Gjermania merr në shqyrtim ligjet kundër terrorizmit

Siguria dhe privatësia në luftën kundër terrorit një temë e ndjeshme: Vetëm një gjysëm viti ka kohë komisioni qeveritar për të marrë në shqyrtim ligjet gjermane të sigurisë.

“Që nga 11 shtatori kudo në botë, edhe në RFGj, ne kemi një sërë ligjesh të reja, që janë miratuar me përshpejtim nga parlamentet”, thotë Burkhard Hirsch. “Kjo ka sjellë një ndryshim radikal të asaj, që quhet arkitekturë sigurie.” Kështu e argumenton politikani liberal në bisedë me Deutsche Wellen nevojën e komisionit të ekspertëve, që nis punën këtë të hënë (28.01.2013). Nën drejtimin e ministres së Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger komisioni do bëjë auditimin e legjislacionit për luftimin e terrorizmit qysh prej sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe do të nxjerrë konkluzione në lidhje me mangësitë serioze në rastin e celulës së djathtë ekstremiste të Zwickaut. “Thellimi i mëtejshëm i kontrollit dhe i mundësive të ndërhyrjes që pa u kryer veprat penale, për të zbuluar para kohe dhe për të luftuar kërcënimet, që vijnë nga terrorizmi, apo ekstremizmi”, ka një rëndësi të madhe për shoqërinë. Burkhard Hirsch: “Kjo ka çuar në një ndryshim të madh të aktiviteteve të policisë dhe të shërbimeve të inteligjencës dhe është koha për të bërë bilancin dhe për të pyetur, nëse çdo gjë është në përputhje me kushtetutën, apo nëse po shkojmë drejt një shteti policor.”

Ku fillon një vepër penale?

Kur mund të përgjohet telefoni?
Megjithëse çdo ndryshim legjislative në dhjetë vitet e fundit kanë qenë objekt i kontrollit ligjor, një auditim i përgjithshëm nuk është bërë ende. Veçanërisht i ndieshëm është tensioni ndërmjet privacisë dhe sigurisë, për të cilin do të pozicionohet edhe komisioni. Pikërisht ruajtja e të dhënave të regjistruara, pra përgjimi dhe ruajtja e informacioneve, të cilat mund t’i paraprinin një sulmi, ka qenë shpesh subjekt i debateve të nxehta publike në dhjetë vitet e fundit.

Ku janë kufijtë e përgjimit me video?
Puna e komisionit do të prekë anë të ndjeshme të arkitekturës gjermane të sigurisë, si ligjin për Zyrën federale të Mbrojtjes së Kushtetutës. Pas 11 shtatorit janë futur të drejta speciale të shërbimeve të fshehta në lidhje me sipërmarrje në fushën e aviacionit, postës dhe telekomunikacionit. Qëllimi ishte që të kontrollohen më mirë personat, për të cilët dyshohet se planifikojnë një atentat terrorist. Edhe financat e të dyshuarve për terrorizëm duhen kontrolluar më mirë. Shërbimet e inteligjencës dhe ligjet e policisë, që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga ekstremizmi, janë objekt i auditimit.

Trashëgimia historike ndikon në arkitekturën gjermane të sigurisë
Ky auditim i përgjithshëm do të kryhet tani edhe nga ekspertë të jashtëm. Njëri prej tyre është profesori i shkencave politike, Heinrich Amadeus Wolff, i cili jep mësim në Frankfurt-Oder dhe Dublin. Në bisedë me DW ai shpjegon ndieshmërinë e kësaj teme për shkak të peshës historike të Rajhut të tretë dhe arkitekturës gjermane të sigurisë, e cila u influencua fort nga fuqitë fituese në vitin 1945: “Ne nuk duam polici të fshehtë, nuk duam një polici federale të fortë, as shërbime sekrete në nivel federal me kompetenca ekzekutive.” Përveç kësaj në kontekstin e një shteti federal ndarja e kompetencave ndërmjet federatës dhe landeve përbën vazhdimisht një problem. Në fushën e sigurisë peshën në ligjin e përgjithshëm të policisë e kanë landet, por në shërbimet e inteligjencës federata. Rezultati është që federata është e interesuar t’i kualifikojë të gjitha çështjet si çështje zbulimi, sepse atëherë ajo merr kompetencën.” Në këtë konflikt komisionit i duhet të vendosë, dhe në një kohë të shkurtër.

Mungesë kohe për shkak të zgjedhjeve parlametare
Kështu ekspertët ndodhen nën një presion më të madh, nga sa ishte parashikuar fillimisht. Vendimi i kabinetit, për të ngritur një komision të përkohshëm për të shqyrtuar ligjin e sigurisë, u mor në gushtin e vitit të kaluar. Atëherë ishte paraparë për të patur në dispozicion një vit të tërë, tani ekspertët kanë vetëm disa muaj, nga fundi i janarit deri në fushatën për zgjedhjet parlamentare.
Por në fakt realiteti është ndryshe, sepse që nga mesi i vitit nuk do të jetë më i mundshëm një diskutim objektiv për shkak të fushatës për zgjedhjet parlamentare”, kritikon Wolff: “Nuk është situatë fort e favorshme, që një komision ekspertësh, që është hapi i parë i një reforme, të vendoset gjashtë muaj para përfundimit të një periudhe legjislative.” Përvec kësaj ai sheh rrezik të madh, që komisioni të bëhet instrument i burokratizimit.
Këtë mendim ka edhe ekspertja e terrorizmit Anetta Kahane e fondacionit Antonio-Amadeu: “Gjermania është e zonja për të ngritur komisione, që zakonisht sjell shumë pak rezultat.“ Fondacioni i saj angazhohet për luftën kundër një kulture të ekstremizmit të djathtë në jetën e përditshme.
“Ndaj celulës terroriste të Zwickaut është dashur për shembull që të reagohej shumë më heret, po të ishin marrë parasysh dëshmitë e shoqërisës civile”, mendon ajo.

Forcimi i mekanizmave mbrojtës të shoqërisë civile
Kahane kujton mangësitë në hetime, që nuk janë shmanguar dot as me ashpërsimin e ligjeve të sigurisë: “Qëllimi ynë në fund të viteve nëntëdhjetë ishte për të bërë të njohur se në Tyringi ka një skenë shumë agresive neonaziste, që bashkëpunonte pjesërisht me institucionin për mbrojtjen e kushtetutës”, konkludon ajo.
“Të gjithë kolegët e mi kanë përjetuar në atë kohë të njëjtën gjë: Ne jemi përpjekur që ta informojmë opinionin publik politik lidhur me afërsinë e madhe mes skenës së djathtë ekstreme dhe institucionit për mbrojtjen e kushtetutës. Dhe ne na thuhej se gjithka është në rregull, nëse informacionet tona ishin ndopak të vërteta.” Prandaj ajo kërkon përmirësimin e bashkëpunimit në “kushte të barabarta” të organeve ekzistuese me institucionet të shoqërisë civile po ashtu ekzistuese./dw

Artikulli paraprakEgjipt: Presidenti Mursi dhe opozita në kurs konfrontimi
Artikulli vijuesTre shqiptarë burgosen në Jemen, për trafikim të 180 tonelatave armatim (VIDEO)