Gratë e Srebrenicës kërkojnë drejtësi

Gratë e Srebrenicës, që në masakrën e 1995-s, humbën djemtë, bashkëshortet e nipat, e përcjellin me kërshëri procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit kryesor për masakrën, Ratko Mlladiq, ndonëse dyshojnë se ai do të marrë dënimin e merituar.
Fazila Efendiq fillimin e procesit gjyqësor të akuzuarit për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, Ratko Mlladiq, së bashku me gratë tjera të Srebrenicës, e përcolli nga Qendra Memoriale në Potoçar.
Paraqitja e Mlladiqit para Tribunalit, zonjës Efendiq ia kujton të gjitha tmerret e përjetuara në korrikun e vitit 1995. Ajo edhe më tutje e kërkon të birin.
“Pikëllim dhe dhembje. Çdo mëngjes e pyes veten, si është vrarë, ku e kanë vrarë, kush e ka vrarë. Katër vjet kërkoj nga varri në varr për t’ia mbledhur eshtrat”, shprehet zonja Efendiq.
Me hidhërim, ajo shton se çdo krimineli të luftës, ia dëshiron fatin e njëjtë me nënat e Srebrenicës.
“Atëherë mbase do ta kuptojnë se nuk duhet kryer krime dhe në të ardhmen nuk do të lejohet që të ndodhin ato, që iu ndodhën këtyre familjeve”, shton ajo.
Mlladiq ngarkohet me 11 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai mohon çdo keqbërje.
Mlladiqi akuzohet se ka udhëhequr masakrën e vitit 1995 ku tetë mijë burra dhe djem myslimanë janë vrarë në enklavën boshnjake të Srebrenicës, që konsiderohet si masakra më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mbi të, po ashtu, rëndon akuza e orkestrimit të rrethimit 44-mujor të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës, i cili shpërtheu në luftë.
Konflikti vlerësohet të ketë lënë rreth 100 mijë të vrarë dhe mbi 2.2 milionë të pastrehë.
Fazila Efendiq beson se gjykatësit në Tribunalin e Hagës do ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.
“Gjykatësit nuk i kanë emocionet e njëjta siç i kanë familjet. Ata do të gjykojnë ashtu si mendojnë, sigurisht në mënyrë profesionale. Emocionet e familjeve janë të ndryshme, familjet nuk dëshirojnë kurrë t’i shohin në liri (kriminelët)”, thotë Efendiq.
Për të gjitha ngjarjet në Srebrenicë, përgjegjës janë ata që sot gjenden në Hagë, thonë gratë e Srebrenicës, që në masakër kanë humbur bijtë, bashkëshortët e nipat.
Hanifa Gjogaz dyshon se Mlladiqi, i cili nga prokuroria akuzohet se ka udhëhequr spastrimin etnik të Bosnjës, do të marrë dënimin e merituar.
“Ai ka trajtim më të mirë në Tribunalin e Hagës, sesa që kemi ne në Republikën Serbe. Ai nuk mund të marrë dënimin e merituar. Do të duhej, që nënat e Srebrenicës ta gjykonin, ashtu si i ka gjykuar ai fëmijët tanë”, thotë Gjogaz.
Fillimin e gjykimit të Mlladiqit, i cili sipas prokurorisë, e ka udhëhequr fushatën për krijimin e Serbisë së Madhe, e përcjell edhe Shuhra Maliq. Ajo në Srebrenicë ka humbur tre djemtë.
“Sado që ta dënojnë, bijtë tanë nuk kthehen. Pritën 16 vjet për ta arrestuar. Turp për Serbinë, e cila na ka mbytur, më shumë sesa Bosnja”, thotë Maliq, duke shprehur dëshirën, që Mlladiq të sillej në Bjelinë, për t’u përballur me shikimin e nënave.
“Që ta shohë me sytë e tij, sepse ai nuk beson, që ka bërë diçka, meqë ashtu po sillet”, thotë zonja Maliq, për Mlladiqin, i cili në të vërtetë në ditën e parë të gjykimit, përballjes së shikimit të një gruaje nga Srebrenica, iu kërcënua, duke ngritur dorën përgjatë qafës, gjest ky që nënkupton “t’ia heqësh kokën dikujt”.
Ekspertët thonë se gjyqi ndaj Mlladiqit mund të zgjasë deri në tre vjet, Po, qe se dënohet, ai përballet me burgim të përjetshëm, që është edhe dënimi maksimal./rfe/kohaislame

Artikulli paraprakE dërguara e Hillary Clinton për komunitetin mysliman në Kosovë
Artikulli vijuesSHBA: Nuk ka përparime në luftën kundër duhanpirjes