HASAN EFENDI NAHI
Dijetari, Myderrizi Gojë-ëmbël
Hasan Efendi Nahi është nga personalitetet islame që la një emër të nderuar dhe një vepër që jeton në pasardhësit e vet, që me aq kujdes, dashuri e besim i përgatiti që të shërbejnë në gjuhën e vet amtare. Atdhetar, alim dhe hoxhë-myderriz i shquar, la emër në Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë e në tërë Kosovën.
U lind më 12 mars 1905 në Gjakovë nga një familje intelektuale, me formim të shëndoshë fetar. Mësimet fillestare, si dhe medresenë i kreu në vendlindjen e tij, prej nga niset, në vitin 1930, në Egjipt, për studime të larta, në Universitetin e njohur “El-Azhar”.
I diplomuar në universitet, caktohet në detyrën e predikuesit shëtitës, duke dhënë mësim edhe në Medresenë e Ferizajt. Vazhdon me pasion të madh punën e myderrizit, prandaj në vitin 1943 e emërojnë drejtor i Medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren, duke qenë njëkohësisht edhe Kryemyfti. Me mbylljen e medresesë, në vitin 1948 e deri në vitin 1958 e kryen detyrën e imamit në Gjakovë.
Ai luftoi hapur për shkollën në gjuhën shqipe dhe për ruajtjen e medresesë nga sulmet për ta shkatërruar, duke filluar me mbylljen e saj. Kur më 1956, u vendos mbyllja e medresesë në Gjakovë, Hasan Efendi u tha hapur e prerë pushtetarëve: “Ma mirë kallne Gjakovën, se sa ta mbyllni Gjimnazin”.
Në shtator të vitit 1958 caktohet profesor në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, ku shërben dy dekada, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në përgatitjen e kuadrit të ri, në arsimimin e disa gjeneratave të vetme në gjuhën shqipe, të arsimit islam.
I dalur në pension në vitin 1978, Hasan Efendiu nuk pushoi së punuari për fe e atdhe, duke u marrë me studime, e sidomos me përkthimin e Kur’anit të Madhëruar, duke i dhuruar lexuesit shqiptar, pas dhjetë vjetësh punë, një vepër aq shumë të pritur (në vitin 1988-R.Z.).
Ai ishte një personalitet i rrallë në sytë e rinisë, të cilët e mbanin dhe e çmonin për misionar, alim, profesor dhe vizionar të shquar. Pleqtë, në anën tjetër, e respektonin shumë miqësinë e tij, nga se edhe ai i nderonte pa masë.