Gjermania ofron viza pune, refuzon azilin

Azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor mund të sigurojnë vizë pune. Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) po përpiqet që për refugjatët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të krijohet mundësia e fitimit të një vize pune. Kjo do t’u mundësonte shtetasve të vendeve të këtij regjioni që të shkojnë në Gjermani përmes një rruge tjetër, jo përmes azilit.
Sipas këtij propozimi, shtetasit e Shqipërisë, Serbisë apo Kosovës do të fitonin një vizë pune në rast se ata sigurojnë paraprakisht një kontratë pune në Gjermani me të ardhura që e kalojnë pagën minimale prej 1460 euro bruto në muaj.
 
Këtë propozim e ka bërë publik sot në një konferencë telefonike me kryeministrat e landeve që vijnë nga partia e tij, kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel.
 
“Sa u përket vizave të punës, ato duhet të jepen në numra të kufizuar. Për të realizuar këtë synim të SPD-së nuk nevojitet ndryshim i ligjit”, thuhet brenda kësaj partie.
 
Ndërsa, vënia në jetë e propozimit të përmendur mund të bëhet në çdo kohë përmes udhëzimit nga Agjencia Federale për Ndërmjetësim të Punës (BA).
 
Në këtë kontekst, SPD angazhohet po ashtu edhe për zgjerimin e grupit të shteteve të sigurta në Ballkanin perëndimor duke futur aty, veç tjerash, edhe Kosovën. Kjo gjë, sipas saj do të ndihmonte në shpejtimin e procedurave të azilit.
 
Në gjashtë muajt e parë të vitit, vetëm nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia në Gjermani ka pasur 67.400 kërkesa azili. Gjasat për njohje të azilit për ta janë afër zeros. /Shekullionline/
Artikulli paraprakKomentet nxitëse të urrejtjes fetare tek disa faqe Shqiptare
Artikulli vijuesGjenerali i Hitlerit