Gruja shqiptare e masakron burrin me sopatë!

Familja shqiptare tronditet sërish. Sërish krim në familje dhe sërish autor dhe viktimë janë bashkëshortët. Ngjarjet e rënda pasojnë njëra-tjetrën, ndërsa detajet e rastit më të fundit, që është shënuar pak pas mesnatës së të hënës, në një zonë të thellë të Dibrës, janë përtej edhe imagjinatës njerëzore, aq më tepër kur në rastin konkret, vrasjen e ka kryer një grua dhe jo një burrë, ashtu siç rëndom ndodh në vendin tonë.
Prindër të katër fëmijëve, dy vajzave dhe dy djemve, të parat të martuara ndërsa djemtë, njëri në Angli dhe tjetri në shkollë në Peshkopi, të mbetur vetëm në shtëpi, çifti Agime dhe Kadri Visha, prej kohësh kanë nisur konfliktet banale mes tyre. Thuhet se biseda ka qenë orientuar pas një tradhtie bashkëshortore, ndërsa Kadriu ishte edhe një person i njohur në zonë, në rreth dhe deri në qarqet e larta të Partisë Socialiste.

Për shkak të impaktit dhe të vlerave që mbart`te ky njeri, i ishte besuar nga ana e Bashkisë së Peshkopisë edhe drejtimi vendor i Kalasë së Dodës, ndërsa mëngjesin e djeshëm, është gjendur i masakruar në shtratin bashkëshortor. Një goditje sëpate në kokë ka qenë fatale për të, ndërsa gruaja e tij ka pranuar aktin dhe ka rrëfyer gjithçka me qetësi, rreth 8 orë pas kryerjes së krimit horror. Më pas ka harruar dhe ka vijuar ta kërkojë bashkëshortin e saj, ndërsa ende nuk bëhet me dije se në çfarë shkalle kishte avancuar sëmundja e gruas, bijë nga Kalis e Kukësit, e cila tashmë do të kalojë jetën në qeli, ndërsa fëmija i vogël i çiftit është vetëm 15 vjeç.

Ngjarja

Orëve të mëngjesit të djeshëm kanë qenë banorët e Cerenit, fshat i Kalasë së Dodës që kanë lajmëruar policinë se Kadri Visha ishte i pajetë në shtëpinë e tij. Brenda shtëpisë është gjetur Agimja, gruaja që prej shumë kohësh kurohej për depresion. Ajo e dinte se në dhomën e gjumit kishte lënë të pajetë babanë e katër fëmijëve, ndërsa ka thirrur njerëzit më të afërt për ta nisur për në spital. Referuar të dhënave që vijnë nga policia bëhet e ditur se ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth një orë pas mesnate, pavarësisht se pritet raporti mjeko-ligjor për të saktësuar orën e saktë të vrasjes. Të dhënat tregojnë se në fakt bëhet fjalë për një person krejtësisht të papërgjegjshëm, pasi jo vetëm që ndryshon dëshmi shpesh, por madje vijon të besojë se bashkëshorti i saj është ende gjallë.

Agime Visha, sipas rrëfimeve të saj, pavarësisht se ekspertët e hetimit ende nuk e kanë marrë si të mirëqenë deklaratën e saj, ka treguar se sëpatën e ka marrë në darkë dhe e ka fshehur poshtë krevatit nga ana e saj. Ka pritur deri sa e ka zënë gjumi Kadriun dhe më pas ka marrë mjetin dhe e ka qëlluar në kokë. Sipas informacioneve që vijnë nga Policia bëhet me dije se burri është goditur vetëm njëherë, ndërsa gruaja, që sipas të dhënave është 45 vjeçe ka qëndruar në shtëpi me të deri në mëngjes, rreth orës 07.00 kur iu ka thënë bashkëfshatarëve për ta nisur për në spital. Policia e ka arrestuar gruan, ndërkohë që, deri mbrëmë vonë, policia nuk ka mundur të marrë një deklaratë të plotë për të saj për versionin e ngjarjes, por policia bën me dije se gruaja vazhdimisht përsërit me vete, frazën që ka thënë në momentin e goditjes.

Policia

Gruaja është vënë në pranga dhe policia dhe ekspertët kanë tentuar me kot t`i marrin një dëshmi të qartë mbi shkakun e masakrimit të bashkëshortit të saj 50-vjeçar. Nga sa është përcaktuar deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme si shkak i ngjarjes së rëndë është pikërisht dyshimet e gruas se Kadriu kishte një femër tjetër në jetën e tij. Policia e ka të vështirë të marrë të mirëqenë rrëfimin e gruas ndërsa kanë qenë të afërm dhe miq të familjes Visha, të cilët kanë hedhur dritë mbi hallin e viktimës së djeshme, hall që thuajse të gjithë e dinin se gruaja ishte e sëmurë dhe mjekohej prej shumë kohësh.

Të dhënat e policisë së Peshkopisë tregojnë se gruaja, përgjatë gjithë kohës, ka qenë në gjendje tejet të rënduar psikike, ndërsa pritet që pas varrimit të 50-vjeçarit të merren në pyetje edhe katër fëmijët e çiftit, që ishin të larguar nga shtëpia. Policia bën me dije se në dëshmitë e mbledhura në zonën e Ceremit në Kalanë e Dodës është saktësuar fakti se Kadriu ishte një person i respektuar nga gjithë zona, ndërsa kujdesej prej shumë kohësh për gruan e tij të sëmurë.

Precedentët

Kur ende shuar frika që erdhi nga ai sulm me armë në Shijak, tjetër vrasje në familje, jo vetëm merr jetën e një kryefamiljari, por rrënon në themel edhe jetën e katër fëmijëve të tyre. Edhe pse zona së cilës i përkasin çifti Visha dhe tragjedia e tyre, është larg qendrave urbane, kambana e alarmit që vjen nga Kalaja e Dodës në fakt duhet të bie për të gjithë institucionet që nuk veprojnë ose veprojnë keq, në kurriz të të paaftëve për tu mbrojtur nga padrejtësitë.

Policia dhe asnjë komponent ditën e djeshme nuk mori përsipër të tregonte detaje në lidhje me sëmundjen e gruas, e cila tashmë gjendet pas hekurave, më shumë si një statistikë se sa një e sëmurë që vret këdo ka afër vetes. Policia mbrëmë tregoi për “Shekulli”-n se Agime Visha është e papërgjegjshme dhe ka ndryshuar disa herë versionin e ngjarjes.

Po ashtu, thuhet se në rrëfimet e saj, gruaja gjithnjë ka treguar emra grash me të cilat pretendonte se e tradhtonte bashkëshorti i saj, por ajo tashmë do të vuajë burgun për gjithë pjesën tjetër të jetës për krimin e kryer ndaj bashkëshortit të saj, ndërsa fëmijët do të vuajnë përjetësisht mungesën e prindërve.

Artikulli paraprakÇeçeni që vrau shqiptarin do të paraqitet në gjykatë, këto janë detajet e vrasjes
Artikulli vijuesSa jemi të korruptuar?