Gratë më të afta në kryerjen e shumë detyrave në të njëjtën kohë?

Një studim i ri konfirmon edhe një herë atë që është pohuar nga ekspertë të ndryshëm, se gratë mund të bëjnë më shumë punë në të njëjtën kohë sesa meshkujt dhe madje edhe me strategji të veçanta dhe mjaft produktive.

Për të vërtetuar se ishte më shumë se një besim, që femrat mund të bëjnë më shumë punë në të njëjtën kohë dhe më mirë sesa burrat, shkencëtarët britanikë të Universitetit të Hertfordshire kanë kryer një studim te 120 burra dhe 120 gra, për të parë aftësitë e vërteta në këtë çështje të të dyja palëve. Rezultatet e publikuara në “Psikologji BMC” janë të qarta: aftësia e grave për të punuar shumë punë në të njëjtën kohë nuk është një mit, por një realitet (të paktën në disa raste). Dr.Keith Lau dhe kolegët e tij i “nënshtruan” pjesëmarrësit të bënin një seri testesh të kompjuterizuara për të vlerësuar se sa shpejt ata mund të lëviznin nga një aktivitet në tjetrin. Të dyja gjinitë shfaqën ngadalësim kur kishin për të kaluar nga një detyrë në tjetrën, por ata të cilët kanë vuajtur më shumë ishin meshkujt. Më konkretisht, shpejtësia e ekzekutimit është ngadalësuar 77% për burrat dhe 69% për gratë. Faza e dytë e studimit u zhvillua në jetën reale, ku pjesëmarrësit në mesin e shumë detyrave duhet të kërkonin për disa çelësa të humbur e të shpërndarë në një fushë, ndërkohë që duhet të gjenin edhe disa restorante në një hartë. Në këtë eksperiment grupet ishin të përbëra nga 47 meshkuj dhe më shumë femra. Rezultatet demonstruan se gratë, në rastin e kërkimeve të çelësave, zhvillonin dhe vendosnin në akt strategji reale të metodës kërkimore, madje edhe të vizatuara, të cilat janë gjykuar si shumë produktive. Nga ana tjetër, në disa raste, burrat nuk kanë kërkuar në të gjithë pjesët e fushës apo të lëndinës. Një tjetër ndryshim i gjetur nga Laus dhe kolegët e tij është se gratë në shumë raste kanë shpenzuar shumë më tepër kohë për të menduar para se të vepronin, ndërsa burrat kanë vepruar shpesh në mënyrë impulsive. Në përfundim të studimit, hulumtuesit besojnë se, në përgjithësi, gratë kanë një avantazh mbi burrat në aspektin e të bërit të shumë gjërave në të njëjtën kohë, të paktën në disa situata të caktuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë burrat nuk janë të aftë për të vepruar në të njëjtën mënyrë si gratë, por që gjithçka varet gjithmonë nga individi në individ, theksojnë studiuesit.

Gratë me shumë detyra në të njëjtën kohë

Gjithnjë e më tepër gratë e sotme e gjejnë veten duke bërë disa punë në të njëjtën kohë. Kjo lloj mënyre jetese është pjesë e një revolucioni që ka ndodhur në jetën sociale të femrës, e cila tashmë, veç familjes ka edhe punën, edhe impenjime të tjera, të cilat i hanë kohë dhe për këtë arsye, ajo përpiqet që të bëjë dy, ose më shumë gjëra në të njëjtën kohë. Kështu shpesh sheh shembuj të tillë, që ndërsa je duke gatuar me njërën dorë, me tjetrën mban fëmijën dhe ndërkohë njërin sy e ke te lap-topi dhe tek adresa e e-mail-it, ndërsa pret të të vijë një material me të cilin do të punosh në darkë për ta dorëzuar të nesërmen në mëngjes. Kjo është një situatë që vazhdon, sepse ndërsa përpiqesh që të vësh fëmijën në gjumë me njërën dorë me tjetrën përpiqesh që të shfletosh një libër, për të cilin do të të duhet të shkruash një artikull dhe ta dorëzosh në mëngjes. E ndërsa dëgjon pyetjet e fëmijës me njërin vesh, tjetrin do të të duhet ta përqendrosh në zhurmat që vijnë nga kuzhina. E imagjinoni tani që kësaj tabloje t’i shtohen edhe detyrat si bashkëshorte, pra, vëmendja që i duhet kushtuar burrit, përgatitja e ushqimit apo edhe gjëra të tjera, të cilat gjithashtu duhet t’i bësh, ndërsa je duke menduar ose edhe konkretisht duke bërë punë të tjera. Kryesisht, kultura perëndimore i ka ngritur këto 20 vitet e fundit një “himn” të vërtetë kësaj mënyre të të sjellit, që quhet “shumë detyra njëherësh”. Sipas një pjese të mirë të asaj që shkruhet apo edhe ndiqet në TV propagandohet se, nëse gratë duan të jenë me të vërtetë të suksesshme, duhet që të kenë aftësinë e të bërit të shumë punëve në të njëjtën kohë. Por duhet thënë se e vetmja gjë, që një grua fiton, si rezultat i një jete të tillë, është lodhja, stresi dhe frustrimi./GSH

* Përmbajtja është reflektim i hartuesve të këtij punimi dhe i publikuesit dhe nuk paraqet domosdo atë që redaksia kohaislame.com e di për të vërtetë.

Artikulli paraprakVajrat esenciale: Si t’i zgjedhim dhe si t’i përdorim?
Artikulli vijuesMigrena, 5 mënyra të thjeshta për të kaluar krizat