Ikën një ishull, por vjen një tjetër !

Teksa panoramës politike të BE-së, iu largua ishulli britanik, një tjetër ishull mund t’i përafrohet së shpejti Unionit.

Në Islandë, koalicioni i ri qeveritar, që arriti të formohej vetëm disa ditë më parë, ka përfshirë në programin e tij, mbajtjen e një referendumi mbi anëtarësimin në BE.

Me të njëjtat karakteristika sjelljeje politike, po edhe si Britania e Madhe, Islanda do të tërhiqte një vëmendje të konsiderueshme të politikës evropiane, teksa vendosi në mënyrë të papritur, tërheqjen e kandidaturës së saj të anëtarësimit. Nuk kishin kaluar as disa vite, që në momentin kur Islanda shprehu vullnetin e saj për t’u bërë pjesë e bllokut evropian, në vitin 2009. Me standardet dhe parametrat e lartë demokratikë që Islanda shfaqte, si anëtare e Hapësirës Ekonomike Evropiane, anëtare e EFTA-s, pjesë e Shengenit, nënshkruese e rregullores së Dublinit, si edhe anëtare e NATO-s që prej vitit 1949, kandidaturës së saj iu kushtua një përparësi e veçantë. Vetëm disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 2010, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave dhe gradualisht në qershor 2010, Këshilli vendos zyrtarisht hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Edhe pse procesi po avanconte me 27 kapituj të hapur nga 35 të tillë, nga të cilët 11 ishin deklaruar të mbyllur, në maj të vitit 2013, qeveria e re kërkoi ngrirjen e negociatave. Vendim, që u zyrtarizua vetëm dy vite më vonë, më 2015.

Po, përse u tërhoq Islanda nga anëtarësimi në BE ?

Skena politike islandeze është dominuar vazhdimisht nga parti dhe formacione politike euroskeptike, kryesisht të spektrit të djathtë. Arsyeja e këtij dominimi të fortë anti-BE, lidhet me elektoratin e gjerë, që gjen shtrirje në zonat rurale të fokusuara kryesisht në industrinë e peshkimit dhe agrikulturën. Nga ana tjetër, partitë euroskeptike të krahut të djathtë, kryesisht Konservatorët dhe Agrarët janë të lidhur me lobet e Peshkimit dhe të Agrikulturës. Grupime, që kanë rol të konsiderueshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe janë shumë aktivë në diskutimet publike, duke ndikuar ndjeshëm edhe në formësimin e opinionit.

Ndonëse të djathtët, kanë qëndruar në pushtet në periudha të gjata, kriza ekonomike e 2008-s, që e goditi rëndë Islandën, shkaktoi edhe zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e 2009-s sollën për herë të parë në pushtet forcat pro evropiane Social-Demokratët, që formojnë një koalicion qeverisës me të gjelbrit dhe të majtët e tjerë. Pikërisht nën këtë frymë evropiane, qeveria e majtë dorëzon aplikimin në BE, vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet (27 korrik 2009). Aplikim, që gjeti dhe një rritje të mbështetjes popullore, që nën efektet e krizës, dhe rënies së monedhës vendase koronës, anonte drejt futjes në BE.

Dhe siç edhe pritej, me parametrat demokratikë, që njeh Islanda, dhe me një pjesë të mirë të legjislacionit të BE-së, tashmë të përthithur, aplikimi i saj u mirëprit dhe iu akordua një prioritet i veçantë. Rekomandimi për hapjen e negociatave dhe më pas hapja e tyre, u krye përgjatë vitit 2010.

Por, kjo situatë nuk do të zgjasë shumë. Ajo do të përmbyset menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, ku të djathtët vijnë sërish në pushtet. Koalicioni i Konservatorëve dhe Partisë Agrare, kundërshtarë të hapur të aderimit të Islandës në BE, frenojnë sërish avancimin e mëtejshëm.

Problematika

Panorama është interesante, pasi ndonëse në pushtet kishin ardhur sërish forcat anti-evropiane, qëndrimi i Islandës vlerësohej i fuqizuar edhe me daljen graduale nga kriza ekonomike. Teksa kriza ekonomike e vitit 2008, goditi fort Islandën, duke shkaktuar edhe falimentimin e tre bankave të mëdha tregtare në vend, Britania dhe Holanda kërkonin rimbursim të shumave financiare të depozituara në këto banka, nga qytetarët e tyre. Ky presion, po vinte në rritje, aq sa Britania dhe Holanda po përdornin “kartën” e vendit anëtar, për zgjidhje të politikave dypalëshe, në kuadrin e fqinjësisë me Islandën. Pra, anëtarësimi në BE, po shikohej si një mjet presioni, për të zgjidhur problemet dypalëshe. Ndërkohë qytetarët e Islandës, ishin shprehur tashmë nëpërmjet një referendumi, se nuk ishin dakord që pikërisht ata, të paguanin kostot e papërgjegjshmërisë të bankave private në Islandë. Por, gjykimi i janarit 2013 të kësaj çështje nga EFTA dhe vendimi në favor të Islandës thelloi më tej diferencat ndërmjet vendit dhe BE-së, si edhe fuqizoi kundërshtimin e qytetarëve islandezë ndaj anëtarësimit.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet si konservatorët por edhe agrarët, të lidhur ngushtë me grupet e presionit, kishin rikthyer vëmendjen tek prioritetet kombëtare në fushën e peshkimit dhe të agrikulturës, duke i nacionalizuar tërësisht ato. Frika ndaj kuotave të peshkimit, që mund të imponohen nga anëtarësimi në BE, si edhe ndalimi i gjuetisë së balenave, janë pika mjaft të ndjeshme të një elektorati të gjerë rural, që e bazon aktivitetin kryesisht në këto fusha, por edhe për të ardhurat dhe gjenerimin ekonomik, në një nivel të brendshëm kombëtar. BE e ka akuzuar vazhdimisht Islandën, për peshkim të tepruar (peshkim të kolorit) dhe Islanda nuk ka pranuar të ulë në asnjë moment kufizimin e këtij peshkimi. Anëtarësimi në BE, ekspozon frikën në masë se Islanda nuk do të ketë pushtetin e nevojshëm përballë politikave të përbashkëta të peshkimit të BE-së, duke e disfavorizuar ndjeshëm.

Në logjikën pragmatiste të koalicionit të djathtë qeveritar në pushtet, lidhjet e forta që Islanda ka me SHBA dhe partneriteti dypalësh me BE-në, në disa prej fushave si Hapësira Ekonomike Evropiane (EEE) dhe Shengen, e bëjnë të panevojshëm një anëtarësim të vendit në familjen evropiane. Përballë kësaj logjike parashtrohen dhe argumentet aspak pozitive të një Evrope, që ka ndryshuar shumë që prej vitit 2009, kur Islanda hodhi kandidaturën për aderim. Në këtë këndvështrim, tejet nacionalist dhe pragmatik, të djathtët në pushtet miratuan hapësirën e duhur ligjore, për të mundësuar tërheqjen përfundimtare të Islandës nga BE, në vitin 2015.

Por, skandalet e “Panama Papers”, që zbuluan pasuritë e një sërë zyrtarësh islandezë në ishujt e parajsave fiskale, shkaktuan edhe rrëzimin e qeverisë dhe organizmin e zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse zgjedhjet legjislative, u zhvilluan në tetor të vitit të kaluar, negocimet për formimin e një koalicioni qeverisës, arritën të përfundonin vetëm para pak ditësh. Ky koalicion përbëhet edhe nga partitë, që kërkojnë anëtarësim në BE, nga ku si rrjedhojë në programin qeverisës, është përfshirë dhe mundësia për mbajtjen e një referendumi popullor. Nëse zhvillimi i këtij referendumi, do të sjellë një përgjigje pozitive për anëtarësimin e vendit në BE, Islanda do të jetë pjesë e BE-së, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore, duke marrë parasysh mbylljen e 11 kapitujve nga 35 të tillë dhe standardet e larta, që ajo shfaq. Por, gjithçka varet nga qëndrimi i qytetarëve islandezë, të cilët kanë ngjashmëri të lartë me qytetarët britanikë, në kuptimin e luhatjeve të vazhdueshme, që shfaqin ndaj anëtarësimit të vendit në BE.

Artikulli paraprakTetë miliarderë zotërojnë pasuri aq sa gjysma e popullsisë së botës
Artikulli vijues“Daily Telegraph”: Kur Isë Boletini arrestonte rusë në Mitrovicë në vitin 1902