Hec e shkarko

Bordi i Postës nuk po e dëshiron në krye të Postës, kryeshefin ekzekutiv Sejdi Hoxhën, kjo për arsye se sipas tyre, Hoxha ka dështuar në realizimin e të hyrave në këtë kompani.
 
KosovaPress ka siguruar një email të datës 5 mars të cilin e kishte dërguar tek anëtarët tjerë, kryetari i Bordit, Halit Isufi ku kërkonte shkarkim urgjent të kryeshefit ekzekutiv. Mirëpo, kjo kërkesë e Isufit kishte dështuar pasi dy anëtarët e bordit Aziz Pacolli dhe Zahir Imeri nuk kishin mundur të marrin vendim për shkarkim pasi që Hoxha të dy të lartpërmendurve u kishte punësuar vëllezërit në Postë.
 
“Sejdi Hoxha ia ka punësuar vëllanë Azizit, Besim Pacollin. Po ashtu, edhe Zahirit ia ka punësuar vëllanë, Adnan Imerin. Pra, këta janë të kapur nga Hoxha dhe nuk mund të dalin kundër tij”, kështu ka thënë një burim i KosovaPress-it.
 
KP po ashtu ka siguruar edhe një letër të datës 5 mars, më të cilën kryetari i Bordit, Halit Isufi fton anëtarët e bordit në një mbledhje urgjente për shkarkimin e Sejdi Hoxhës. Në letër thuhet: “Kërkoj nga ju të ftoni një takim urgjent të Bordit nesër në pikën 9 e rendit të ditës shkarkimi i Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet në këtë email.
 
Zahir Imeri nuk ka dashur të prononcohet për këtë çështje, duke thënë “kontaktojeni kryesuesin e bordit dhe kryeshefin e Postës”.
 
“Unë nuk jap prononcime sepse sipas ligjit e kemi të ndaluar. Kontaktoje kryesuesin e bordit dhe kryeshefin”, ka thënë Imeri nëpërmes telefonit.
 
Po ashtu, redaksia e ka kontaktua kryesuesin e bordit Halit Isufin, mirëpo Isufi me të kuptuar se jemi gazetarë, e ka ndal telefonin. KosovaPress nuk ka mundur të kontaktojë me kryeshefin Sejdi Hoxha dhe me Aziz Pacollin, anëtarin tjetër të bordit i cili po ashtu ka të punësuar vëllanë.
 
Burime tjera kanë bërë të ditur se Hoxha në vazhdimësi po i frikëson punonjësit duke iu thënë që ka lidhje me të fortit e politikës. “Në vazhdimësi i frikëson punëtorët duke thënë se unë kam përkrahje dhe mund të marrë çfarë vendime që dua”, ka thënë ky burim.
 
Arsyeja për një takim urgjent që është thirrur nga kryesuesi i bordit të Postës, është bazuar sipas ligjit për ndërmarrje publike, duke u thirrur në nenin 7, ku thuhet se aksionari(ët) e një NP do të ushtrojë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe rigoroze të veprimtarisë së Bordit të Drejtorëve dhe Komisioneve të Auditimit të NP-së në fjalë.
 
Po sipas këtyre burimeve, Posta e Kosovës mbi 90% të të hyrave është duke i shfrytëzuar për paga dhe mëditje.
 
Vetëm kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Sejdi Hoxha, ka të deklaruar vitin e kaluar se ka marrë pagë vjetore nga Posta e Kosovës në shumën prej 36,960.00, që i bie që për çdo muaj ka marrë pagë në vlerë prej 3,075 euro. Në pagë nuk janë të llogaritura mëditjet dhe të ardhurat shtesë që Hoxha ka mundur t’i marrë gjatë udhëtimeve jashtë vendit apo të hyrave tjera.
 
Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës ka të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pagë vjetore prej 18,735.00 euro apo 1561 euro në muaj.
 
Paga e Hoxhës është për 201.8 euro më e madhe se e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila merr pagë mujore prej 2,873 euro. kohaislame
Artikulli paraprakDaçiq: U dakorduam, Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të jetë OJQ
Artikulli vijuesAgani e Schonberger pajtohen për bashkëpunim