Hollësi të reja rreth vrasjes së Hamdi Sopës

Hamdi Sopa ishte përpjekur të mbrohej sa kishte pasur fuqi. Kishte arritur që të kapte tehun e thikës me dorë. Një e prerë e thellë në shuplakë të dorës i ishte shkaktuar si pasojë e tërheqjes së thikës nga sulmuesja, që dyshohet se është njëra prej vajzave të tij, e cila është arrestuar të hënën pasdite së bashku me të ëmën dhe motrën.
Zyrtari për informim i Qeverisë së Kosovës, i cili vdiq të martën e kaluar, është konstatuar nga raporti i autopsisë së nuk është vetëvrarë, por është vrarë me thikë. E dyshuar për këtë është njëra prej vajzave, derisa bashkëshortja e tij dhe vajza tjetër dyshohen se kanë ndihmuar në fshehjen e krimit.

Burime nga hetuesia i kanë thënë “Kohës Ditore” se raporti i autopsisë ka konstatuar se Sopa ka vdekur në banesë, derisa trupi i tij është hedhur nga kati i nëntë. Sipas hetimeve të deritashme të ndjerit paraprakisht iu kishte ndërruar fanella e brendshme, e cila ishte e prerë me thikë për t’iu veshur një tjetër dhe pastaj ishte hedhur trupi nga ballkoni.

“Në banesë ka pasur gjak nga banja, ku dyshohet se është sulmuar, nëpër korridor e deri në ballkon. Policia gjatë kërkimeve ka gjetur fanellën e përgjakur dhe të prerë së bashku me thikën nën makinën e larjes së rrobave në banjë. Kjo tregon se pas krimit të dyshuarat janë munduar të fshehin gjurmët.

Burimi ka thënë se deri tash nuk është zbuluar ndonjë motiv i qëndrueshëm, sepse të tria kanë mohuar krimin.

Nuk është përjashtuar ndonjë konflikt në mes të ndjerit dhe njërës prej vajzave, e cila besohet se ishte përdoruese e drogës për shkak të refuzimit për t’i dhënë para.

Të hënën Policia e Kosovës me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj, ka arrestuar dy vajzat dhe bashkëshorten e të ndjerit, të cilave u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Banesa e tyre në lagjen “Aktash”, është bastisur sërish në kërkim të provave që do të mund të ndihmonin gjetjen e motivit të kësaj vrasjeje me armë të ftohtë, ani se trupi i tij është hedhur në hapësirë publike të banuar, kjo është bërë për ta fshehur krimin që ka ndodhur. /Telegrafi/

Artikulli paraprakStambolli, metropoli më i sigurt në botë
Artikulli vijues"Më mirë të jesh me ngjyrë se serb"