Hani i Mujës

0
157

 

Universiteti i Prishtinës nuk harxhon para vetëm kur blen çmime. Ky institucion nuk kursehet as për stafin e vet, nënshkruan nga dy kontrata për zyrtarë të njëjtë dhe i paguan nga dy herë ata.
Auditori ka gjetur se profesorëve u jepen paratë edhe nëse nuk e plotësojnë normën e paraparë me kontratë. Po ashtu, në UP, mësimdhënësit paguhen edhe kur nuk prezantojnë kurrfarë dëshmie se kanë kryer punë jashtë orarit, shkruan “Express”.

Kur shihet nga jashtë, të gjithë mendojnë se Universiteti i Prishtinës i ka punët fort mirë. Mujë Rugova, rektori i këtij universiteti, vazhdimisht merr çmime e pajiset me trofe për punën e mirë që ai dhe stafi i tij bëjnë. E ka raste që për të qenë më bindës për arritjet e tij, ndonjëherë rektori edhe blen çmime siç ka bërë para pak kohësh.

Me vetëm 4 mijë euro, ai bleu trofeun për “cilësi, menaxhim dhe rezultate të vazhdueshme” që i dedikohet Universiteti të Prishtinës. Por, të gjitha këto arritje bien poshtë kur dikush del dhe me pak faqe e bën publike krejt punën njëvjeçare.

Kjo vaki si çdo institucioni tjetër, sivjet i bëri edhe Universitetit të Prishtinës. Edhe Mujë Rugovës, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i gjeti shumë dallavere, probleme e keqmenaxhim me para. Dhe më keq se kaq.

Në raportin final të auditimit ka dalë se UP ua nënshkruan të njëjtëve punëtorë nga dy kontrata të rregullta për dy punë të ndryshme. Madje edhe paguan si të tillë, pavarësisht se ky veprim nuk lejohet as me rregulloren brendshme të përpiluar nga vetë Universiteti i Prishtinës.

Një shkelje e kësaj rregulloreje nuk ka ndodhur vetëm një herë. Diçka e tillë ka dalë se është përsëritur në dy raste tek dy zyrtarë të UP-së. Në dyja raste, UP kishte nënshkruar dy kontrata të rregullta pune me të njëjtit zyrtarë. /Telegrafi/kohaislame