Gjysma e eksporteve amerikane të armëve shkojnë në Lindjen e Mesme

Arabia Saudite është importuesja e dytë më e madhe e armëve në botë, ndërsa shitjet globale të SHBA-ve janë rritur me 25 për qind në pesë vjetët e fundit.

Gati gjysma e eksporteve të armëve nga Shtetet e Bashkuara në pesë vjetët e fundit kanë shkuar në Lindjen e Mesme të raskapitur nga lufta, ndërsa Arabia Saudite ka konsoliduar vendin e saj si importuesja e dytë më e madhe. Raporti nga Instituti Kërkimor për Paqen me qendër në Stokholm, thotë se transfertat globale të sistemeve më të mëdha të armatimit midis viteve 2013 dhe 2017 janë rritur me 10 për qind krahasuar me periudhën pesëvjeçare të mëparshme, në vijimësi të trendit në rritje që nisi dy dekada më parë.

Shtetet e Bashkuara që janë edhe eksportuesit më të mëdhenj të botës, i rritën shitjet midis këtyre dy periudhave në masën 25 për qind. Uashingtoni ka furnizuar me armë gati 98 shtete në të gjithë botën, një shifër që përbën më shumë se një të tretën e eksporteve globale.

Rusia, eksportuesja e dytë më e madhe globale e armëve, pa një rënie prej 7.1 për qind në volumin e saj të përgjithshëm të eskportit të armëve; eksportet amerikane ishin 58 për qind më të larta sesa ato të Rusisë.

Franca, Gjermania dhe Kina janë mes pesë eksportuesëve më të mëdhenj. Britania e madhe është në vendin e gjashtë.

“Bazuar në marrëveshjet e nënshkruara gjatë administratës Obama, dërgesat e armëve nga SHBA në vitet 2013–17 arritën nivelin e tyre më të lartë që prej fundit të viteve 1990”, thotë Dr. Aude Fleurant, drejtor i programit të shpërndarjes së armatimeve ushtarake.

Lindja e Mesme, një rajon ku në pesë vjetët e fundit pjesa më e madhe e shteteve kanë qenë të përfshira në konflikt, llogarit 32 për qind të importeve globale të armëve.

Importet e armëve në rajon u dyfishuan gjatë viteve 2013- 2017 dhe në periudhën pesëvjeçare përpara saj. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca janë furnizuesit kryesorë të armëve në rajon, ndërsa Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendet kryesore pritëse.

Britania e Madhe që shtroi tapet të kuq për vizitën e Princit të Kurorës në Londër, eksportoi gati gjysmën e armëve të saj drejt Arabisë Saudite, që ka rritur importet e këtij vendit me 225 për qind. Raporti i SIPRI-t vë në dukje se Arabia Saudite i ka përdorur armët e veta të importuara në operacione luftarake të shkallës së gjerë, sidomos në Jemen.

Ndërhyrja ushtarake e drejtuar nga sauditët në Jemen nisi në vitin 2015, me synimin për të frenuar përparimin e rebelëve Huthi që kanë mbështjen e Iranit, nga kontrolli i kryeqytetit Sana’a. Lista e blerjeve nga Arabia Saudite përfshin 78 avionë luftarakë, 72 helikopterë luftarakë dhe 328 tanke.

“Konfliktet e mëdha e të dhunshme në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut kanë sjellë debate politike në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut për kufizimin e shitjes së armëve”, thotë Pieter Wezeman, kërkues i lartë me organizatën e programit të shpërndarjes së armëve.

“Megjithatë, SHBA dhe shtetet europiane mbeten eksportuesit më të mëdhenj të armëve në rajon dhe furnizuan mbi 98 për qind të armëve që u importuan nga Arabia Saudite”.

Në kontrast, rivali kryesor rajonal i sauditëve, Irani, që po mbështet regjimin e presidentit Bashar al-Assad në Siri, nuk ka arritur të hyjë as në listën e 40 vendeve të para për importuesit e mëdhenj – shteti llogaritet të ketë vetëm 1 për qind të importeve të armëve në rajon.

Irani, që ndodhet nën embargo ndërkombëtare të armëve, shpenzon vetëm një përqindje minimale të asaj që fqinjët arabë shpenzojnë për armët, por në vend të kësaj ai mbështetet tek aleatët dhe ushtrimi i pushtetit “të butë” për të përparuar politikat e veta.

Izraeli rriti importet e veta me 125 për qind, duke marrë armë kryesisht nga SHBA, Gjermania dhe Italia.

India, që merr kryesisht armë nga Rusia, kryeson listën e importuesve më të mëdhenj. Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë po ashtu mes pesë importuesve më të mëdhenj.

“Tensionet midis Indisë nga njëra anë dhe Pakistanit e Kinës nga ana tjetër, po nxisin kërkesën në rritje të Indisë për armë të rënda, të cilat nuk është në gjendje t’i prodhojë vetë”, thotë Wezeman.

“Kina në kontrast, po bëhet gjithnjë e më e aftë të prodhojë armët e veta dhe vijon të forcojë marrëdhënien e saj me Pakistanin, Bangladeshin dhe Mianmarin përmes furnizimit me armë”.

Artikulli paraprakA po triumfon përfundimisht “Daja Azem”?
Artikulli vijuesNë Kosovë, partia mendon për rrogën tënde