Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), anëtari përkatës i Akademisë Prof. Dr. Dragi Gjorgiev në ligjëratën inkuadruese rreth përhapjes së Islamit në Maqedoni gjatë periudhës Osmane, deklaroi se procesi i përhapjes së Islamit në territorin e Ballkanit dhe Maqedonisë është ekzagjeruar në histografinë e këtij territori. Ai u shpreh se Perandoria Osmane nuk ka kryer përhapjen e Islamit me dhunë ndaj popullsisë jomuslimane në këto troje, raporton Anadolu Agency (AA).
Akademiku Dragi Gjorgiev tha se fakti që 200 vjet pas ardhjes së osmanëve në këto troje nuk ekziston asnjë dokument serioz që dëshmon se shteti osman ka kryer përhapjen e Islamit me dhunë, tregon se kjo perandori ka kryer një politikë absolutisht tolerante mbi jomuslimanët që kanë jetuar në këto troje.
“Duke marrë parasysh të dhënat nga defterët e regjistrimit osman, atëherë mund themi se Perandoria Osmane nuk ka kryer përhapjen e Islamit me dhunë ndaj popullsisë jomuslimane, por në të kundërtën ka ndjekur një politikë shumë tolerante fetare, duke u mundësuar të gjithë komuniteteve në territorin e Ballkanit për t’i praktikuar zakonet dhe fenë e tyre”,- deklaroi Gjorgiev.
Gjorgiev shtoi se nëse bëhet një krahasim me ndonjë shtet tjetër të Evropës në shekullin e 15-të apo 16-të, mund të vërehet qartë se shteti osman ka zbatuar normat dhe dispozitat ligjore të cilat janë specifike edhe më vonë në shekullin e 20-të, si dhe të cilat tashmë janë në funksion të një shoqërie demokratike liberale.
“Islami sigurisht që ka ndikuar në të jetuarit e shoqërisë në territorin e Ballkanit dhe Maqedonisë, sepse shumë zakone dhe elemente në zanate dhe veshje, përfshirë edhe në gjuhë janë sjellë nga koha osmane. Edhe sot, nëse hulumtoni më thellë, në gjuhën maqedonase ndoshta mund të gjeni rreth 4.000 fjalë me origjinë osmane”, – theksoi Gjorgiev, duke shtuar edhe ndikimin e kulturës dhe civilizimit osman në territorin e Maqedonisë, si në sferën shpirtërore, ashtu edhe në atë fizike.
Akademiku Dragi Gjorgiev është diplomuar për histori në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe në Fakultetin e Gjuhëve Orientale në Universitetin e Sarajevës. Disa herë ka banuar në Turqi për studime dhe specializime, ndërsa që nga viti 1993 rregullisht hulumton në arkivat osmane në Stamboll. Ai punon në regjistrimet më të hershme osmane për Maqedoninë nga shekulli i 15-të dhe 16-të, si dhe është njëri nga historianët e paktë në vend që njohin gjuhën moderne turke dhe osmane dhe të cilët merren me përkthimin e literaturës dhe dokumenteve osmane.