“Grupi i Llapit” rigjykohet në korrik

0
156

Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazim Mehmeti do të gjykohen për të tretën herë për krime lufte kundër popullatës civile që dyshohet se i kanë kryer 14 vjet më parë.

Tre ish-luftëtarët e Zonës Operative të Llapit do të gjykohen në tri seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë muajin e ardhshëm për një pikë të aktakuzës që ka të bëjë me rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë në një kamp të UÇK-së në Llapashticë të Podujevës.

Caktimin e datës 10 korrik për nisje të rigjykimit e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi dhe njëri prej të akuzuarve, Latif Gashi. Në korrik Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka caktuar tri data për rigjykim. Përveç 10 korrikut, ka vendosur që edhe më 12 dhe 17 korrik të ketë seancë.

Rigjykimin e tyre e kishte urdhëruar Gjykata Supreme e Kosovës më 26 janar të 2011-s kur kishte shqyrtuar ankesat e palës mbrojtëse. Një kolegj gjyqësor prej pesë gjyqtarësh pati aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës lidhur me dy pika të aktakuzës që Rrustem Mustafën, Latif Gashin dhe Nazif Mehmetin i bënte fajtor për krime lufte, ndërsa një pikë që ka të bëjë me torturimin e civilëve në një kamp të UÇK-së në Llapashticë e pati kthyer për rigjykim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Pika tetë e aktakuzës që pritet t’i nënshtrohet edhe një gjykimi akuzon tre ish-ushtarët e UÇK-së Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa se prej muajit tetor të vitit 1998 deri nga fundi i muajit prill i vitit 1999, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që të detyrojnë të paraburgosurit të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.

Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Supremja kishte anuluar dënimin e “Grupit të Llapit”. Latif Gashi ishte dënuar nga shkalla e parë me gjashtë vjet burgim, Rrustem Mustafa me katër dhe Nazif Mehmeti me tre vjet.

Latif Gashi që është deputet në Kuvendin e Kosovës i Partisë Demokratike ende nuk ka marrë ftesë me shkrim për këtë gjykim. Në një prononcim për “Kohën Ditore” Gashi ka thënë se “si gjithmonë edhe tash do të jetë në shërbim të drejtësisë”, pavarësisht vendimeve që sipas tij nuk kanë qenë të drejta.

“Konsiderojmë se gjithherë janë nxjerrë vendime politike dhe pavarësisht prej asaj për neve më e rëndësishme ka qenë me qenë në shërbim të drejtësisë për interes të Kosovës e jo interes personal”, ka thënë ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Kosovës. Gashi ka thënë se Gjykata Supreme dy vjet më parë “ka bërë gabim të rëndë kur e ka vërtetuar dëshminë e Milovan Stankoviqit”, i cili sipas Gashit nuk është keqtrajtuar asnjëherë, edhe pse ishte arrestuar i armatosur. Gashi ka thënë se të njëjtën dëshmi Supremja në vitin 2005 e kishte konsideruar të pavërtetë, derisa në vitin 2009 të vërtetë.

“Vetë lirimi i z. Milovan Stankoviq nga UÇK-ja dhe dorëzimi i tij shëndosh e mirë dëshmon se UÇK-ja i ka respektuar me përpikëri konventat ndërkombëtare pavarësisht se ai është kapur i armatosur në zonë të luftës”, ka thënë ai. “Po të gjykohej nga një gjykatë ndërkombëtare qoftë në Hagë apo diku tjetër do të kishte marrë një vendim shumë më të drejtë, por konsiderojmë se ka marrë një vendim politik”. Si shkelje ai e ka cilësuar edhe kompensimin prej 5 mijë eurosh për Milovan Stankoviqin që duhet ta paguante Gashi e jo që këtë ta vendoste gjykata në një kontest civil.

“Z. Stankoviq thotë se ka qenë i ndaluar në qendrën e ndalimit dhe ne i kemi pasur në zonën tonë diku 24 civilë të vrarë, të karbonizuar edhe ai thotë se në atë kohë kam qenë i ndaluar dhe i rrahur dhe më kanë liruar. Sot është shnosh e mirë, jeton dhe vjen në gjykatë si topi i shnosh dhe thotë kinse më kanë rreh”, ka thënë Gashi. Ai ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Në tetor të vitit 2009 deputeti Latif Gashi, nënkryetari i PDK-së, dhe ish-deputeti, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti qenë shpallur fajtorë për tri pika të aktakuzës. Dy prej tyre Supremja i ka vërtetuar në tërësi përveç anulimit të dënimit unik. Këtë ia ka lënë shkallës së parë që pas gjykimit edhe të pikës së tetë që do të nisë më 10 korrik ta shqiptojë dënimin unik me burgim.

Pika 5 e aktakuzës që është vërtetuar nga Gjykata Supreme thotë se “nga tetori i vitit 1998 deri në fund të prillit 1999, Latif Gashi, Nazim Mehmeti dhe Rrustem Mustafa në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës të paraburgosur në qendrën e paraburgimit që ndodhej në Llapashticë, duke i mbajtur në kushte çnjerëzore, duke i privuar nga kushtet adekuate higjienike, ushqimi dhe uji dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor”. “Trajtimi çnjerëzor i civilëve të paraburgosur ka shkaktuar vuajtje të pamasë apo ishte shkelje e integritetit trupor dhe shëndetit të atyre personave të paraburgosur dhe përbente zbatimin e masave të frikësimit dhe terrorit”, thuhet në këtë pikë.

Pika 14 e aktakuzës e cila po ashtu është vërtetuar thotë se “nga 2 gushti i viti 1998 deri në fund të shtatorit 1999 Latif Gashi ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e Milovan Stankoviqit, një rojtar pylli, serb, i cili ka qenë i paraburgosur në qendrat e paraburgimit që ndodheshin në Bare, Bajgorë në tentim që ta detyrojë ta pranojë se ka kryer akte kundër UÇK-së ose që të japë informata të inteligjencës dhe si rrjedhojë mban përgjegjësi personale për krime lufte të trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së pamasë dhe shkeljes së integritetit trupor ose shëndetit, zbatimit të masave të frikësimit dhe terrorit dhe torturës”. “I akuzuari urdhërohet t’i kompensojë palës së dëmtuar dëmet e shkaktuara në shumën prej 5 mijë eurosh”.

Ky rigjykim do të jetë i treti. Gjykimi i parë ishte mbajtur në vitin 2003 nga UNMIK-u. Nga kjo gjykatë Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant Zonës Operative të Llapit të UÇK-së ishte dënuar me 17 vjet burgim, Nazif Mehmeti-Drini, komandant i policisë ushtarake në këtë zonë me 13 vjet, Latif Gashi-Lata, komandant i sektorit informativ të UÇK-së në Zonën e Llapit me 10 vjet dhe Naim Kadriu-Lumi, p
jesëtar i policisë me 5 vjet burgim, i cili ka vdekur në një aksident komunikacioni. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005, e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Legjenda: Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazim Mehmeti do të gjykohen për të tretën herë për krime lufte kundër popullatës civile që dyshohet se i kanë kryer 14 vjet më parë./koha/kohaislame