Kriza e klandestinëve po shkakton tragjedi të rënda, edhe në mesin e fëmijëve, ku shumë prej tyre po humbasin jetën në përpjekje për ti shpëtuar konfliktit në shtëpitë e tyre. Një fat tragjik pati edhe 3 vjecari nga qyteti sirian i Kobanit, Aylan Kurdi, trupi i të cilit u gjet i mbytur ne brigjet e Bodrumnit në Turqi.
Fotoja e tij e publikuar nga mediat ndërkombëtare ka shkaktuar tronditje dhe ka ngjallur reagime të ashpra edhe nga zyrtarë të lartë europaine.
3 vjecari së bashku me vëllanë 5 vjec dhe nënën e tyre nuk dolën dot të gjallë në bregun tjetër, pasi anija me të cilët ata udhëtonin u mbyt. Vetëm babai i tyre arriti të mbijetonte.
Kjo nuk ishte përpjekja e parë e familjes për tu larguar nga Siria.
Në korrik, ata tentuan të emigrojnë për në Kanada ku jeton halla e tyre por aplikimi për vizë u refuzua nga autoritetet kanadeze.
I tronditur nga humbja e rëndë, babai i dy vogëlushëve, tashmë nuk ka më asnjë dëshirë për të nisur një jetë të re në Europë, prandaj thotë se do të rikthehet në Kobani për të varrosur familjen dhe për të pritur atje vdekjen.
E njëjta tragjedi ka prekur një tjetër familje klandestinësh, ku dy vellezër 11 dhe 9 vjecar janë mbytur pasi varka e tyre është përmbytur, ndërsa nëna dhe motra 7 vjecare arritën të mbijetonin.
Dhe ndërsa tragjetitë shtohen cdo ditë, ky 13 vjecar që është larguar së bashku me të motrën nga Siria ka një lutje për perëndimin: meqënëse policitë në Serbi, Hungari, Maqedoni dhe Greqi nuk i pëlqejnë sirianët, atëherë në ndihmoni të ndalim luftën. Ne nuk duam të shkojmë në Europë. Ndaloni luftën në Siri,” ka thënë ai për Al Jazeeren ndërsa priste trenin në stacionin e Budapestit.
Por përtej tragjedive, në kampet e improvizuara shumë fëmijë të tjerë kanë ardhur në jetë. Në Budapest dy nëna kanë zgjedhur emra simbolike si Shpresë apo Strehë për të vegjëlit e tyre, me shpresën se e ardhmja do të jetë ndryshe.