Historia e Koncilit të Nikesë dhe ai i Kostandinopojës (viti: 325 – 381)

Senad Maku

Çështja e doktrinës së trinitetit është vendosur shumë vjet më vonë pas Isait a.s./ Jezusit. Triniteti, besimi në Zotin e shpërndarë në tre persona, nuk është praktikuar nga ana e Jezusit, e as nga ndonjëri profet para tij. Më vonë fillojnë të mbahen koncilë[1], mbledhje dhe shumë gjëra filluan të caktohen, të shtohen në fe­në e Jezusit. Filluan të dalin ungjij të tjerë të shkruar nga autorë të ndryshëm. Kë­shtu, Inxhili/ Ungjilli humbi origjinalitetin e zbritjes.

Këtë e vërteton studiuesi dhe eksperti i krishterizmit të hershëm, Bart D. Ehrman[2], i cili thotë: “Skribët profesionistë janë shfaqur në krishterim në një periudhë shumë të vonshme, aty nga shekulli i katërt. Për këtë arsye, është e naty­r­shme që në kopjet e hershme të jenë bërë gabime të shumta gjatë kopjimit. Mi­r­ë­po, më me rëndësi është fakti se këta skribë kanë qenë të përfshirë personalisht në debatet teologjike që kanë marrë plot jetë njerëzore në krishterimin e her­sh­ëm… Duke pasur parasysh polemikat, konfliktet e ndryshme, mosmarrëveshjet teologjike, e veçanërisht debatet mbi kriptologjinë[3], skribët e krishterë u nxitën t’i ndryshonin fjalët e shkrimit të shenjtë, në mënyrë që t’i bënin ato më të do­b­i­shme për debatin. Skribët e ndryshuan tekstin në dorëshkrimet e tyre për t’i bërë tekstet më qartësisht “ortodokse” dhe më pak të “keqpërdorshme” nga kundër­sh­tarët e tyre.[4] Kjo ka ndodhur sa herë që skribët përgjegjës për kopjimin e tekstit kanë dashur të sigurohen që teksti të thoshte pikërisht atë që ata dëshironin që ai të thoshte.[5]

Gjatë shekujve II dhe III, po ashtu gjatë kohës së Konstantinit, Bart Ehrman tregon se “këta dy shekuj kanë qenë veçanërisht të pasur në ndryshime teologjike ndërmjet të krishterëve të he­r­shëm. Në të vërtetë, dallimet teologjike ishin kaq shumë të shtrira, saqë grupe që e quanin veten e tyre të krishtera ndiqnin besime dhe praktika që shumë të krishterë sot do të këmbëngulnin se nuk kanë të bëjnë aspak me krishterizmin”.[6]
Në tubimin që thirri mbreti Konstantin, në vitin 325 të erës sonë, u para­qi­tën shumë ungjij, nga të cilët vetëm katër u pranuan si më të saktit: Ungjilli i Ma­teut, Markut, Llukës dhe i Gjonit, të cilët po ashtu kanë mospajtime të shu­mta ideologjike, në mes tyre.[7]

Sipas fesë islame, Zoti i dërgon libër vetëm profetit dhe jo pasuesve të tij, ku­rse në krishterizëm kjo gjë pranohet edhe për pasuesit, ndaj kemi ungjillin e Ma­teut, Markut, Llukës, Gjonit, Palit etj. A duhet të ketë nevojë për katër libra të njëkohshëm (siç janë katër ungjijtë)? Jo, sepse dihet që Zoti ia dërgon një profeti vetëm një libër.[8]
“Dolën shumë shkrime të shkruara, të publikuara mbi Jezusin. Kur krish­t­e­rizmi i modelit palian ngadhënjeu përfundimisht dhe e përpiloi përmbledhjen e vet në tekste zyrtare, “Kanonin”, i cili i përjashtoi dhe i gjykoi si të kundërta me besimin e vërtetë të gjitha dokumentet e tjera që nuk ishin në përputhje me li­njën që e kishte zgjedhur kisha”.[9]
Po ashtu në koncilin e Nikesë (Iznikut) të vitit 325 u vendos për karakterin hyjnor të Jezusit, sipas të cilit Jezusi ishte perëndi.[10] Po në këtë koncil është para­qi­tur dogma e krishterë rreth trinisë së shenjtë.[11]

Për shumë vite ka pasur mjaft kundërshtime në fushën biblike lidhur me pë­r­hapjen e idesë se Jezusi ishte perëndia. Në përpjekje për ta zgjidhur konfliktin, perandori Romak Konstantini[13], mblodhi në këshillin e Nikes peshkopët. Mirë­po, vetëm disa prej tyre, rreth 300 veta, morën pjesë. Konstantini nuk ishte i kri­sh­terë. “Ai, ashtu si i ati i tij, e adhuronte diellin e pamposhtur”.[14]

Çfarë roli luajti ky perandor në këshillin e Nikesë? Një Enciklopedi tregon: “Vetë Konstantini rrinte në krye, duke drejtuar me zjarr diskutimet dhe propozoi personalisht … formulën vendimtare që shprehte lidhjen e Krishtit me Perëndinë në kredon e nxjerrë nga këshilli, se ai ‘është prej një substance me të Atin’… Për shkak të nënshtrimit dhe frikës ndaj perandorit, peshkopët, me përjashtim të dy­ve prej tyre, e firmosën kredon, megjithëse shumica e bënë këtë krejtësisht kun­d­ër vullnetit të tyre”.[15]

Stannus Hugh, në veprën e tij “Historia e doktrinës së trinitetit në kishën e hershme” thotë: “Përpara se ta mbyll këtë kapitull, është e domosdoshme që t’ju njoftoj juve, lexues të dashur, përkitazi me origjinën e doktrinës së trinitetit: Ju mund të jeni të sigurt se ajo nuk vjen nga shkrimet e shenjta dhe as nga arsyeja, duke qenë kaq e kundërt me këtë të fundit … Dije, pra, miku im, se kjo doktrinë lindi 300 vjet pasi u deklarua ungjilli i lashtë; u formulua nga padituria, u ruajt dhe u përhap nga dhuna e mizoria”.[16]
Gjithashtu, edhe Viktor Paul Wierwille[17] deklaron: “Doktrina sipas së cilës Je­zus Krishti, i biri i Zotit, është zot u dekretua nga pushteti klerikal dhe peran­d­orak. Njerëzit u detyruan ta pranonin me forcë, deri edhe në kanosjen me vdekje nëse vepronin të kundërtën. Kësisoj, gabimi i trinitetit u përhap aq shumë, saqë për pasojë njerëzit filluan të besonin se ishte e vërtetë. Krishterizmi në thelb u bë i njëjtë me paganizmin babilonas, vetëm se me një lustër emrash të krishterë”.[18]

Sipas burimeve të një libri të historisë së krishterë (A short History of Christian Doctrine) thuhet: Konstantini nuk e kishte as idenë më të vogël për çështjet që ngriheshin në teologjinë greke. Ajo që kishte kuptuar ishte ndasitë fetare përb­ë­n­in një kërcënim për perandorinë e tij, kurse ai donte ta forconte atë.[19] Kons­ta­n­tini bëri një përzierje politike të religjionit të kishës zyrtare me religjionin e vjetër të shtetit romak. Ai publikisht nuk pranoi, nuk refuzoi as që i dha rëndësi njërës mbi tjetrën. Ai i mbrojti të dyja. Veprimet e tij japin të kuptosh se toleranca e ki­shës zyrtare ka qenë bazuar në arsye politike për të mbajtur pozitën e perandorit dhe jo për ta pranuar fenë krishtere.[20]

Zhvillimi i trinitetit në koncilë të tjerë, sidomos ai i Kostandinopojës[21] (v. 381)

Mbas Koncilit të Nikes, debatet vazhduan me dekada lidhur me çështjen e Jezusit/ Isait a.s. Madje, edhe ata që nuk besonin në pohimin se Jezusi ishte i ba­r­abartë me Zotin, për njëfarë kohe e favorizuan atë. Megjithatë, në Nike ata ve­n­dosën vetëm natyrën e Jezusit, por jo rolin e frymës së shenjtë[22]. Nëse Triniteti do të kishte qenë një mësim i qartë biblik, pse nuk e zgjodhën edhe shpirtin e she­njtë si pjesë të trinitetit? Mirëpo, kjo ndodhi më vonë.
Më vonë në koncilin e Kostandinopojës, që u mbajt në vitin 381, e pranoi be­simin, që tash quhet besimi katolik, sipas të cilit “shpirti i shenjtë” rrjedh prej zotit bir. Ky këshill pranoi ta vinte frymën e shenjtë në të njëjtin nivel me per­ë­ndinë dhe Krishtin. Për herë të parë triniteti i të ashtuquajturit krishterim filloi të vihej në qendër të vëmendjes. [23]

Ne habitemi kur shohim sesi për një doktrinë, çështje besimi, vendosin nje­rëzit, me gjithë faktin se të gjitha doktrinat zbresin, janë të përcaktuara nga Zoti i Plotfuqishëm, kjo na vërteton se hyjnizimi i Jezusit nuk ishte shfaqur në mënyrë zyrtare në kohën e tij, por pas vdekjes së Jezusit, përkatësisht pas tre shekujve, gjë që dëshmon në mënyrën më domethënëse se Jezusi, i biri i Marisë, nuk ishte au­tor i kësaj thënieje të shëmtuar, por atë e kishin sajuar “pasuesit” e tij, në krye të të cilëve, siç kemi thënë, qëndronte Pali, duke e devijuar mesazhin e Jezusit.

Nga kjo vërejmë se hyjnizimi i Jezusit ishte një fabrikim i kulluar, i rrejshëm nga “pasuesit” e tij për faktin se në besimet e sakta hyjnore nuk kanë qasje njer­ëzit, apo në përcaktimin e tyre, ngaqë besimet nuk duhet të jenë rezultat i ndonjë koncili prej koncilëve, veprim i ndonjë organizate apo shpikje të ndonjë grupi të caktuar e as të jenë si rezultat i diktimit të papëve (priftërinjve), por ato janë çë­sh­tje të sakta, të vërteta të konfirmuara me shpallje nga Zoti i Plotfuqishëm nëpër­mjet gjuhës së të dërguarve të Tij. Ndërkohë, lajmëtarët e predikojnë te njerëzit ash­tu siç e kishin dëgjuar dhe siç u ishte shpallur atyre, pa ndryshuar, zëven­dë­suar, apo shtrembëruar, ndonjë gjë.
Në Enciklopedinë amerikane thuhet: “Triniteti i shekullit IV ishte një dev­i­j­im nga mësimet fillestare të krishterizmit”.[24] Po ashtu edhe Enciklopedia e re ka­tolike lë të kuptohet se doktrina e trinitetit nuk ka qenë e njohur për të krishterët e hershëm dhe se është vendosur në çerekun e fundit të shekullit IV.[25]

Duhet ta kemi parasysh faktin se Pali ishte ai që e barazoi hyjninë e Zotit me Jezusin dhe urdhëroi që Jezusi të quhet zot, duke i çmuar si të njëjtë, duke e hapur derën e koncepcionit të gabuar dhe duke përgatitur terrenin për formimin e doktrinës katolike. Atë që Pali ua bëri mësimeve të Jezusit, të tjerët ua bënë mësimeve të Palit! Ky proces arriti kulmin në rastin kur doktrina si doktrinë e trinitetit filloi të zyrtarizohet prej koncilit të Nikesë, më 325, e në vijim në ko­ncilët e tjerë, sidomos kjo mori përmasa në koncilin e Kostandinopojës, me ç’rast bashkëngjitet edhe shpirti i shenjtë si pjesë e tretë e trinisë.
Triniteti u përcaktua më plotësisht në Kredon Atanasiane. Atanasi ishte një klerik që mbështeti Konstantinin në Nike. Kredoja, që mban emrin e tij, për­m­ban: “Ne adhurojmë një Perëndi të vetme në trinitet… Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi; e megjithatë nuk janë tre, por një Perëndi e vetme”.[26]
Përplasjet më të theksuara në këtë pikëpamje ishin shënuar ndërmjet dy palëve. Arianistët “ndjekësit e Ariusit[27], njërit nga përfaqësuesit e shkollës së An­takisë, të cilët ishin të mendimit se Zoti është një dhe i pandashëm, se Jezusi është krijesë e Zotit dhe prandaj, nuk ka natyrë hyjnore. Jezusi ka mundësi që të pranohet si birësim i Zotit, kurse bir nuk mund të bëhet. Pala tjetër ishin atan­a­sianët, të cilët, përkundrazi, ishin të mendimit se Zoti vërtet është Një, por shf­aqet në tri trajta, apo në tri fytyra, duke e konsideruar Jezusin, si hyjni apo zot, të tillë e trajtonin edhe shpirtin e shenjtë. Për këtë çështje u mbajt një koncil në Aleksandri, në vitin 319, nën udhëheqjen e patrikut Aleksandër, me ç’rast me­n­dimet e Ariusit u refuzuan, duke e shpallur heretik dhe të ekskomunikuar nga ki­sha. Ky vendim edhe më shumë i hapi dyert e acarimit ndërmjet dy grupeve. Perandori Konstantin, nga frika e përçarjes dhe për ta ruajtur sigurinë e peran­dorisë, edhe vetë u angazhua për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe i thirri të dyja pa­lët në një koncil, që u mbajt në Nike në vitin 325, për t’i bashkuar mendimet në një besim për tërë perandorinë. Në këtë koncil, siç përmendëm edhe më lart, u pranua hyjnia e Jezusit dhe në fund u pranua teoria e atanasianëve, meqë kjo te­ori më shumë i përgjigjej vetë perandorit, i cili ende ishte pagan, dhe i cili, madje, dëshironte që ta gjente një kompromis ndërmjet fesë që ishte në rritje e sipër dhe qytetarëve të tjerë të perandorisë të cilët ende ishin paganë. Prandaj, ai këtu nxori një sërë rregullash kundër atyre që kanë qëndrim dhe besim të kundërt me atë të kishës zyrtare, duke vendosur mes tjerash:

– E mallkoi Ariusin dhe pasuesit e tij, i dogji librat e tij dhe e vendosi be­simin anatasian, i cili e konsideronte Jezusin për zot.
– Vendosi njëzet ligje për organizimin e kishës.
– Pranoi vetëm katër ungjijtë (Ungjilin e Mateut, Llukës, Markut dhe të Gjo­nit), dhe disa nga letrat e Besëlidhjes së Re, ndërkaq të gjithë ungjijtë e tjerë i dogji dhe, pas këtij koncili, filloi lufta e ashpër kundër ungjijve të paautorizuar.
– Unifikoi Sabathin (të shtunën – që e kishte celebruar Jezusi) e kishës zyrtare me të dielën – ditën e adhurimit të zotit të diellit, Dies Solis.
– Mori masa për futjen e simboleve pagane në fenë e re të krishterizmit, gje­gjësisht në kishën zyrtare. Edhe kryqi, që kishte qenë simbol i zotit të die­llit, Dies Solis romak, u bë simbol i krishterimit dhe tashmë në sistemin pe­r­andorak nuk kishte ndonjë ndryshim nga të qenët i krishterë ose pagan.
– Konstantini bëri një përzierje politike të religjionit të kishës zyrtare me re­l­i­gjionin e vjetër të shtetit romak. Ai publikisht nuk pranoi, nuk refuzoi as që i dha rëndësi njërës mbi tjetrën. Ai i mbrojti të dyja. Veprimet e tij japin të kuptosh se tolerimi i kishës zyrtare ka qenë bazuar në arsye politike për të mbajtur pozitën e perandorit dhe jo për ta pranuar fenë e krishterë. [28]

Profesor Abdul Ahad Dawud[29], më parë i njohur si David Benjamin Kel­d­ani, ishte kryepeshkop Kaldeas në Urmiah (Iran), kur flet për trinitetin, thekson:
“Dega e trinisë së kishës së krishtere ka gati XVII shekuj që i ka shterur të gjitha mendjet e shenjtorëve të saj dhe të filozofëve që janë përpjekur ta definojnë Esencën dhe Personalitetin e Perëndisë. A thua çka kanë zbuluar? Ato zbuluan gjithë ata që ua kanë imponuar të krishterëve atanasianët, augustinasit dhe aku­inasit që “nën dhembjen e mallkimit të përhershëm” të besojnë në njëfarë zoti, i cili është “i treti nga të tretë”!”. [30]
Një nga presidentët më të shquar të Amerikës, Thomas Jefferson (1743-1826), në një letër drejtuar James Smithit thotë: “Asnjë fakt historik nuk është i rrënjosur më thellë sesa doktrina e një Zoti, Një dhe të Vetëm, e cila mbi­zo­t­ë­r­onte në periudhën e hershme të krishterizmit… Njëshmëria e Qenies Supreme nuk u përjashtua nga besimi i krishterë përmes përdorimit të arsyes, por përmes dhunës së sundimtarëve, vënë nën urdhrin e Athanasit. Fantazma e një zoti të ngja­shëm me Cereberusin, me një trup dhe tre kokë, lindi dhe u rrit mbi gjakun e mijëra martirëve… Paradoksi i Athanasit që një është tre dhe tre është një, është kaq i pakuptimtë për mendjen njerëzore, saqë asnjë njeri i kthjellët nuk mund të sqarojë se ç’kupton me të; e si mundet, pra, që ai të besojë atë që nuk paraqet asnjë ide? Ai që mendon ndryshe, vetëm sa e mashtron veten. Kjo provon gjith­ashtu se njeriu, kur dorëzon arsyen e tij, nuk i mbetet më asnjë mbrojtje nga abs­ur­ditetet më të çuditshme dhe ashtu, si një anije pa timon, mbetet në mëshirë të çdo lloj ere. Me një njeri të tillë, mashtrimi, që ata e quajnë besim, e merr ti­monin nga duart e arsyes, dhe mendja, për pasojë, shkatërrohet”.

Migel Servetosi, studiues i shkrimeve të shenjta, në librin e tij “Gabimet e trinitetit” (latinisht), thotë: “Krishterizmi ishte korruptuar gjatë tre shekujve të parë të erës sonë. Mësoi se Konstandini dhe pasuesit e tij kishin nxitur mësime të rreme, që, si përfundim, çuan në adoptimin e trinitetit si doktrinë zyrtare”.
Autorët (teologë, historianë, komentues, peshkopë) Hyppolytos, Tertu­lli­on, Eusebius, Epiphanius dhe Theodorët, në krye me atin e kishës Irenaeus[31], i cili ka jetuar në shek. II pas erës sonë, flasin për një grup, i cili për shkak se ka dalë jashtë doktrinës së Palit, ka qenë i fajësuar për herezi nga kisha zyrtare. Këta nga autorët e lartpërmendur janë quajnë me emrin Ebionitë. Ky emër është për­dorur për shoqërinë e parë të Isait a.s./ Jezusit, që ka ekzistuar para periudhës së Palit. Ebionitët janë quajtur edhe Nasurajtë. Ebionitët besonin se Isai a.s./Jezusi është një pejgamber dhe kundërshtonin mendimin për hyjnizimin (shenjtërimin) e Isait a.s., gjë që është sajuar më vonë nga ana e Palit.[32]
Për t’i vërtetuar torturat dhe masakrimet që u bëheshin të krishterëve mund të na shërbejë edhe letra që Irenausi ia shkruan Papës Viktori që t’i ndalë masa­k­r­imet që u bëhen të krishterëve, të cilët nuk e pranonin këtë doktrinë të sjellë nga kisha pauliane, e përkrahur nga ana e romakëve.[33]

Koncili i parë i përgjithshëm për persekutimin e ka gjykuar ashpër Ariusin, i cili ka pohuar se Jezusi nuk është zot, por qenie e rëndomtë, e krijuar”.[34]
Mund të themi se gjatë tërë shekujve janë mbajtur koncilë të ndryshëm, du­ke ndryshuar, apo shtuar diçka të re në krishterizëm. Madje, kjo vazhdon edhe në kohën e sotme, ku Papa me seli në Romë, sipas besimit të tyre, është në shkallën e apostullit të Jezusit, apo konsiderohet si zëvendës i Krishtit në Tokë[35] dhe ki­nse mund të ndryshojë ndonjë gjë në besimin e krishterë, sepse ai njëherësh është edhe i frymëzuar nga shpirti i shenjtë. Deri tani janë mbajtur shumë koncilë, du­ke ia filluar me Koncilin e Nikesë (viti 325), kurse i fundit me Koncilin e dytë të Vatikanit (1962-1965) i cili është mbajtur në Vatikan.
Gjatë koncilëve të mbajtur, që u zhvilluan rreth besimit në doktrinën e trin­itetit, si ajo e mbajtur në vitin 325 në Koncilin e Nikesë, pastaj në vitin 381 në Kostandinopojë, filluan të paraqiteshin mosmarrëveshje[36] dhe më vonë krisht­e­ri­zmi ndahet në sekte të ndryshme, e grupime.

………………………………………
[1] Koncil-i (lat. concare-konvokoj së bashku me të tjerët, greqisht: Sinod-i)-tubimi, këshillimi; kuvendi i për­gjithshëm i ipeshkvinjëve dhe i personaliteteve të tjera kishtare, i konvokuar me qëllim të shqyrtimit apo të marrjes së ndonjë vendimi lidhur me çështje të rëndësishme nga fusha e teologjisë, liturgjisë, apo nga ndo­një fushë tjetër që ka të bëjë me jetën shpirtërore të të krishterëve. Gjatë mijëvjeçarit të parë të erës sonë koncilet e konvokonin kryesisht perandorët apo mbretërit, kurse gjatë mijëvjeçarit të dytë këtë e bë­nin papët. (Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, fq. 194.)
[2] Bart Ehrman është një studiues i njohur i Dhiatës së Re si dhe një ekspert i krishterizmit të hershëm. Ma­sterin dhe doktoraturën e ka kryer në Seminarin Teologjik të Princentonit. Aktualisht ai është shef i de­p­artamentit të studimeve fetare në Universitetin “Chaper Hill” të Karolinës së Veriut. (Biografi nga libri i tij: “Të keqcitosh Jezusin….”, në fund të librit.)
[3] Kriptologji-a: shkenca që merret me shifrimin dhe me deshifrimin e shkrimeve të fshehta. (Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, Prishtinë, 2000, fq. 415.)
[4] Bart D. Ehrman, “Të keqcitosh Jezusin-Si dhe përse u ndryshua Bibla”, fq. 10.
[5] Po aty, fq. 78.
[6] Bart D. Ehrman, “Të keqcitosh Jezusin-Si dhe përse u ndryshua Bibla”, fq. 78
[7] Më gjerësisht lidhur me Ungjijtë shiko tek: Halit Muharremi, “Fjalori i teologjisë”, Tiranë, 2006, fq. 333-334.
[8] Abdurrahman Ajgyn, “Profeti Islam në Ungjillin e Barnabës”, Konja 1989, fq. 25.
[9] Këtë e thekson R.P. Kannengiesser, sipas, Dr. Maurice Bucaille, vep. e cit. fq, 73.
[10] “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 8; po ashtu shih edhe te: Hassan Hathout, “Leximi i mendjes së Mus­l­i­m­a­nit”, Tiranë, 2006, fq. 28.
[11] Dr. Ivan Cvitković, “Rječnik religijski pojmova”, fq. 455; po ashtu edhe tek: Ekrem Murtezai, “Fjalori i fe­ve”, fq. 561; Gjithashtu edhe një libër i krishter e mohon doktrinën e trinitetit, duke deklaruar që kjo u shpall në këshillin e Nikes në vitin 325, dhe kjo doktrinë ishte e panjohur për të krishterët e hershëm, shih: “Bazat e Biblës – Udhëzim Kapitujsh” (Shpalosja e gëzimit dhe paqes së krishterimit të vërtetë), botuar nga Christadelphian Bible Mission (CBM), England (pa vit botimi), fq. 154.
[12] Foto: Skala New York/Firence, sipas “A duhet të besojmë në trinitet”, fq. 8
[13] Ndryshe quhet edhe Konstantini i Madh, emri i tij në latinisht ka qenë Flavius Valerius Constantinus, ka qenë i pari perandor Romak i pranuar nga të krishterët. Ai lindi përafërsisht në vitin 280 të erës sonë në Naissus (në Nishin e sotshëm, në Serbi) dhe vdiq më 337 në Ancyrona, pranë Nicomedia (në Izmir, Turqi). (“Constantine I.” Encyclopædia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite. DVD).
[14] “A duhet të besojmë në trinitet”, fq. 8.
[15] Po aty, fq. 8.
[16] Stannus Hugh, H., “A History of the Doctrine of the Trinity in the Early Church”, London 1882, (Christian Life Publishing Co. 281 Strand London), fq. 7.
[17] Ndër veprat e tjera të këtij autori veçojmë: Jesus Christ is not God (1981); The Bible tell me so; The new dinamic church; Jesus Christ our passover; Forgers of the Word; Receiving the Holy Spirit today; etj.
[18] Victor Paul Wierwille, “Forgers of the Word”. 1983, sipas www.erasmusi.org, “Disa thënie në lidhje me trinitetin”, Përmblodhi Rrezart Beka.
[19] “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 8.
[20] Ahmad Thomson & Muhammad. Ata’ur-Rahim, “For Christ’s Sake”, London 1996, fq. 17.
Konstantini unifikoi Sabathin (të shtunën – që e kishte celebruar Jezusi) e kishës zyrtare me të dielën – di­t­ën e adhurimit të zotit të diellit Dies Solis. Ai mori masa për futjen e simboleve pagane në fenë e re të krishterizmit, gjegjësisht në kishën zyrtare. Edhe kryqi, që kishte qenë simbol i zotit të diellit Dies Solis romak, u bë simbol i krishterizmit dhe tashmë në sistemin perandorak nuk kishte ndonjë ndryshim nga të qenët i krishterë ose pagan. Gibboni thotë se ushtarët e Perandorisë Romake, shumë kohë më parë, në kraharorin e tyre mbanin kryqin për simbol. Për më tepër shih: E. Gibbon, “Decline and fall of the Roman empire”, vol. II, 1823, 1909-1914, fq.454, 458, sipas Hajrudin Muja, “Krishterimi Paulian”, shih tek webfaqet: www.zeriislam.com dhe www.bibladhekurani.com
[21] Kostandinopoja (Stambolli i sotshëm)
[22] Fryma e shenjtë, apo shpirti i shenjtë.
[23] Shiko: “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 8; Hajrudin Pekarić- Dino, “Sljedbenici Knjige”, Tuzla, 2003, fq. 133; Dr. Muhamed Ali El-Havli, “Komperacioni mes katër ungjijve”, Shkup, 2002, fq. 70; Victor Paul Wierwille, “Jesus Christ is not God”, Ohio 1985, fq. 25; Marmarinta- Omar P. Mabaya, “Božija Jednoća: Konačno rješenje proturiječnosti trojstva”, Sarajevo, 2003, fq. 8; dhe tek: “Constantinople, Council of.” Encyclopædia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite. DVD; ndërsa sipas Ivan Cvitkoviq në librin e tij “Religije suvremenoga svijeta, Sarajevo, 2005, fq. 169, thotë: “Në dy këshilla, mbledhje në Nike 325 dhe në Carigrad (Kostandinopojë) 381, është vërtetuar mësimi themelor i besimit të krishterë”.
[24] “The Encyclopedia America”, sipas “A duhet te besosh në trinitet”, fq. 8.
[25] Ulfe Azizus Samed, “Islami dhe Krishterimi”, Prizren, 1992, fq. 35.
[26] “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 9.
[27] Ariusi u lind më 250 në Libi, ndërsa vdiq më 336 në Kostandinopojë (Stamboll i sotëm). Ishte prift i krishterë i Aleksandrisë, Egjipt, mësimet e të cilit i dhanë hov rritjes së një doktrine të njohur si arianizëm, e cila këmbëngulte në afirmimin e natyrës krijuese dhe të fundme të Krishtit, ishte i denoncuar nga kisha e asaj kohe si drejtimi kryesor heretik. Këshilli i Nikesë, në maj të vitit 325, e deklaroi Ariusin si heretik pasi që ai refuzoi ta nënshkruante formulën e besimit, të mbështetur në atë se Krishti ishte i natyrës së njëjtë hyjnore me Zotin. Për më tepër shih: “Arius.” Encyclopædia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite. DVD.
[28] Për më tepër në lidhje me këto, shfleto: Ekrem Murtezai, “Fjalor i feve”, fq. 561; Ekrem Sarikçioglu “Hi­storia e feve, prej fillimit deri sot”, Shkup 2007, fq. 498-500; Qani Nesimi, “Ortodoksizmi te shqiptarët”, fq. 30-33; Ahmad Thomson & Muhammad. Ata’ur-Rahim, “For Christ’s Sake”, fq.17, dhe Dr. Zija Abdu­ll­ahu, “Hyrje në studimin e feve”, fq. 38.
[29] Abdulahad Davud, i njohur fillimisht si Atë David Benjamin Keldani, lindi në vitin 1867 në Urmia të Ir­a­nit. Pas studimeve filozofike e teologjike në kolegjin “Propaganda Fide” në Romë, u emërua prift në vit­in 1895. Më pas, ai u anëtarësua në Misionin Francez Lazarist të Urmias, ndërsa më 1897 u dërgua për të përfaqësuar katolikët lindorë në Kongresin Eukaristik të mbajtur në Parai-lë-Monial, në Francë, nën kry­e­simin e kardinal Perrodit.
Në vitin 1898, Atë Benjamini u dërgua nga autoritetet kishtare për të marrë përsipër dioqezën e qytetit të Salmasit në Iran. Në verën e vitit 1900, ai u tërhoq në vilën e tij në Digala, ku kaloi një muaj në lutje, me­d­itim e studim. Pas kësaj, ai i kërkoi dorëheqjen kryeipeshkvit të Urmias. Në vitin 1904, pas një vizite në Sta­mboll dhe bisedave me muslimanë të ditur atje, përqafoi islamin. Prof. Davidi zotëronte disa gjuhë të hu­aja: latinisht, greqisht, hebraisht, siriakisht, arabisht, turqisht, anglisht dhe frëngjisht. Ai është i njohur me artikujt e tij të shumtë në gazetat “The Tablet”, “Irish Record”, “The Levant Herald”, “Kala-La-Shara”, dhe një numër përkthimesh të “Ave Maria” në gjuhë të ndryshme, të botuara në revistën “Illustrated Ca­tholic Missions”, etj. Prof. Abdulahad Davud vdiq në SHBA, në vitin 1940. (biografia e tij është e marrë nga vepra e tij “Muhamedi në Bibël”, Tiranë, 2004 [botimi më i ri nga ai i 1995]).
[30] Prof. Abdul Ahad Dawud, “Muhamedi në Bibël”, Prishtinë, 1995, fq. 18.
[31] Irenausi u lind më 120/ 140 në Azi të Vogël, ndërsa vdiq në vitin 200/ 203, me gjasë në Lion. Irenausi ka qenë peshkop i Lugdunumit (Lionit) dhe udhëheqës fetar i krishterë, teolog gjatë shekullit të dytë. Puna e tij ka qenë kundër herezive (Adversus haereses) e shkruar gjatë vitit 180, ishte një përgënjeshtrim i gnos­ti­cizmit. Në rrjedhën e shkrimeve të tij, Irenausi avancoi zhvillimin e një ligji kishtar autoritar të shkrimeve të shenjta (citateve biblike), besimin dhe autoritetin e zyrës peshkopale (zyrës së peshkopit), etj. Për më te­për shiko: “Irenaeus, Saint.” Encyclopædia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite. DVD
[32] Qani Nesimi, “Dialogu obligim hyjnor”, fq. 151-152; shih më gjerësisht: “Ebionite.” Encyclopædia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite. DVD
[33] E.J. Goodspeed, The Apostolic Fathers, 1950; Muhamed Ata Ur-Rahman, “Jesus: Prophet of Islam”, Rijad 1984, fq. 74-75, sipas Marmarinta- Omar P. Mabaya, “Božija Jednoća: Konačno rješenje proturiječnosti trojstva”, fq. 6.
[34] J.F. De Groot “Mësimi katolik”, fq. 149, sipas: Ulfe Azizus Samed, “Islami dhe krishterimi”, fq. 37
[35] Abdullah et-Terxhuman, “Rruga e Priftit në Islam”, fq. 83. Shih edhe te: Halit Muharremi, “Fjalori i teo­l­ogjisë”, fq. 254-255.
[36] Mosmarrëveshje kishte edhe para këtyre koncilëve, por konfliktet, mosmarrëveshjet, kundërshtimet të shu­mta filluan mbas këtyre koncilëve, ato ishin të ndryshme qofshin në besim, doktrina, rreth librit të she­njtë të tyre – Biblës, në ritet fetare, etj. gjë që çuan deri në ndarje të grupeve të ndryshme.

Artikulli paraprakFenomeni i shpifjeve rreth shumësisë së bashkëshortëve të Pejgamberit (alejhi selam).
Artikulli vijuesJEZU KRISHTI (ISAI A.S.) PROFET DHE I DËRGUAR VETËM TE BENI ISRAILËT SIPAS KURANIT DHE BIBLES