HAFËZ ALI KORÇA KLERIK, MËSUES DHE VEPRIMTAR I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE.

Nga Apostol Bitraku

…një grumbulli njerëzish, shumica të rinj, … kishin marrë në 
krahë dhe e ngrinin lart një njeri me veshjen e klerikut islam duke 
thirrur : – Rroftë shqipja, rrofshin shkronjat tona !
Po cili ishte ky klerik rreth të cilit ishin mbledhur kaq shumë 
njerëz?

Nga APOSTOL BITRAKU

Ishte 14 shkurt i vitit 1910. Ditë e hënë para dreke. 
Mbi 10 mijë burra e mbi 150 kalorës, jo vetëm nga Korca po edhe nga 
krahinat për rreth, u ngjitën në kodrën e Shën Ilisë të qytetit tonë 
për të marrë pjesë në mitingun që u organizua aty për të mbrojtur 
shkronjat shqipe.(shih foton) Ishte dicka i vecantë ky miting, jo 
vetëm nga numëri i madh i pjesëmarrësve, po edhe nga qëllimi i tij. 
Populli nuk donte shkronja të huaja arabe e turke, as greke, po donte 
shkronjat e tij, alfabetin e tij, donte shkronjat shqipe. Për këto 
shkronja ishte luftuar shume në shekuj, ishte derdhur edhe gjak. E 
tani kishte ardhur momenti që edhe një herë populli të ngrinte zërin 
dhe të kërkonte të drejtën e tij. Tek të gjithë kishte vendosmëri, 
kishte entuziazëm dhe dëgjoheshin thirrjet:
– Duam shkronjat tona ! Duam shkronjat tona !
E aty midis një grumbulli njerëzish, shumica të rinj, ky 
entuziazëm binte në sy nga larg. Ata kishin marrë në krahë dhe e 
ngrinin lart një njeri të veshur me veladonin e klerikut islam duke 
thirrur : – Rroftë shqipja, rrofshin shkronjat tona !
Po cili ishte ky klerik rreth të cilit ishin mbledhur kaq 
shumë njerëz? Ai ishte i mirënjohuri Hafëz Ali Korca, patrioti, 
atdhetari, intelektuali dhe mbrojtësi i flaktë i abecesë shqipe. Në 
miting, vec të tjerëve, foli me flalë të zjarrta edhe ai. 
Të moshuarit e mbajnë mënd mirë Hafëz Ali Korcën , jo vetëm 
për veprimtarinë e tij fetare, po më tepër për atë patriotike. Ai 
lindi në Korcë 135 vjet më parë më 5 prill 1873. Rridhte nga një 
familje intelektualësh. I jati i tij, Iliaz Efendiu, ishte njeri i 
njohur në qytet, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Në qytetin 
e lindjes Hafëzi mbaroi idadien dhe studimet e larta i kreu në 
Stamboll. Aty në kryeqytetin e perandorisë turke ai ju shtrua punës 
dhe studionte me zell e pasion të vecantë. Ishte i prirur 
vecanërisht për gjuhët e huaja. Dhe perfeksionoi turqishten që e 
kishte mësuar që në Korcë si dhe arabishten, persishten e 
frëngjishten. Gjithashtu, aty në Stamboll ra në kontakt e u njoh me 
veprat e klasikëve arabë, persianë e turq. Këto vepra i hapën 
horizont dhe e paisën me njohuri të gjëra. Hafëz Ali Korca,duke qënë 
ende student,u pais me një kulturë të mjaftë për kohën. Po vec kësaj, 
aty në Stamboll, ra në kontakt edhe me patriotët e njohur e 
rilindasit që punonin për zgjimin e ndjenjës kombëtare të popullit 
tonë. Në sajë të kësaj njohjeje edhe ai u bë një aktivist i dalluar. 
Pasi mbaroi studimet u kthye në atdhe dhe e vazhdoi me këmbëngulje e 
pasion veprimtarinë e nisur në favor të cështjes kombëtare. Ishte 
koha kur në kolonitë shqiptare po ngriheshin shoqëritë patriotike, 
synimi kryesor i të cilave ishte fillimisht lufta për shkollën shqipe 
si një element e kusht i rëndësishëm për zgjimin e ndërgjegjes 
kombëtare. Po sa më tepër rriteshin këto përpjekje nga rilindasit 
tanë të shquar, aq më tepër intensifikohej e ashpërsohej lufta e 
pushtuesit të huaj ndaj cdo lëvizjeje patriotike. Pas shumë 
ndërhyrjeve e ngatërresave, pas shumë kërcënimeve e shpifjeve, 
qeveritarët turq arritën të mbyllin shkollën shqipe të Korcës dhe 
mësuesin e saj të shquar Nuci Naci, bashkë me disa patriotë të tjerë 
i plasën në burgun e Manastirit. Korca në atë kohë ishte bërë një 
qendër e dëgjuar patriotike. Shkolla e parë shqipe që ishte celur 
aty, pati ndikim e influencë të madhe në shtresat e popullit e 
kultivoi tek ata ndjenjën e luftës për clirim nga pushtuesit e huaj. 
Jo më kot një gazetë proqeveritare e Stambollit e asaj kohe shkruante 
se të gjithë e dinë që Korca është cerdhe e ” llatinxhinjve” dhe se 
ata, korcarët, duan të ngjallin vetëqeverimin e tyre.
Në këtë kohë, në kushtet e këtij reaksioni të thellë, edhe 
Hafëzi që kishte rënë në sy për veprimtarinë patriotike, u internua 
larg Korcës së bashku me të tjerë si Orhan Pojani e Thimi Marko. Jo 
vetëm kaq po edhe ndaj familjeve të tyre filluan ndjekjet dhe 
persekutimet e ndryshme. Pas shpalljes së hyrrietit dhe vendosjes së 
kushtetutës në Turqi, Hafëz Aliu u kthye në Korcë. Si të gjithë edhe 
ai shpalljen e lirisë dhe premtimet e bëra nga turqit e rinj, i priti 
me entuziazëm. Bile në mitingun që u organizua me këtë rast në 
Korcë, më 10 korrik 1908, vec të tjerëve foli edhe Hafëz Ali Korca. 
Emri dhe personaliteti i tij tani ishin bërë të njohur tek të gjithë.
Megjithëse në Korcë me shpalljen e lirisë pati disa 
përfitime e u celën disa gazeta, me kalimin e kohës xhon turqit po i 
shkelnin premtimet e dhëna dhe përsëri filluan politikën e shtypjes 
dhe të shfrytëzimit. Kjo ishte dhe arsyeja që patriotët shqiptarë e 
intensifikuan më tepër punën e i shtuan përpjekjet e tyre për 
shkollën shqipe e për clirimin kombëtar. Hafëz Ali Korcën e shohim në 
këtë kohë që të bashkëpunojë ngushtë me patriotët e tjerë dhe të 
jetë në krye të të gjitha lëvizjeve e nismavë në favor të cështjes 
kombëtare. Kështu,
kur klubi i Korcës filloi të mblidhte ndihma për hapjen e shkollave 
fillore shqipe dhe për shkollën normale të Elbasanit që sapo ishte 
celur, ai luajti një rol tepër të rëndësishëm dhe me personalitetin 
që kishte krijuar dha një ndihmë të madhe në mbarëvajtjen e këtij 
aksioni duke qënë kashilltar i klubit ” Përparimi.” Ai mbante lidhje 
gjithashtu edhe me Sotir Pecin që ishte mësues në shkollën normale 
të Elbasanit dhe përgatitëte edhe tekste shkollore për nevojat e 
kasaj shkolle. Pas kësaj, Hafëz Ali Korcën e propozuan deputet për 
në parlamentin turk. Sic dihet , pasi u zgjodh deputet, ai ia delegoi 
këtë detyrë personalitetit të njohur të gazetarisë shqiptare Shahin 
Kolonjës.
Edhe më vonë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme kombëtare 
e shohim Hafëz Ali Korcën pjesëmarrës aktiv në to. Në kongresin e 
Dibrës që u mbajt në korrik të vitit 1909 ai luajti një rol të 
rëndësishëm. Duke folur aty ai theksoi rëndësinë e mësimit dhe të 
emancipimit të popujve. Në përmbajtje fjala e tij konsistonte në 
faktin se kombet e tjera të Ballkanit, fqinje me ne, kanë arritur 
përparime në shkolla dhe në arsim, kurse ne , për fat të keq, kemi 
mbetur prapa. Në Shqipëri mesohen gjuhë të tjera të huaja, pse mos 
mësohet edhe gjuha shqipe? Ai kishte mendimin se në cdo fshat të 
vendit tonë duhet të celen shkolla fillore dhe të gjithë duhet të 
mësojnë shkrim e këndim se pa arsim, pa shkollë, një popull nuk mund 
të clirohet dhe nuk mund të shkojë përpara. 
Ai kishte njohuri të gjëra për shkollën dhe arsimin, 
ishte erudit i vërtetë e dha shumë mendime me vlerë në këtë drejtim. 
Ai kërkonte zhvillimin e arsimit laik, krahas atij fetar dhe hapjen e 
një shkolle të mesme pedagogjike që të përgatiste mësues për 
shkollat fillore si dhe hapjen e shkollave profesionale. Këto shkolla 
do të përgatisnin njerëz në profesione të ndryshme dhe kështu vendi 
do të zhvillohej e do të përparonte. Nisur nga këto mendime ai 
përshëndeti me entuziazëm Kongresin e Manastirit, ose Kongresin e 
abecesë, sic u quajt ndryshe dhe e vlerësoi atë jo vetëm për anën 
gjuhësore e kulturore, po edhe për atë politike. Ai mbronte me zjarr 
alfabetin e Kongresit të Manastirit dhe si patriot i vërtetë dhe si 
njeri që i dëgjohej fjala, bënte propogandë dhe i këshillonte 
nxënësit që të largoheshin nga idadija turke dhe të vazhdonin 
shkollat shqipe. 
Emri i Hafëz Ali Korcës si patriot dhe veprimtar i 
cështjes kombëtare, sidomos për përkrahjen që tregonte vecanërisht 
për arsimin sa vinte e afirmohej më tepër dhe bëhej më i dëgjuar. Një 
nga personalitetet e njohura të asaj kohe, Hilë Mosi, e vlerësonte 
lart figurën e tij dhe shkruante për të në vitin 1911: “Zotëri e tij 
rrjedh nga një familje e ndershme dhe më e vjetra në Korcë”dhe më 
poshtë vazhdonte se ai ishte nga më të mirët patriotë po e luftuan 
shumë dhe e hoqën edhe nga mësimi që jepte në idadije. Kështu që 
armiqtë në Korcë i ndoqën e i luftuan shqiptarët e ndershëm.
Megjithëkëtë, Hafëz Ali Korca edhe më vonë nuk e 
ndërpreu veprimtarinë e tij në favor të cështjes kombëtare. Ai ishte 
njeri i mësuar dhe intelektual i dorës së parë. Deri në vitin 1916 
qëndronte në krye të lëvizjes kombëtare dhe të përpjekjeve që po 
bëheshin për konsolidimin dhe përparimin e shtetit shqiptar. 
Ndihmesa e tij ishte e dukëshme, sidomos në lëmin e arsimit. Duke 
parë aftësitë dhe përpjekjet që kishte bërë ai në shërbim të vendit e 
emëruan drejtor të arsimit për një zonë mjaft të gjërë që përfshinte 
Tiranën, Elbasanin, Durrësin dhe Dibrën. Ky institucion i ngritur në 
atë kohë bëri një punë të madhe për ngritjen e shkollave dhe 
mbarëvajtjen e tyre si për ato laike ashtu dhe për shkollat fetare si 
pjesë përbërëse e arsimit tonë. Vetë Hafëz Ali Korca punoi 
intensivisht duke dhënë mendime me vlerë e duke përgatitur programe 
për shkollat e porsangritura dhe duke ndihmuar mësuesit për rritjen 
e nivelit të mësimdhënies, për forcimin e marrëdhënieve midis 
shkollës e familjes e tj. Në këtë institucion bënin pjesë edhe 
personalitete të shquara e patriotë të dëgjuar të asaj kohe si 
Aleksandër Xhuvani, Sali Ceka, Dervish Hima e tj.
Po këtë vit Hafëz Ali Korca emërohet kryemyfti dhe në 
të njëjtën kohë anëtar i Këshillit të naltë të Sheriatit në Shkodër . 
Njëherazi ai ishte edhe anëtar i Komisisë Letrare ku, së bashku me 
figura të tilla si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e mjaft të tjerë, 
veproi me përkushtim e dha një ndihmesë të dukëshme në fushën e 
gjuhësisë. Kontributi i tij ishte i vlefshëm sidomos për mendimet që 
jepte për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët dhe terminologjitë e 
huaja të panevojshme si dhe për shkrimin me korrektësi të gjuhës 
shqipe. 
Në vitin 1923, Hafëz Ali Korca, për zgjedhjet e 
asamblesë kombëtare u propozua kandidat nga grupi i Korcës dhe i 
fshatrave për rreth ku vepronte partia liberale. Ai mendonte se 
kandidatë për në këtë asamble duhet të ishin njerëzit më të mirë, më 
të përkushtuar për vendin dhe për popullin. Po këto vite, me 
përpjekje të mëdha, ai celi edhe mendresenë në Tiranë ku jepte edhe 
vetë mësim. Këtu u dallua në përgatitjen e programeve të shkollës. Ai 
synonte që këto programe të ishin bashkëkohore dhe që nxënësit që do 
të mbaronin këtë shkollë të kishin mundësi të vazhdonin më tej 
shkollat e larta pa asnjë pengesë. 
Tërë jetën e tij Hafëz Ali Korca ia kushtoi cështjes 
kombëtare. Ai ishte mësues dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar 
si atij laik dhe fetar. Shume njerëz , për punën e tij, për njohuritë 
e gjëra që kishte në fushën e shkencës e kanë quajtur ” Hoxha Tahsini 
i RI”, vlerësim ky që e meritonte plotësisht. Ai i përkiste atij 
brezi atdhetarësh e rilindasish që bënë gjithcka për clirimin e 
vendit nga pushtuesit turq dhe për zhvillimin e përparimin e tij.
Vitet e fundit , ne pleqëri të thellë, Hafëz Ali 
Korca i kaloi në Kavajë, në një jetë të vetmuar ku edhe vdiq në 
dhjetor të vitit 1956. Këtë vit që mbushen 135 vjet nga lindja e tij 
ne kujtojmë me respekt e mirënjohje punën dhe përpjekjet e tij të 
frutshme në shërbim të cështjes 
kombëtare. 

APOSTOL BITRAKU

Artikulli paraprakSi të mbrohemi nga kanceri sipas Dr. Brownstein
Artikulli vijuesMULLA ISUF KRAJA (Krajë, 1849 – Shkodër, 1912)