Grushti i shtetit në Turqi, analizë fetare nga shejkh Mesh’hur Hasen. Pjesa e parë.

Kanë ardhur pyetje të shumta në periudhën e kaluar, nga brenda shtetit tonë të Jordanisë së ruajtur, dhe nga jashtë saj, që duan të dinë qëndrimin tim sipas sheriatit, rreth ngjarjeve që zunë vend në Turqi, dmth grusht-shtetit që ndodhi.

Në të vërtetë ne nuk kemi ndonjë gjë të re. Sepse kjo është një derë e mbyllur, të cilën e ka mbyllur sheriati. Kështu Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që çdo çështje ta kthejmë tek Ai dhe tek Lajmëtari i Tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem – duke thënë: “Nëse nuk bini dakord për një çështje, atëhere kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari” (Nisa: 59).

Fjala ‘çështje’ është e pashquar dhe vjen në kontekstin e kushtit, prandaj ajo është gjithëpërfshirëse. Prandaj çfarëdo gjëje qoftë ajo, e vogël apo e madhe, e qartë apo e hollë (jo shumë e qartë), është detyrë që të kthehet tek Libri i Allahut dhe praktika profetike. “Për çfarëdo lloj çështjeje të kundërshtoheni, gjykimi i saj është tek Allahu, Ai është Allahu Zoti im, tek Ai jam mbështetur dhe tek Ai kthehem gjithmonë i penduar” (Shura: 10)

Dhe në këto çështje është detyrë drejtësia. Siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “dhe jam urdhëruar të mbaj drejtësi mes jush, Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj, ne kemi veprat tona dhe ju keni veprat tuaja, nuk ka argument mes nesh dhe jush, Allahu do të na mbledhë të gjihëve, dhe tek Ai është kthimi” (Shura: 15)

Sheriati e ka mbyllur derën e ngritjes kundër qeveritarëve dhe e ka ndaluar atë. Ndalimi i saj ka ardhur në hadithe të shumta të njohura, dhe ky është edhe qëndrimi i ‘Ehli sunetit dhe xhematit’.

E kanë përmendur atë në kohët e shkuara dhe moderne, dijetarët e ‘Ehli sunetit’ dhe imamllarët e tyre, duke filluar që nga imam Ahmedi, dhe dy dijetarët e Razit (‘Rajj’ qytet afër Teheranit, Iran) Ebu Hatim dhe Ebu Zur’ah, mendim të cilin e përcjell prej tyre si unanim (ixhma’) Imam Lalekai (vdekur më 418 h.) në librin e tij: “Shpjegimi i bazave të besimit të pasuesve të sunetit dhe të bashkuarve” (Sherh Usul i’tikad ehlis sunneti uel xhemaah). Dhe e ka përmendur këtë gjithashtu edhe imam Ahmedi në librin e tij: “Bazat e sunetit” (i botuar nga qendra “Udha e Besimtarëve”).

Lajmëtari i Zotit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e ka prerë këtë çështje. Kështu kur ai paralajmëroi se do të ketë prijësa ‘etherah’, dmth: që u japin përparësi në pushtet (administratë) të afërmve të tyre dhe të njohurve të tyre kundrejt njerëzve të tjerë. Kur u pyet Lajmëtari i Allahut: ‘Çfarë të bëjmë’, përgjigja e tij ishte: “Kërkojeni prej Allahut të drejtën tuaj dhe zbatoni detyrimin që keni ndaj Allahut (kundrejt qeveritarëve)” (Atë që ju ka bërë detyrë Allahu kundrejt qeveritarëve: të dëgjoni dhe të bindeni).

Gjithashtu kur përmendi një herë tjetër qeveritarët ‘etherah’, tha: “Duroni derisa të më takoni tek ‘Haudi’ (burimi i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – Ditën e Gjykimit)”. E gjithashtu saktësohet se Lajmëtari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Prandaj ai që ja jep besën një pushtetari, ia jep atij dorën dhe brendinë e zemrës, nëse vjen dikush tjetër që e kundërshton atë (qeveritarin që i është dhënë besa) mëshojini qafës së atij tjetrit” apo tha: “mëshojini qafës atij të dytit”.

Prandaj njerëzit e dijes thonë – dhe ky është edhe mendimi i ‘ehli sunetit dhe xhematit’: “Një prijës i padrejtë është më i mirë se një trazirë e vazhdueshme”.

Prandaj është detyrë fetare për ne që tu bindemi qeveritarëve, dhe nuk u bindemi atyre duke lakmuar të mirat që mund të vijnë prej tyre si: përfitime, poste, ngritje në pushtet. Dhe as nuk u bindemi atyre për shkak se i kanë sytë të bukur, e as për t’i ndihmuar në realizimin e planeve të tyre, apo për shkak të personalitetit të tyre (kushdo që të jetë prijës duhet bindje ndaj tij), por u bindemi atyre në mënyrë që të mbetet e paprekur pozita e shtetit dhe ai të ketë vend në zemrat e njerëzve, dhe që njerëzit të mbeten të bashkuar, dhe që shoqëria të mbetet solide dhe e sigurtë, dhe që të përmbushet e mira e përgjithshme e përbashkët, të cilës sheriati i jep përparësi ndaj së mirës personale.

Ky është gjykim fetar dhe nuk ndryshon kurrë edhe nëse ndryshojnë vendet dhe kohët, siç është e ditur.

Prandaj qëndrimi i ‘ehli sunetit dhe xhematit’ rreth asaj që ndodhi në Turqi – sipas asaj që unë kuptoj – është i njëjti qëndrim që ata kanë rreth (të ashtuquajturës) “Pranvera arabe”. Nuk ka dallim mes të pretenduarës “Pranverë arabe” dhe asaj që ndodhi në Turqi. Grushti i shtetit që ndodhi atje është punë e keqe dhe nuk lejohet. Sidomos kur drejtësia kërkon ta themi se kjo qeveri me moshë të re, ka filluar tu japë liri muslimanëve, dhe ka filluar të shfaqet një fuqizim – qoftë edhe i paktë – në lidhje me ngritjen e simboleve të fesë (zbatimit të Islamit), dhe ka filluar një ndryshim i pamjes së jashtme të Turqisë në raport me ata që ishin (në pushtet) para tyre.

Lus Allahun e Madhëruar që tua përmirësojë gjendjen muslimanëve në çdo vend.

I themi këto edhe pse ne i kundërshtojmë disa qëndrime të tyre, qëndrime të vërteta të dokumentuara siç thonë: ‘me zë dhe figurë’, dhe nuk ecim me hamendësime. E megjithatë, me gjithë këto qëndrime të Turqisë me të cilat nuk biem dakord, si puna e rivendosjes së lidhjeve me çifutët që e dëgjuam së fundmi, dhe animin drejt ligjërimit të martesës mes personave me të njëjtën gjini, dhe qëndrime të tjera të shumta të dokumentuara, por me gjithë këto ne themi: gjykimi i grusht-shtetit mbetet i njëjtë me gjykimin e ngritjes kundër qeveritarëve në të ashtuquajturën “pranvera arabe”.

Ajo që të habit prej aktivistëve (partive politike ‘islame’), dhe habia që s’ka të sosur me aktivistët e islamit është kundërthënia në të cilën ata kanë rënë. Qëndrimi i tyre kundrejt “Pranverës arabe” është ndryshe dhe qëndrimi i tyre kundrejt grushtit të shtetit në Turqi është ndryshe. Dhe kjo është kundërthënie e qartë. Në origjinë gjykimi duhet të jetë i njëjtë dhe nuk duhet të ndryshojnë gjykimet (për çështje të njëjta). Normalisht gjykimet duhet të burojnë prej bazave (të qëndrueshme që nuk pësojnë ndryshime). Dhe ky është një nga rregullat bazë të ‘ehli sunetit dhe xhematit’.

Prandaj Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nuk lavdëroi kryengritjen, as ndarjen e as përçarjen; por ajo që lavdëroi në lidhje me Husejnin – radijallahu teala anhu – ishte kthimi i tij (te bashkimi) dhe jo dalja e tij kundër qeveritarëve (bashkimin që ai i bëri bashkësisë islame duke ia dorëzuar pushtetin Muauijes – radijallahu anhu).

Nuk mundet të ketë kryengritje ndaj qeverisë veçse prishja dhe shkatërrimi që burojnë prej kësaj do të jetë katastrofale! Këto të dyja nuk ndahen kurrë (shkojnë gjithëmonë bashkë, kryengritja sjell shkatërrim total të vendit, pashmangshmërisht)! Për këtë arsye ka ardhur ajo fjalë e ehli sunetit dhe unanimiteti i tyre.

Sa u ndëshkua dhe u torturua Imam Ahmedi nga ana e Me’munit në fitnen e krijimit të Kuranit, dhe kjo është një çështje që prek besimin! Dhe ata që kishte rreth vetes e nxisnin që të ngrihej kundër pushtetarit, e megjithatë ai – Allahu e mëshiroftë – u thoshte (duke i këshilluar) : “Kur pushtetari e ngre lartë shpatën e tij ajo nuk ulet më”. Kur ngrihet lartë shpata e qeveritarit ajo zor se ulet. Prandaj është budallallëk, marrëzi dhe gjynah të ngrihesh kundër pushtetarit dhe t’i nxisim pushtetarët kundër nesh.

Dhe është detyrë për ne që tu bindemi atyre në gjërat e lejuara dhe të mira, dhe të mos i kundërshtojmë urdhërat e Allahut të Lartmadhëruar.

Gjithashtu i habitshëm është edhe një qëndrim tjetër, që është: lavdërimi i kryengritjes në Turqi. Kjo është vërtetë një çështje e çuditshme. Disa prej atyre që i atribuohen rrugës së ‘ehli sunetit dhe xhematit’ me kuptimin e saj të veçantë, dmth: disa nga ata që i atribuohen thirrjes selefije, e bekuan këtë kryengritje! Dhe kjo gjithashtu është dalje prej një rregulli bazë të njohur tek ‘elhi suneti’. Dhe kjo të kujton fjalën e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Me të vërtetë njeriu mund të thotë një fjalë të cilën nuk e shikon për të madhe dhe me të zhytet në Zjarr 70 vjeshta.” Prandaj kjo është padrejtësi, por edhe kjo tjetra është padrejtësi. Të dy këta veprime janë kundërshtim ndaj Allahut të Lartësuar.

Dhe meqë jemi këtu, ka ndodhur një kryengritje ndaj një prijësi që nuk gjykonte me ligjin e Allahut të Lartësuar, por që anonte kah muslimanët dhe ishte i drejtë, dhe i mirëpriti muslimanët kur ata mundoheshin dhe torturoheshin ashpër në Mekke. Ky ishte Nexhashij. Ndodhi një kryengritje ndaj tij në kohën kur muslimanët gjendeshin atje.

Kështu, Ibn Hishami përmend në ‘Jetpërshkrimin Profetik’ – sigurisht të huazuar prej Ibn Is’hakut – dhe e përmend edhe Ibn Asakiri me zinxhirin e tij, dhe kjo ngjarje gjendet edhe tek libri “Jetpërshkrimi profetik i saktë” i shejkhut tonë imam Albanit, pasi përmendi arritjen e muslimanëve në Abisini (Etiopi). Unë do tju përcjell qëndrimin e shokëve të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ndaj kryengritjes dhe grushtit të shtetit që ndodhi kundër Nexhashiut kur ata ishin atje. Thotë (njëri prej tyre) pasi përmend disa fjalë: “Dhe kështu bujtëm tek fqinji më i mirë në vendin më të mirë.” Dmth tek Nexhashiu në Etiopi. “Dhe pas pak kohësh u ngrit kundër tij një burrë abisinas që donte t’i rrëmbente pushtetin” Dmth doli kundër Nexhashiut një burrë po nga Abisinia që donte t’i merrte fronin.

Dëgjo çfarë thotë sahabiu: “Pasha Allahun nuk na ke parë të trishtoheshim ndonjëherë më shumë se atëbotë, nga frika se mos ai mbret (kryengritësi) do të merrte pushtetin mbi ne”, u mërzitën shumë se mos ai e rrëzonte Nexhashiun, “dhe të vijë një mbret që nuk na jep të drejta ashtu siç na jep Nexhashiu”. Kjo është ajo që kemi frikë. Dhe nga këto punë s’kemi parë të mira. “Kështu filluam t’i lutemi Allahut dhe t’i kërkojmë ta ndihmojë Nexhashiun”. Preokupimi i tyre ishte duaja dhe kërkimi i ndihmës prej Allahut.

vazhdon …

Artikulli paraprakShteti Turk edhe kur është në ditët më të vështira nuk e harron Kosovën
Artikulli vijuesAnalizë / Media ndërkombëtare e pakënaqur nga heroizmi i popullit turk