Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Tunizia

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar në vizitën e parë zyrtare të një lideri institucional të Kosovës në Tunizi, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Tunizisë, Rafik Abdessalem.
Në këtë vizitë, në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë, ministri Hoxhaj është pritur në takim zyrtar nga homologu Abdessalem, njofton Ministria e Punëve të Jashtme. “Populli i Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për kauzën e njëjtë politike sikurse populli i Tunizisë dhe është motivuar nga tre aspiratat të mëdha, siç janë dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe liria. Prandaj, vendimi për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Qeveria e juaj, do të shihet si respektim i këtyre tre vlerave madhore për të cilat është përpjekur edhe vet populli tunizian”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit me ministrin Abdessalem. Hoxhaj po ashtu theksoi se Tunizia e re do të manifestonte një politikë të jashtme të re edhe përmes shembullit të saj të njohjes së Kosovës. “Ne si Qeveri e Kosovës jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie bilaterale të gjithanshme ndërmjet vendeve tona, por para se të vendosen këto marrëdhënie është me rëndësi që Qeveria e juaj të marrë vendim që ta njoh Kosovën dhe unë ju jam shumë mirënjohës për ftesën që ta zhvilloj edhe vizitën e parë zyrtare si ministër i Jashtëm i Kosovës në vendin tuaj”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu e ka informuar homologun tunizian për shtetndërtimin e suksesshëm në Kosovë gjatë pesë vjetëve të fundit, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes shtimit të numrit të njohjeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. “Ne si Kosovë i jemi mirënjohës Tunizisë për votën e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe jemi të interesuar që të kemi bashkëpunim të ngushtë ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor ndërmjet vendeve tona”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit. tg

Artikulli paraprakBrahimi: Për katër orë i shkatërrojmë strukturat paralele
Artikulli vijuesFillon takimi mes Hamasit dhe Fatahut në Kajro të Egjiptit