mendimet që do të shprehë. Shumë femra ankohen se bashkëshortët e tyre i mbajnë gjërat përbrenda, por në fakt ato nuk i lënë të shprehen. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të përmbaheni derisa personi tjetër të mbarojë fjalinë, sepse komunikimi është një nga aspektet më kryesore të një marrëdhënieje të shëndetshme.

Dëshira urgjente për vëmendje

Shpeshherë partnerët bëhen të bezdisshëm për njëri-tjetrin, kjo sepse u pëlqen të kërkojnë në mënyrë urgjente vëmendjen e tjetrit. Duke vepruar kështu, personi, vëmendja e të cilit kërkohet, ndien se ka një përgjegjësi shumë të madhe mbi shpatulla dhe shpesh lodhet. Gjëja më e mirë për të bërë në këtë rast është t’i ruani gjërat për momentin e duhur. Gjërat që mund të presin, është më mirë t’i vini në listën e atyre që duhen bërë dhe t’i kryeni më vonë. Vullneti i lirë është një faktor që i bën lidhjet të zgjasin dhe të jenë të lumtura.

Pritja ose korrektësia

Nëse duhet të ishit diku gjysmë ore para, por jeni akoma duke u përgatitur, kjo ka dy medalje. Nga njëra anë qëndron shprehja se është e pasjellshme t’i lësh të tjerët të presin dhe, nga ana tjetër, ndonjëherë është e kotë të kërkosh përpikëri. Në një marrëdhënie në çift, dëshira e madhe për korrektesë mund të rrisë nivelin e stresit te të dy partnerët dhe t’i kthejë shëtitjet në diçka të papëlqyeshme. Më e mira që mund të bëni në këtë rast është toleranca dhe presioni i alternuar.

Lirshmëria

Mund t’ju duket si diçka e zakonshme të anashkaloni sjelljen formale dhe të filloni të silleni pa asnjë ndrojtje përpara personit me të cilin po kaloni jetën. Por kujdes, ky mendim është një nga më të dëmshmit kur vjen puna për të shuar romancën dhe pasionin. Jini sa më të hapur dhe misteriozë njëkohësisht, që të keni një marrëdhënie të mbushur me të papritura dhe gjëra emocionuese.

Kritikat

Kritikat dhe këshillat ndihmëse janë helmuesit kryesorë të atmosferës së një lidhjeje, shto këtu edhe faktin që largojnë të gjithë humorin te partnerët. Njerëzit zakonisht kritikojnë për të dhënë shenja se kanë diçka të pasqaruar midis tyre. Nëse nuk doni të krijoni largësi dhe mungesa të dukshme dashurie mes jush, atëherë përpiquni më shumë të pranoni sesa të shihni me syrin kritik. Lëreni partnerin ose partneren të jetë ashtu siç e ndien.

Artikulli paraprakThe Telegraph: Vëllazëria Myslimane, kampioni më i madh i demokracisë për 2013
Artikulli vijuesShpikje e rrallë: Lopata e fundit për largimin e borës