Shqiptarët gjatë 2017-tës hargjuan më shumë para në lojërat e kumarit

Endrrat për t’u bërë të pasur brenda ditës sa vjen e bëhet më e fortë tek shqiptarët, që vitin e kaluar kanë shtuar paratë në lloto dhe kazino. Në fakt, sa më shumë para hidhen në kumar, aq më të fuqishëm bëhen pronarët e kompanive të kumarit, që për vitin që kaloi shtuan fitimet me 15%.

Në vitin 2016, shpenzimet zyrtare për kazino, loto, bingo, baste, lotari ishin 15.2 miliardë lekë, ose gati 140 milionë dollarë, sipas të dhënave që jep “Monitor”.

Tashmë aksioni “Fundi i Marrëzisë” apo përpjekjet për t’i nxjerrë kazinotë jashtë zonave urbane mund të konsiderohet një mision i pamundur.

Për shkak të lobingjeve të forta, afatet shtyhen vazhdimisht dhe projektiligji nuk kalon dot në parlament.
Pak muaj më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se 375 milionë euro është shifra e të ardhurave të munguara që nuk janë mbledhur raporton Monitor.

Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj.

Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 92 milionë dollarë.
Kazinoja elektronike më e madhe në vend është APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a, TOP START.
Më pas janë shpenzimet për baste sportive me rreth 30 milionë dollarë, teksa në 2016-n ishte edhe Kampionati Europian.

Regency Kazino ka rritur të ardhurat me rreth 40% në 1.4 miliardë lekë. Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5-6 milionë dollarë.

Por, më shumë sesa individëve, që kërkojnë të bëjnë goditjen e jetës, fati u buzëqesh kompanive, që marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend.

APEX renditet në 10 kompanitë më të mëdha në vend për sa u përket fitimeve (1.3 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 51%.
VLT Albania raportoi 450 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 42%. Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 31%.

Astra Albania raportoi fitime prej 557 milionë lekësh, me një normë prej 27%. Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 353 milionë lekë.

Artikulli paraprakShtatë orë gjueti në det, në kërkim të drogës
Artikulli vijuesSi u kthye Shqipëria në një shtet të prodhimit të kanabisit