Hoxhaj përgëzon liderët e vendeve myslimane

Me rastin e Festës së Bajramit, ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka dërguar një telegram urimi për liderët e shteteve anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik (OKI) dhe shteteve anëtare të Ligës Arabe.
Ministri Hoxhaj ka përgëzuar përfaqësuesit e këtyre shteteve me shumicë të popullsisë myslimane për këtë festë, duke theksuar se në muajin e Ramazanit, besimtarët myslimanë kanë testuar dhe demonstruar devotshmërinë dhe përkushtimin e tyre shpirtëror dhe fizik, duke rritur dashurinë e përbashkët, paqen dhe solidaritetin.

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, sipas Hoxhajt, vlerat humane, toleranca, falja dhe dashuria ndërmjet njerëzve vlerësohen dhe kultivohen më shumë se çdo herë tjetër.

“Ne në Kosovë, në shtetin e ri evropian me shumicë të popullsisë myslimane, po e festojmë Bajramin në liri dhe pavarësi. Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, kemi arritur rezultate të dukshme në të gjitha sferat. Ne llogarisim në mbështetjen tuaj dhe po ashtu besojmë se raportet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve tanë do të thellohen në vjetët në vazhdim”, thotë Ministri Hoxhaj në letër, duke u uruar besimtarëve myslimanë, Bajram të gëzuar, lumturi dhe prosperitet.

Artikulli paraprakKriminalitet në rritje në ushtrinë ruse (vrasje, drogë, ryshfet)
Artikulli vijuesTiranë, Muslimanët e mbulojnë qytetin për Fitër Bajram