Google Now tashmë i disponueshëm edhe për iPhone dhe iPad

Google ka sjellë së fundmi teknologjinë Google Now edhe për iPhone, duke konkurruar drejtpërdrejt me Siri-n për përditësimet e fundit mbi motin, trafikun etj.

Google Now u lançua për Android vitin e kaluar. Duke filluar nga dita e hënë ai do të jetë i disponueshëm edhe për iPhone dhe iPad.

Asistentët personalë si Siri i Apple apo Google Now synojnë të shndërrohen në aplikacione themelore në smartfonë, duke i ndihmuar përdoruesit të marrin informacione të nevojshme në jetën e përditshme si dhe t’i ndihmojnë ata në menaxhimin e takimeve apo udhëtimeve.

Disa analistë, nga ana tjetër, mendojnë se Siri i Apple, i cili vjen i parainstaluar në iPhone dhe iPad, përbën një kërcënim në rritje për Google, për shkak se duke përdorur atë, përdoruesit reduktojnë vizitat e tyre në motorin më të madh të kërkimit të botë, Google.

Megjithatë, vetë Google e përshkruan aplikacionin Google Now si një evolucion që i është bërë kërkimit standard në shfletues, duke lehtësuar procedurën e kërkimit për përdoruesit, të cilët nuk kanë nevojë ta shkruajnë pyetjen e tyre.

Aplikacioni ofron informacione të dobishme duke filluar nga shërbimet online të Google, si Gmail-i apo Google Calandar, tek kërkimi në ueb e deri tek marrja e informacioneve gjatë ditës në formën e dritareve pop-up, të cilave Google iu referohet me emrin “cards.” Një nga përdorimet më interesante të Google Now janë sugjerimet në rastet kur përdoruesit duhet të nisen për në aeroport.

Aplikacioni jo vetëm që e kujton përdoruesin lidhur me udhëtimin, por i sugjeron njëkohësisht edhe se kur është koha më e mirë për t’u nisur për në aeroport duke marrë parasysh trafikun aktual. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakUniversiteti Sheffield ofron 55 bursa për studentët nga Kosova
Artikulli vijuesDiplomacia "off-line" e Kosovës