Hetime për miliardat

0
145

Gazeta italiane “La Repubblica” në një shkrim të saj thotë se Prokuroria Evropiane ka nisur hetimet për 3 miliardë euro, që janë dhënë deri më tash për Kosovën prej kohës së UNMIK. Këtu përmendet edhe EULEX, për të cilin është ndarë një buxhet marramendës për këtë mision. Sipas kësaj gazete, miliona euro janë derdhur në KEK dhe Aeroport, e që dyshohet se janë keqpërdorur në bashkëpunim me vendorët dhe ndërkombëtarët.

Parlamenti Evropian dyshon për shpërdorime masive të fondeve ndërkombëtare për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës, transmeton “Express”. Nga Strasburgu sapo është caktuar një fond prej 111 milionë eurosh për 3 mijë personat e angazhuar në kuadër të EULEX it në Kosovë.

Ky fond do të shërbejë për shtyrjen edhe për një vit të mandatit të këtij organizmi, që u ka kushtuar në katër vjet taksapaguesve evropianë më se 500 milionë euro.

Ndërkohë, Prokuroria Evropiane e Kosovës ende nuk po arrin të zgjidhë “enigmën” e shpërdorimit të fondeve evropiane të destinuara për Kosovën, që i ishin dhënë UNMIK ut nga viti 2000 deri më 2008 për të përgatitur kalimin e pushteteve.

Fjala është për 11 dosje lidhur me hetimin se ku kanë shkuar 3 miliardë euro financime për rindërtimin e Kosovës drejt një shteti të pavarur, transmeton media shqiptare një shkrim të gazetës italiane “La Repubblica”.

Eurodeputeti socialist Pino Arlacchi, i njohur në krijimin e Drejtorisë Hetimore Anti Mafia në Itali në vitet ’90 dhe anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka kërkuar të sqarohet qëndrimi i Komisionit Evropian lidhur me probleme të shpërdorimit të fondeve të përdorura në Aeroportin e Prishtinës dhe shoqërinë e energjisë elektrike të Kosovës.

Këto dy subjekte kanë qenë përfituesit kryesorë të 3 miliardë eurove fonde ndërkombëtare, që u dhanë nga donatorët në arkat e UNMIK ut.

Dy të tretat e këtij fondi u dhanë vetëm nga BE, pavarësisht nga paralajmërimet për rrezikun e mashtrimeve që bënë, si Gjykata Evropiane e Llogarive, ashtu edhe disa auditues të pavarur.

Si aeroporti, ashtu edhe Korporata Elektroenergjetike u vendosën nën komisariatin e UNMIK ut, ashtu si dhe të gjitha entet e dikurshme shtetërore të epokës komuniste.

Sipas tij, EULEX po pengon dhënien e një informacioni të plotë, sidomos lidhur me Korporatën. Një kërkesë që i ishte dorëzuar Olli Rehnit, komisar për Zgjerimin në vitin 2008, nga Parlamenti Evropian për sqarime, nuk mori nga ky i fundit përgjigje deri në përfundimin e mandatit të tij. /Telegrafi/kohaislame/