Premtimi ndër vite i Hashim Thaçit për formimin e ushtrisë

Kosovo's foreign minister and former premier Hashim Thaci speaks during an interview with AFP in Pristina on February 3, 2016. Thaci told AFP he received a death threat purportedly from the leader of the Islamic State organisation over his opposition to the extremist group. / AFP / ARMEND NIMANI (Photo credit should read ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images)

“Kjo do të jetë parada e fundit ku ne e shohim parakalimin e FSK-së me këtë emër”, kishte deklaruar më 17 shkurt 2014 – në Ditën e Pavarësisë, asokohe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

“Na ndan një kohë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Forcat e Armatosura të cilat do të kenë mandat të ri dhe do të kenë kapacitete mbrojtëse. Ato do të jenë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, kishte thënë ish-kryeministri Thaçi.

Kurse Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon ta ketë të njëjtin mandat.

Nuk është ky i vetmi premtim që Hashim Thaçi e kishte dhënë gjatë funksioneve të tij. Të njëjtën gjë e kishte premtuar edhe dy ditë pas Ditës së Pavarësisë, në një mbledhje të Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar dhe në përmbyllje të këtij procesi, me zotimin se në të ardhmen FSK-ja do të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës, si tërësi e forcave të armatosura të një vendi”, kishte deklaruar ish-kryeministri Thaçi, më 19 shkurt 2014.

I gjithë ky proces, premtonte ai, do të kalojë në agjendën qeveritare, pastaj edhe Kuvendi i Kosovës do t’i merr vendimet përkatëse për ndryshimet kushtetuese dhe do të vazhdohet me një bashkëpunim të ngushtë me aleatët.

Nga pozicioni i zëvendëskryeministrit, prapë sjellë premtimin e njëjtë – sivjet do të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës.

Këtë premtim e kishte dhënë në prill të vitit 2015 gjatë një interviste për gazetën e njohur sllovene “Dello”.

Ai kishte theksuar se Kosova nuk është problem ushtarak dhe se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është një rezultat i problemeve, por një nevojë afatgjate që Kosova të ketë instrument vetanak në arkitekturën e sigurisë së Evropës Juglindore.

Pasi premtimet nuk i dolën, Thaçi u kujdes që dështimin t’ua hedhë të tjerëve. Madje kishte thënë se veprimet e opozitës me molotov po e pengojnë këtë proces.

“Ata të cilët po hedhin molotov në drejtim të institucioneve kurrë nuk kanë marrë ndonjë vendim të mirë për ju qytetarë, mësues, invalid të luftës, të burgosur politik”, kishte thënë Thaçi gjatë një fjalimi me simpatizantët e PDK-së nga Shtimja, në 17-vjetorin e themelimit.

Por, premtimin për bërjen e ushtrisë, nuk harroi ta përmend edhe sot në 19-vjetorin e Epopesë se UÇK-së.

Gjatë fjalimit, ai premtoi se shumë shpejtë do ta procedojë ndryshimin e Ligjit për FSK-në.

Ai ka thënë se, si komandant suprem i FSK-së, dhe në bazë të kompetencave që ka, ai lejojnë një gjë të tillë.

“Në ditët në vijim, shumë shpejt, brenda kompetencave të mia, do të ndërmarrë të gjitha masat që të nis procedurat për ndryshimin e ligjit për transformimin e FSK-së”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se FSK do të ketë një mision që të mbrojë territorin, qytetarët dhe të kontribuojë në paqen globale.

“Detyrat që do t’i marrë FSK me ndryshimin e ligjit, ajo do të jetë një ushtri moderne. Ky ndryshim është krejtësisht kushtetues”, ka shtuar ai./Insajderi

Artikulli paraprakTë varur nga përdorimi i telefonave të mençur dhe internetit
Artikulli vijuesPastrimi i listave të veteranëve, mision i vështirë