“Ideatori” i ndarjes së Mitrovicës: Kosova nuk mund të bëhet shtet!

Miku i deklaruar i serbëve, koloneli francez, Jacques Ogar, është një nga ushtarakët e parë të NATO-s që kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999 dhe tërheqjes së ushtrisë serbe.

Çfarë kishte parë për vetëm 12 ditë, sa qëndroi si pjesëtar i KFOR-it, si dhe çka përjetoi në Kosovë, ai shkroi në librin “Evropa përfundoi në Prishtinë”, ku madje thotë se është njeriu që e ndau Mitrovicën .

Ogar në një intervistë për mediat serbe, thotë se para ardhjes në Krahinë ishte i vetëdijshëm se kjo nuk ishte një “luftë humanitare”, por luftë për interesat e Shtetet të Bashkuara të Amerikës kundër Serbisë, por edhe kundër interesave ruse në Evropën Jugore dhe Lindore.

“Kosova nuk është shtet dhe nuk mund të bëhet shtet. Ajo mund të bëhet pjesë e Shqipërisë Natyrale, në bazë të përkatësisë politike dhe etnike, ose përgjithmonë mund të mbetet brenda Serbisë”, tha Ogar.
Ai më tutje pohon se ka indikacione se mund të nis një luftë e re shqiptaro-serbe, përderisa, siç thotë ai, shteti imagjinar i Kosovës udhëhiqet nga Qeveria e Serbisë dhe Kosovës.

“Të gjithë faktorët ende na japin indikacione se mund të ketë sërish luftë në Kosovë, derisa ky vend është nën kontrollin e Serbisë, nën kontrollin e qeverisë legjitime dhe një republike imagjinare. Kriminelët tani janë në ballë të Kosovës, e kjo e bën të pamundur të arrihet një paqe e përhershme. Kjo është arsyeja pse nuk ka paqe”, shtoi Ogar. Ish koloneli francez i KFOR-it thotë se Serbia po përjeton një presion të madh dhe se nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje me përfaqësuesit kosovar, e cila është në kundërshtim e rezolutën 1244 të OKB-së.

“Unë nuk jam serb dhe nuk jam pjesë e qeverisë serbe që po përjeton një presion të madh. Por, sigurisht nuk ka asnjë arsye që të diskutohet me përfaqësuesit e Kosovës , e cila bie në kundërshtim me rezolutën e OKB-së 1244, që në mënyrë të qartë thotë se: Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë. Të gjitha marrëveshjet e tjera janë të paligjshme”, tha ndër të tjerash ish koloneli francez i KFOR-it.

UÇK-ja u ndihmua nga britanikët, amerikanët dhe gjermanët, kështu së paku thotë Ogar “Po, unë mund të konfirmoj se disa shtete anëtare të NATO-s, sidomos britanikët, por edhe amerikanët dhe gjermanët, kanë punuar ngushtë me UÇK-në. Personalisht, kam parë e njësinë special britanike SAS, duke ndihmuar dhe mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Ai kishte edhe një mesazh për opinionin ndërkombëtar, sidomos atij francez. Sipas tij, NATO e ka demonizuar Serbinë, në saje të mesazheve negative propagandistike kundër saj, të cilat ishin udhëhequr nga mediat perëndimore.

“Lufta kundër Serbisë ishte një gabim i madh i Francës. Në fakt, kjo ishte një tradhti. Unë besoj se një numër i madh i ushtarëve dhe diplomatëve francezë, si për shembull Ambasadori Gabriel Keller, i cili ishte “numër dy në Kosovë” (Zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë), kishin të njëjtën mendim si unë”.kohaislame
Artikulli paraprakDalja e Greqisë nga eurozona do të jetë një proces dëmtues
Artikulli vijuesSi të fitosh para në tregjet financiare globale!