Hedhet poshtë aktakuza për terrorizëm ndaj katër të arrestuarve

Gjyqtarja e EULEX-it ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes dhe ka hedhur poshtë aktakuzën për veprat penale të terrorizmit ndaj të akuzuarve Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Valon Shala dhe Genc Selimi.
Lajmin e ka konfirmuar avokati Nikë Shala, mbrojtës i njërit prej të akuzuarve në këtë çështje, Valon Shalës.
 
Avokati Nikë Shala ka bërë të ditur se me datë 15 të këtij muaji ka pranuar aktvendimin nga ana e Gjykatës Themelore-EULEX, ku me të cilin është aprovuar kërkesa e tij për hedhjen e aktakuzës për veprat penale të terrorizimit ndaj klientit të tij.
 
Më tej, Shala theksoi se aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij për këto vepra penale është ngritur në bazë të supozimeve e jo provave materiale, andaj, siç tha Avokati Shala, gjyqtarja e EULEX-it me të drejtë ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të kësaj aktakuze.
 
Shala ka nënvizuar se që nga fillimi i inicimit dhe zhvillimit të kësaj procedure penale, thotë se ka qenë i bindur që klienti i tij Valon Shala nuk ka të bëjë me këto vepra penale të terrorizmit dhe sipas tij kjo është dëshmuar edhe nga ana e gjykatës.
 
Kujtojmë se të akuzuarit e sipër përmendur janë ndër të parët që ishin arrestuar për veprat e tilla penale të terrorizmit në Kosovë, ku më pastaj kishin pasuar edhe shumë arrestime të tjera për terrorizëm.
 
Të akuzuarit në fjalë ndodhen në paraburgim që nga data 05. 11.2013 dhe akoma janë nën këtë masë të paraburgimit./KP/
Artikulli paraprakMASHT: Nesër, të gjithë në shkollë
Artikulli vijuesWhatsApp i bën 800 milionë përdorues aktivë!