Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë sot se Kosova me vështirësi është duke e ndërtuar unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se e mirëpret takimin e sotëm koordinues për dialog, si një veprim i domosdoshëm për bashkërendimin e hapave në fazën finale të dialogut.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“E mirëpres dhe mbështes takimin e sotëm koordinues për dialog, si një veprim i domosdoshëm për bashkërendimin e hapave në fazën finale të dialogut. Kosova me vështirësi po e ndërton unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror. Mirëpo, nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë. Prandaj, askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse, që Kosovës do ia sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”. /Telegrafi/