Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e ka dorëzuar padinë ndaj ish-bashkëpartiakut të tij Dardan Molliqaj, i cili ka thënë në Kuvend se Konjufca ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës.
Konjufca pas dorëzimin të padisë tha se e cilëson si shpifje akuzën që ia ka bërë Molliqaj në Kuvend, ndërsa pret që ish-sekretari organizativ i VV’së, tash deputet i PSD’së, të dënohet për shpifje.
“Një person i cili thotë gjithçka për të cilën nuk ka argument, ai në Kosovë dënohet për shpifje”, ka thënë shefi i GP të VV’së para Pallatit të Drejtësisë, transmeton Gazeta Express.
“Unë jam në gjendje me i sjell më shumë se njëmijë njerëz për me dëshmu se ka gënjyer, ndërsa Dardani nuk është në gjendje ta sjellë asnjë njeri në Gjykatë. Madje, as familja e tij nuk besoj se do të dëshmonte kundër meje”, ka thënë tutje Konjufca.
Molliqaj të shtunën gjatë seancës plenare në Kuvend, tha se Konjufca ka qenë pjesë e SHIK’ut dhe këtë ia kishte treguar vetë ai, dy javë para se deputeti i PSD’së, ta linte Vetëvendosjen./Express/