Nga Brukseli: Hashim Thaçi, ky rrenc i madh
Armiku i tij më i madh është e vërteta.
Ai nuk ndalet së gënjyeri. Është e pamundur ta dëgjosh pa t’u çuar flokët përpjetë.
Hashim Thaçi thjesht rren kur thotë se demarkacion është „sfida e fundit drejt liberalizimit të vizave“.
1. Askush këtu nuk flet për implementimin e demarkacionit të Hashim Thaçit, por gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe në përputhje me realitetin objektiv me Malin e Zi rreth përcaktimit të vijës kufitare. Gabimet e qeverisë Thaçi rreth demarkacionit mund të korrigjohen dhe në këtë mënyrë të evitohen konflikte të rrezikshme kufitare në të ardhmen. Kjo është ajo që kërkon Bashkimi Evropian.
2. Sfida e vërtetë është kjo: evropianët asnjë herë nuk do të na pranojnë, para se të kemi fituar betejën ndaj krimit dhe korrupsionit. Pikërisht ai, që (krahas Kadri Veselit) është koka e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, tenton të na shpjegojë se çfarë kërkon Evropa nga Kosova. Kjo nuk është vetëm qesharake, por shkakton edhe zemërim të thellë. Jo vetëm në Kosovë.
Para një viti Hashim Thaçi, përmes presionit, shantazhit dhe me pazareve me pasurinë publike të Kosovës, e vendosi vetveten në karrigen e Presidentit të Republikës. Asnjë president i Bashkimit Evropian nuk e ka pritur zyrtarisht gjatë një viti të tërë, ashtu siç nuk e prisnin as kur ishte kryeministër.
Përveç Maltës! Dhe natyrisht mentori i tij, presidenti autokrat i Turqisë, Taip Erdogan. Nëse vetëm një emër do të duhej thënë për të treguar se kush po e bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Evropës, atëherë ky do të ishte në radhë të parë emri i Hashim Thaçit.
Ndërkohë që Kosova dhe qytetarët e saj luftojnë për të gjetur vendin e merituar në Evropë, Hashim Thaçi është i zënë me kalimin me forcë dhe presion të një marrëveshjeje që cenon territorin dhe sovranitetin e Kosovës. Por këtë herë Kuvendi nuk ka për t’iu bindur. Me një marrëveshje serioze të demarkacionit me Malin e Zi, të drejtë për të dy palët dhe në përputhje me realitetin objektiv, si dhe me një qeverisje të çliruar nga krimi, do të jemi të mirëseardhur në Evropë.
P.S. Këtu në Bruksel po përjetoj në mënyrë të përsëritur në lëkurën time se sa është shkatërruar nën regjimin e Hashim Thaçit imazhi i vendit tonë, madje edhe tek miqtë tanë. Të gjithë këtu presin që NE ta fillojmë ndryshimin./DonikaGervalla/./Kumti.com