Hoxhë Sadulla Bajrami ia kthen myftiut Sulejman Rexhepi

Hoxhë Sadulla Bajrami përmes një reagimi të tij i është përgjigjur se disa portale kanë keq montuar dhe shkëputur në mënyrë tendencioze deklaratën e tij, ndërsa ai më tej godet kreun e BFIM, Sulejman Rexhepi.

Ja përgjigja e plotë:

“Falënderimi i veçantë i takon Krijuesit Absolut të gjithësisë dhe gjithçkaje që ka në të – Allahut; paqja, mëshira e bekimi qofshin mbi të dërguarin e Tij të fundit – Muhamedin alejhiselam, familjen, shokët dhe pasuesit e Tij të devotshëm.

Duke pasur parasysh valën e furishme antiislame që është duke u ndërmarrë, në veçanti viteve të fundit, synimet qëllimkëqija të islamofobëve të të gjitha ngjyrave dhe pasojat evidente të fushatës së tyre, konsideroj se asnjë thirrës nuk mund të jetë imun ndaj tyre, posaçërisht ata që ia kanë vënë vetes për obligim përcjelljen dinjitoze e pa hile të mesazhit islam. Me keqardhje shpreh indinjatën time të thellë për gjithë atë që bëjnë mediet kundrejt Islamit dhe neve si hoxhallarë. Jemi stigmatizuar, degraduar dhe diskredituar tej mase, vetëm për një qëllim që quhet klikim. Ndërkaq pre e këtij kurthi të miut (mausit) janë bërë një pjesë bukur e madhe e opinionit. Në qarkun trekëndësh propagandistik: portali-klikimi-lexuesi, ne jemi vënë në trekëmbshin ku me çdo kusht kërkohet ekzekutimi moral i yni. Së këtejmi, fragmentimi, shkëputjet tendencioze dhe montimet skandaloze janë bërë arma postmodene e veshur me optikën iluzore të mashtrimit.

Sa i përket ‘rastit tim të fundit’, ku jam anatemuar, përbuzur e ofenduar me pa të drejtë, lidhur me gjoja deklaratën time të prerë se nuk duhet studiuar drejtësinë, deklaroj publikisht se edhe ky montim hynë në vazhdën e logjikës prokustiane. Është e vërtetë se sheriati nuk është kompatibil me jurispodencën laike dhe bazuar në këtë, rrjedhimisht drejtësia që mësohet në shkollat sekulariste bie ndesh në masë të madhe me drejtësinë islame, andaj sfidoj cilindo hoxhë që mundohet ta thotë të kundërtën. Sipas mendimit të disa dijetarëve muslimani me bindje të thellë islame lejohet ta studiojë edhe drejtësinë laike, por me kusht që duke e mësuar të keqen ta ketë për qëllim mbrojtjen prej saj, ashtu që t’i shërbejë për krahasim, për të parë pikat ku puqet e ndahet shapi prej sheqerit. Megjithatë, studimi i shkencave shoqërore nga persona me bindje të dyshimtë, më tepër shkakton dëm sesa dobi. Ligjërata ka qenë e drejtuar ndaj një rrethi të ngushtë dhe u është dedikuar pikërisht personave, të cilët kërkojnë dalje nga labirinthi shumëdimensional i interpretimit islam. Psikologjikisht dallon mënyra e të folurit varësisht nga auditoriumi, gjë që përkon me metodologjinë pedagogjike islame që t’u flitet njerëzve si e sa kuptojnë. Me këtë sqarim nuk dua të shfajësohem ose t’i shmangem përgjegjësisë, por dua ta them të vërtetën troç, ashtu që të hiqen dyshimet.

Shokuese ishte gjithashtu edhe deklarata e kreut të BFI – së Sulejman Rexhepit se ne jemi monstrum të shitur etj. Prononcimet e tilla thjesht janë nxitime patetike me halo efekt tek audienca e tundosur nga megaskandalet e këtij institucioni, ashtu që për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit sajohet një problem fantom me ata që mendojnë e veprojnë ndryshe. Kërcënimet për linçime morale e institucionale janë bërë vetëm në dikaturën komuniste, ndërsa në demokraci duhet respektuar e drejta e individit deri në ato përmasa sa nuk e cënon lirinë e tjetrit. Konsiderojmë se reisi do të gjejë forcë shpirtërore për ta tejkaluar këtë kualifikim ndaj nesh, për të kërkuar falje dhe për t’u angazhuar bashkërisht në qëllimin e përbashkët – ngritjes së Fjalës së Allahut të Gjithëdijshëm. Në të kundërtën, e ngarkojmë me hak ndaj nesh deri në Ditën e Gjykimit kur do të kërkojmë përgjegjësi prej tij. Allahu e di më së miri dhe Ai na ndihmoftë të gjithëve!”, thuhet në fund të reagimit.

Ndërsa myftiu Sulejman Rexhepi ca ditë më përpara i kishte thënë disa fjalë duke e fyer sipas Bajramit.

Artikulli paraprakPapa Françesku: tha të vërtetën
Artikulli vijuesSkandali me pasaportat: Kosova, 14 ditë afat t’ia paguajë pesë milionë euro austriakëve