Hafiz Sabri Koçi – Punëtori i shquar për besimin islam

Hafiz Sabri Koçi
Punëtori i shquar për besimin islam

Veprimtaria për besimin islam në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos në vitet e demokratizimit të vendit, ringjallja e institucioneve të besimit islam jo vetëm në Shkodër e në Veri të vendit, por në mbarë Shqipërinë, është e lidhur ngushtë edhe me veprimtarinë e Haxhi Hafiz Sabri Koçit.

I lindur më 14 maj 1921 në Nerenë të Librazhdit, por i mbetur shpejt pa baba, erdhi me të ëmën në Shkodër, në lagjen që sot quhet “Vojo Kushi” e në rrugën, që mban emrin e mësuesit dëshmor “Shyqyri Haxhia”.

Hafiz Sabri Koci, prane selise se Komunitetit Musliman, Tirane
Që në moshën 7 vjeç filloi mësimet në medresenë e qytetit, duke mësuar me zell të madh leximin e Kur’anit, texhvidin dhe rregullat tjera nga parimet bazë të fesë islame. Në moshën 16 vjeç filloi të ushtrojë detyrën e mual-limit nëpër xhamitë dhe mejtepet e Shkodrës. Djaloshi i zgjuar, por i varfër, i detyruar për nevoja ekonomike familjare, nuk arriti të ndjekë studimet e larta, duke u aktivizuar si imam në Drisht, një fshat i Shkodrës. Në vitet e Luftës, 1939 deri më 1943, shërbeu imam në xhaminë e lagjes “Dudas” e më vonë në “Rus”. Hafiz Sabri Koçi nuk pushoi së studiuari si autodidakt, duke shfrytëzuar me mençuri edhe mundësitë e mëdha që kishte Shkodra, si një qendër e vjetër e kulturës shqiptare, përfshirë edhe kulturën islame, si vatër e përgatitjes dhe e shërbimit të shumë hoxhallarëve të shquar, ndikimi i të cilëve ishte i pranishëm edhe për Hafizin e ri, që gjithnjë e më shumë po tërhiqte vëmendjen e xhematit të tij, respektin e adhurimin e tij.

Duke punuar e studiuar pareshtur, Hafiz Koçi zgjeroi edhe më tej nivelin e tij, duke fituar njohuri të thella për Sarfin, Navfin, Usulifikhun, Usul hadithin, Tefsirin, Akaidin, Allakun etj.

Te Hafiz Sabri Koçi lanë gjurmë në formimin e tij disa personalitete, sidomos Hafiz Muhamet Kastrati, Haxhi Muhamet Bekteshi, Hfz. Sabri Bushati, Sheh Qazim Hoxha, etj. Ixhazetin e mori nga myderrizi Muhamet Bekteshi.

Afirmimi i tij në Shkodër nuk i pëlqente regjimit, prandaj e transferuan në Krujë, ku, me kërkesë të banorëve atje, caktohet Myfti i Krujës. Me kërkesë të tij, Komuniteti Musliman e kthen në Shkodër sërish, por gjithnjë me presion të pushtetit nuk e lejoi që të punonte si imam dhe aq më pak të mbante ligjërata. Më 1955 e caktojnë Myfti në Kavajë, ku vazhdon të punojë deri në vitin 1959.

Hafiz Sabri Koçi shquhej për pasionin e madh në detyrë, për vazet që mbante, për energjinë e tij në kryerjen e dhumë detyrave fetare, për aftësitë që kishte në tërheqjen e njerëzve të asaj kohe e sidomos rininë në xhami dhe në mjediset shoqërore, ku ndodhej, duke u përhapur gjerësisht nami i tij si një gojëtar i shquar për problemet e besimit islam. Por kjo nuk shikohej me sy të mirë nga shteti antifetar, madje i krijonte shqetësim, sepse vinte në kundërshtim me strategjinë e tij ateiste. Prandaj edhe i shtuan lëvizjet, vëzhgimet agjenturore, kontrollet ndaj ligjëratave të tij, madje filluan përgatitjet për izolimin e arrestimin e tij.

Për shkaqe familjare, me kërkesë të tij, kthehet në Shkodër, ku pas 6 muajsh e caktojnë si imam në xhaminë e lagjes “Rus”, ku qëndroi deri në vitni 1964, kur në muajin Ramazan, pas faljes së namazit të taravisë,filluan ndjekjet sistematike nga sigurimi i shtetit. Më 4 korrik1966, në kohën kur po shkonte në xhami për faljen e ylesë, arrestohet dhe në shtator të atij viti dënohet me njëzet e tre vjet e pesë muaj burg, duke u liruar më 22.X.1986. Por nuk mjaftoi burgosja e gjatë e tij, mbasi pësoi reperkusione edhe familja e të afërmit, një praktikë kjo e monizmit për të dënuarit e rëndë.
Nga dalja prej burgut e deri në vitin 1990, Hafizi edhe pse në moshë të thyer, u detyrua të punojë në punë fizike, çka nuk përputhesh askund me profesionin e tij.

Me fillimin e proceseve demokratike u ngjallën shpresat edhe për besimtarët islamë. Më 1.XI.1990 Hafizit i shkojnë në vendin e punës një grup të rinjsh nga Shkodra dhe kërkojnë prej tij të bashkohej me ta për hapjen e Xhamisë së Plumbit. Entuziazmi i tyre e ringjallën Hafizin, duke ua plotësuar kërkesën me përkushtim të madh. Në datën 6 nëntor 1990, në prani të mijëra e mijëra qytetarëve e fshatarëve të periferisë, në një solemnitet të ashtëzakonshëm, fillon detyrën. Të nesërmen themeloi Komunitetin Musliman në Shkodër, në krye të të cilit u vu Hafizi, gjë që u konfirmua edhe nga një mbledhje e besimtarëve nga të gjitha trevat në Tiranë, më 18 janar 1991, me rastin e hapjes së xhamisë së parë në Tiranë. Që nga ajo kohë, Hfz. Sabri Koçi është kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Kontributi i tij për kohën që është në krye të hierarkisë më të lartë islame shqiptare është i madh. i gjendur përpara institucioneve islame plotësisht të shkatërruara, para një mungese shumë të madhe në kuadër, para një baze materiale të asgjësuar, para brezave të rinj e të rritur pa njohuritë elementare islame, para një mungese të bibliotekës islame, e filloi punën me një entuziazëm të madh, duke zgjidhur gradualisht një varg detyrash komplekse, të cilat vijojnë edhe tani, kur kemi një popull të arsimuar, një inteligjencë të madhe në numër, një rini të shkolluar, por me predispozita për të përqafuar besimin e vet, në kushte të një Evrope me rrezatime të gjithanshme kulturore e fetare.

Hafiz Sabri Koçi punoi me ngulm për njohjen e Shqipërisë në botën islame, në sigurimin e ndihmave për ngritjen e institucioneve fetare, sidomos të xhamive, në përgatitjen urgjente dhe perspektive të kuadrit fetar etj.

Ai u bë misionar i njohjes së Shqipërisë në vendet islamike dhe më gjerë. Nga respekti që gëzon, është zgjedhur edhe Kryetar Nderi i Këshillit Islamik për Evropën Lindore.

Artikulli paraprakSHERIF AHMETI – Përkthyesi në Shqip i Kur’anit
Artikulli vijuesVILDAN FAIK DIBRA – Mrojtësi i Alfabetit Shqip