Të hënën në mëngjes drejt aeroportit të Shkupit do të nisen 118 nijetlinjë që në organizim të Bashkësisë Fetare Islame, Muftinia në Gostivar do të realizojnë njërin nga pesë kushtet e islamit, Haxhin, transmeton Radio Vala.
Mallzim Zendeli, referent në Muftininë e Gostivarit, njoftoi për Radio Vala se 111 nga ato janë haxhilerë, kurse pjesa tjetër prej shtatë anëtarëve përbën stafin teknik dhe profesional që do të shoqërojnë haxhilerët në rrugëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta të Arabisë Saudite.
“Nisja drejt aeroportit të Shkupit bëhet në ora 5 të mëngjesit, ditën e hënë. Lokacioni nga ku do të nisen nijetlinjtë është parkingu i Muftinisë që ndodhet përballë Qendrës për Kulturë në Gostivar”, tha për Radio Vala, Zendeli.
Krahas organizimit të Bashkësisë Fetare Islame, Muftinia në Gostivar e cila po merret me organizimin e udhëtimit përmes linjës ajrore, nga Gostivari drejt vendeve të shenjta u nisën edhe rreth 100 pelegrinë me linjën tokësore përmes organizimeve nga Agjenci të ndryshme turistike.
Mallzim Zendeli, referent në Muftininë e Gostivarit, njoftoi për Radio Vala se në organizim të Bashkësisë Fetare Islame në nivel republikan dhe përmes linjës ajrore, sivjet drejt Mekës dhe Medinës do të shkojnë për në Haxh 365 pelegrinë, duke shtuar se kryerja e haxhit tregon faktin se si besimtari i sinqertë i nënshtrohet urdhrit të Zotit duke braktisur pasurinë, punën dhe familjen e tij. Haxhi i jep njeriut durim dhe e aftëson t’i përballojë vështirësitë.
Haxhi është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit Islam. Haxhi është një obligim fetar për çdo mysliman që është në gjendje ta kryej atë të paktën një herë në jetë nëse arrijnë mundësitë materiale dhe shëndetësore.