Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se lidhur me numrin e shtuar të shqiptarëve të Kosovës që duan të kalojnë në vendet e Bashkimit Europian, Serbia po ndërmerr të gjitha masat në marrëveshje me Hungarinë, Austrinë dhe Gjermaninë.
Ai po ashtu ka shtura se Serbia nuk mundet dhe nuk do të shkelë lirinë e lëvizjes dhe se në marrëveshje me partnerët europianë do të përmbushë marrëveshjen.
“Deri më tash nuk kemi marrë asnjë kërkesë për riadmisim, e Komisariati për refugjatë e migrim vepron vetëm pasi MPB të fillojë procesin e riadmisimit. Ne jemi të gatshëm, nëse ka nevojë, për t’i pranuar ata njerëz, mu ashtu sikur jemi të gatshëm që në procesin e riadmisimit t’i pranojmë të gjithë shtetasit tanë dhe atyre t’ua garantojmë gjërat elementare për përkujdesje. Kështu kemi bërë edhe kur është kthyer një numër i madh i qytetarëve tanë nga Belgjika”, ka thënë për gazetën “Politika” të Beogradit Vladimir Cuciq , komisar për refugjatë e migrim, transmeton Koha.net.
Qendrat e pranimit për kthimin eventual sipas marrëveshje për riadmisim gjenden në Shabac dhe Bella Pallankë, e sipas nevojës, Komisariati mund të angazhojë edhe kapacitete shtesë, sqaron ai.
“Nëse MPB e kërkon këtë nga ne, ne jemi të gatshëm. Por personalisht dyshoj se ndonjë nga të ikurit në Hungari do të kërkojnë ndihmën tonë. Bëhet fjalë për njerëz që në rrugë për një botë më të mirë janë nisur me para. Është fakt se as neve dhe as cilitdo organi tjetër shtetëror ata nuk i janë drejtuar para kalimit të kufirit me Hungarinë dhe sigurish se kështu do të veprojnë edhe nëse kthehen në vend”, thekson Cuciq.
Ai ka shtuar se për çdo rast, institucioni që ai udhëheq, është i gatshëm për të kthyerit./koha.net