Juniku, një shekull pa vrasje

Juniku nuk ka vetëm histori dhe nuk ofron vetëm turizëm. Banorët e këtij vendbanimi po mbrojnë me shekuj dhe një “sekret mistik”. Juniku, është vendbanimi në territorin e Kosovës ku më së paku kanë punë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe gjykatat. Për më shumë se një shekull, në këtë vend nuk ka pasur vrasje.
Bota historike e natyrore, si dhe ajo zhvillimore prejse u shndërrua në komunë, po e bëjnë Junikun – dikur fshat, tani qytezë – të kërkuar nga turistët zviceranë, gjermanë, polakë, çekë…

Juniku nuk shquhet vetëm për trashëgiminë kulturore dhe turizmin, por edhe për shkallën e ulët të krimit në këtë vend. Përjashtuar luftërat, në 100 vitet e fundit, siç mbahet mend e siç dokumentohet, pati vetëm dy vdekje aksidentale dhe një të qëllimshme.

Qetësia që të krijohet nga pamja e tij piktoreske sapo të shkelësh në këtë komunë, siguria e lartë dhe mikpritja e ngrohtë e banorëve që haset në çdo vend, qoftë në dyqane, rrugë, kafeteri… e ka bërë këtë vend të kërkuar nga rreth 6000 turistë të huaj në vitin 2013.

Togeri Rasim Syla, komandant i stacionit policor në Junik thotë se pjesëtarët e policisë janë në pushim në këtë komunë. Ai thekson se aty pothuajse nuk ndodhin incidente.

“Nuk ka pasur asnjë incident që prish imazhin e rendit dhe ligjit”, ka thënë ai.

Ndryshe, Juniku pritet që të jetë një komunë edhe më e zhvilluar në vitet në vijim, sidomos kur tashmë është bërë plani që rruga e asfaltuar të shkojë deri në Bjeshkët e Gjeravicës, një projekt i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Juniku ofron edhe shumë të trashëgimisë kulturore, kulla qindravjeçare, mullinj të ndryshëm, por edhe restorante me ushqime tradicionale shqiptare. /Zëri/

Artikulli paraprakPrishtinë: Gjashtëmbëdhjetë të arrestuar, shumë lokale të bastisura
Artikulli vijuesTë qenët ballkanas-kosovarë-muslimanë